Cover Story

Adelina

1 Shkurt 2010

Adelina

Ishte hera e parë në jetën time që e kam ndier veten aq mirë", thotë ajo duke iu referuar seancës së fotografsë, teksa thith një cigare slim në hollin e një hoteli-butik të Tiranës. E veshur me një fustan-golf të trikotuar ngjyrë vishnjë, çizme të zeza sipër gjurit, flokët gështenjë të mbledhura topuz dhe buzët mishtore të lyera me buzëkuq vishnjë Chanel, ajo të ngjan me një femme fatale, me sensualitetin dhe klasin e Xhildës së Rita Hayworth-it dhe sigurinë gati dominuese të Sharon Stone-it tek “Basic Instinct”. E gjatë (mbi 170 cm), me një trup elegant dhe një qëndrim prej balerine, ajo mund të joshë çdo njeri që i kalon pranë. Madje edhe një vajzë të lodhur e fytyrëngrysur, në fundin e turnit të saj të natës në një fast-food të Tiranës,e cila sa e pa, buzëqeshi e nisi të përkëdhelej a thua se ishte përpara një mashkulli. E ka këtë cilësi, edhe pse qesh kur ia them. Jo se nuk e di. Në fakt, Adelina e ka ditur gjithmonë që një nga armët e saj më të forta ishte pamja, por sepse shpesh bukuria e saj i është kthyer kundër. Kryesisht nga media dhe kolegë. Ndaj kur vendosëm që të bënim një seancë ku ajo do të dilte si askush tjetër më parë, nudo, e lyer me çokollatë, u hodh përpjetë nga gëzimi: "Kjo është ëndrra ime!". Dhe më pas, kur Geli e la të lirë të sillej si të donte përpara aparatit, ajo tha: "Nuk e kam ndier veten kurrë kaq të lirë dhe nuk jam pranuar kurrë ashtu siç jam pranuar këtu". Ato orë të photo-shoot-it të kaluara në pub-in më trendi të Tiranës,"Mju Mju", Adelina i ka kërkuar gjithë jetën e saj. Të thyente tabu, siç e theu me foton e kopertinës, është diçka e zakonshme për artisten, por të pranohej e të respektohej për këtë formë të shprehuri, kjo nuk i ka ndodhur shpesh. "Ajo që ndodhi në atë photo-shoot ishte art, ishte thyerja e një tabuje dhe ky është misioni im. Le të më gjykojnë ata që kanë vizituar Luvrin dhe jo ata që vitet e fundit kanë njohur pultin e televizorit". Ajo nuk e dinte se ç'do të thuhet kur të dalë revista në treg, por i paraprin, sepse pak a shumë, në kokën e saj i ka përfytyruar vetullat e mbledhura dhe “pupu-të” e atyre që e kanë ndjekur historikisht me laps në dorë, për të pritur "fatalitetin e radhës" së artistes. “Gjithmonë, për gjërat që kam bërë, jam vlerësuar një vit me vonesë. 

Në 2008-ën në modë ishte burlesque-u dhe Dita von Teese. Më frymëzoi shumë stili i saj dhe në një koncert televiziv në Kosovë vesha një korse të blerë shumë shtrenjtë në një butik të Parisit. Menjëherë mediat më kritikuan: më quajtën anoreksike duke harruar që korseja lidhet ngushtë pas belit, më quajtën Morticia Adams, më sugjeruan të bëja solar. Ndërsa në 2009-ën, pasi ky stil ishte përhapur mjaft, më thanë: ‘Sa mirë ishe vjet!’”. Ndaj nuk është çudi që këtë foto që bëmë sot ta vlerësojnë në 2011-ën", thotë ajo dhe qesh. Por a do të ishte Adelina kjo që është sot nëse jeta e saj do t'iu përngjante atyre orëve të lira dhe pa paragjykime të photo-shoot-it? Nuk do të kishte barriera për të kapërcyer, tabu për të thyer, ajo do të pranohej dhe po ashtu shumë të tjerë më pak të guximshëm në situata të tjera. Ndaj, edhe pse e shijoi atë moment në “Mju Mju”, në fakt, Adelina i përkiste asaj bote jashtë aparatit dhe dritave. Atij vendi të quajtur Kosovë që, si Adelina, kërkoi me vite me radhë t’i çlirohej. Dhe shqiptarëve në përgjithësi, me ashpërsinë ballkanase, paragjykimet prej ish të izoluari e me një dëshirë të pashpjeguar për të kritikuar “deri në kockë” përpara se të pranojnë diçka.  

"Jam paragjykuar gjithmonë deri në masën ekstreme, fatkeqësisht edhe nga njerëz që dominojnë mediume shqiptare". Dhe është e kuptueshme. Bukuroshja nga Prishtina është vetëm 30 vjeçe (mos u habisni edhe ju si unë),por ka 25 vjet në skenë. Ajo pothuajse ka lindur përballë kamerave dhe e ka parë suksesin që kur këndonte "Pink Panther" dhe turma fëmijësh të kryeqytetit kosovar thërrisnin rrugëve emrin esaj. Nuk kishte zërin e Nexhmije Pagarushësdhe atëherë, e vogël ende, nuk kuptonte nga joshja dhe seksualiteti. Por kishte talentin e lindur për performancë. Në mënyrë intuitive e dinte se çfarë donin të tjerët, e njihte shumë mirë popullin e saj. "Kosova ka dy simbole, çiftelinë dhe Adelinën", do të shprehej një personalitet në Kosovë për artisten. Adelina është e vetmja shqiptare që ka karakteristikat e një artisteje ndërkombëtare, nga ato të pariciklueshmet, nga ato artiste që kanë ndikim në jetët tona, në lëvizje sociale e politike dhe nuk kalojnë lehtë vetëm me një hit dashurie. Ndoshta e ndihmoi dhe vendi që e rriti, sepse aty përjetoi disa periudha: u rrit në kohën e Jugosllavisë së Titos, pa nga afër protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës në ’91- shin, përjetoi zgjedhën e Millosheviçit, pa me sy luftën e ‘99-ës dhe më pas shijoi pavarësinë e 2008-ës. Dhe të mendosh që në të gjitha këto periudha ajo ishte e famshme, madje dikur, kur tentonte vendet e para në festivalet e ish-Jugosllavisë, kishte edhe fansa nga Serbia. 

"Jeta ime ka qenë një reality TV. Kur më pyesin se ç’do të thotë të jesh e famshme, unë nuk di të përgjigjem, sepse famën e kam përjetuar që në moshën 8-vjeçare. Një ditë, më kujtohet gjatë një promovimi të një video-projekti ku kishte shumë gjeneralë e ministra, si edhe oponentë politikë, dikush prej tyre u ngrit edhe tha: ‘Po të kishim gjoksin e Adelinës në flamurin kombëtar, do të kishim hyrë në Europë’. Që e vogël kam mësuar se nuk bëhej më fjalë për ‘unë’ si individ, por për ‘Adelina Ismailin’ si një brand. Më ndodhte shpesh që të përzieja jetën personale me jetën që jetoja përpara kamerave". Të mos ishte për nënën që i rrinte pranë në fëmijërinë e saj, ndoshta këngëtarja nuk do të kishte këtë influencë që ka sot. Jo sepse do t'i humbte talenti dhe guximi, por sepse nuk do të dëgjonte zërin e autoritetit që ta kujtonte të mbështeste fort këmbët në tokë. "Kur isha e vogël, nga gjithë ajo famë, u llastova, por kujtoj se një ditë nëna më rrëmbeu dorën dhe më tha: ‘Kurrë nuk duhet të ndodhë kjo! Edhe sikur të kapësh yjet me dorë, ballafaqohu me realitetin. Ti do të jesh prapë një shqiptare’”. Por përsëri, as si artiste shqiptare, nuk mbeti e zakonshme. 

Në Shqipëri ajo do të mbahet mend si 13 vjeçarja që vraponte nëpër sallën e Pallatit të Kongreseve duke kënduar "Mos ma gjuaj diellin me gurë". Deri atëherë, ajo ishte këngëtarja më e vogël që kishte interpretuar solo në këtë Festival Kombëtar. Disa vite më vonë, popullariteti i saj në Shqipëri u katapultua kur performoi "Zemrën nuk ta fal". Nëse tani artistët tanë marrin shënime nga performancat e Madonna-s dhe Beyonce-së, atëherë shikonin me kujdes performancat e Adelinës. Tepër avangarde, të paktën për skenat e Shqipërisë, ajo ishte e para që interpretoi e shoqëruar nga balerinë, doli e veshur me një bluzë ku shkruhej "HASH" (marijuanë) dhe më pas u zhvesh vetëm me të brendshme dhe një tyl të kuq, duke shkaktuar “wow-n” e parë të publikut shqiptar. E më pas… e keni vetë parasysh se si nisën një nga një të hidhen pelerinat në tokë e të zhvishen xhaketat, të lulëzonin grupet e baletit të festivaleve. "I kam bërë gjërat sepse i kam ndier dhe jo sepse i shihja si marketing për veten. Doja të flisja për ato që të tjerët nuk do të guxonin. Për shembull, kur isha adoleshente, kam bërë një këngë për homoseksualët, kushtuar një shokut tim që është gay. Ajo këngë edhe sot e kësaj dite nuk transmetohet”. Kur, nën regjimin e Millosheviçit, në Kosovë po formohej ushtria, të gjithë e dinin, por askush nuk e përmendte hapur. Derisa Adelina doli në ekran e veshur me të zeza dhe e deklaroi në këngën që më vonë do të bëhej himn "Ushtrinë time do ta bëj… me Rugovën". "Nuk e kam kuptuar kurrë tendencën e këngëtarëve tanë që të flasin më shumë për veshjen dhe makeup-in sesa për mesazhet që mbartin këngët e tyre. Unë merrem dy vjet me një album, derisa sigurohem që ato këngë kanë një mesazh, thonë diçka. Nuk e di se kur do ta kuptojmë që edhe Madonna, Rihanna apo Beyonce nuk janë rastësisht aty në majë, por çdo grim, çdo veshje, çdo koreograf  e mbart një mesazh". Dhe nëse mesazhi nuk ishte shumë komercial për shtëpitë diskografike, ajo preferonte më mirë t’i financonte vetë videoklipet e saj. Por edhe kështu, duke ruajtur pavarësinë, ajo rriste famën, aq sa në vitin 2005 u bë këngëtarja e parë dhe e vetme shqiptare që, nga shitjet e albumit “From the beginning”, përfitoi 100.000 dollarë. Një shumë rekord ende e paarritshme nga ndonjë artist tjetër shqiptar. 

"Kam nostalgji për ato kohë kur nuk komentoheshin pantallonat deri në detajin e fundit”. Për t’u bindur më shumë që Adelina nuk ishte pre e marketingut, duhet të kthehemi mbrapa në historinë e saj familjare. Nëna e Adelinës, Mona, në vitet ‘70, lyente flokët me dy ngjyra, madje – siç tregon Adelina – as gjyshen nuk e ka parë ndonjëherë të veshë një fund poshtë gjurit. Kohët e fundit, këngëtarja, duke qeshur, shton se familja “është moderuar, kanë bërë të gjithë tatuazhe” dhe ndërsa zhvillonim këtë intervistë, Zanfina, motra e vogël, e merr në telefon dhe i thotë se kishte rruar gjysmën e kokës. "Eksperimentoja pa fund, çfarë më shihte syri doja ta provoja të paktën 2 muaj”: pantallona lëkure dhe kambale, rroba banje çiklamin dhe gërsheta të stilit reggae. Kur ishte e vogël, përpiqej të dilte sa më mirë në shkollë (vetëm që prindërit ta linin të luante futboll dhe basketboll), më pas në shkollë të mesme (Adelina studionte piano në shkollën e muzikës) provoi fazën e punk-ut, qethi flokët dhe për 2 vite nuk donte t'i rriste ato. Vinte paramanda në vesh, madje kishte ditë që shkonte në shkollë me flokë në ngjyra nga më të çuditshmet ose me fytyrë të lyer në ngjyrë bronzi. Më pas kaloi në fazën e rap-it dhe “Run DMC”, derisa njohu Nirvana-t dhe "Smells like teen spirit" u bë himni i adoleshencës së saj. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Adelina kishte përparësi mbi shoqet se udhëtonte shpesh dhe ishte e para të sillte veshjet më trendy të perëndimit. "Kam qenë pro liberalizimit, demokratizimit, në kohën kur njerëzit ankoheshin se nuk ndiheshin të lirë. Veshjet e mia ishin një mënyrë propagande për lirinë dhe jovulgaritetin. Mundohesha të më shihnin më shumë për mesazhin që përcillja". E pamundur të evitohej një trup i bukur dhe i gjatë, sytë shprehës dhe buzët e trasha sensuale, për format e të cilave femrat sot harxhojnë miliona në doktorë estetikë. 

Adelina nuk mund t’i shpëtonte emërtimit “sex symbol”. "Në shkollë të mesme detyrohesha të mbuloja buzët me duar dhe vishja t-shirt-e dy numra më të mëdhenj që të mos bija në sy". Përpjekje e shkuar dëm, se jo vetëm që ra në sy, por Adelina u përzgjodh “Miss Kosovarja” më 1997 dhe përfaqësoi e para Shqipërinë në “Miss Globe International” në po këtë vit. Edhe mund të futej në dhjetëshe nëse nuk do tundohej sërish të shprehte atë që kishte në mendje, nëse përpara qindra mijëra teleshikuesve nga e gjithë bota nuk do të deklaronte: "Përfaqësoj Shqipërinë dhe shtetin e Kosovës" (Kosova atëherë konsiderohej një provincë e Serbisë). Një vit më pas do të nisnin bombardimet e NATO-s dhe vendi do të fitonte pavarësinë 9 vite më vonë. 

Por ajo duhej ta bënte atë deklaratë, sepse kështu ishte gatuar, ashtu siç shpesh do të lëshonte me këngë ose në intervista deklarata politike pro ideve të Ibrahim Rugovës, për të cilin flet me të njëjtin pasion edhe sot e kësaj dite. Rugova nuk shkonte në asnjë tubim pa Adelinën, madje e quante si shembullin më të mirë të demokratizimit të rinisë kosovare. Popullaritetin e kishin njësoj. Të dy, me mënyrat e tyre, promovonin lirinë. "Një herë jam ndier keq, sepse presidenti, që është idhulli im, po mbante fjalim dhe unë kisha ftohtë, ndaj duke kërkuar mamin t'i merrja xhaketën, ngjitem pa dashje në skenë dhe turma brohoret. Rugova ndërpret fjalimin”. Por Rugova e mirëkuptoi, ashtu siç e toleronte shpesh kur këngëtarja, në tubime serioze, ku ekzistonte kodi i pashkruar i kostumit, vishte një korse brenda xhaketës. "Ndoshta sepse ishim të dy Shigjetarë në horoskop, ndaj merreshim vesh aq mirë”, kërkon ta thjeshtëzojë marrëdhënien e saj me Rugovën, që në fakt mund të konsiderohet fare mirë si marrëdhënia mes Bacës dhe Bijës së Kosovës. Aq shumë identifikohej Adelina me Rugovën, sa shpesh ndiente edhe sulmet e oponentëve politikë mbi krye. "Nuk sulmonin dot Rugovën dhe ia nxirrnin të gjitha Adelinës". Dhe prapë falënderon shenjën e saj të Shigjetarit, që sipas astrologjisë është “shenjë me fat, se me tërë ato peripeci që kam kaluar, jam e lumtur që jam këtu dhe kështu si jam", tregon ajo. Artistja mund të jetë nga të paktët 30-vjeçarë të famshëm në Shqipëri e Kosovë që biografinë e saj, deri në këtë pikë të jetës, do ta kishte një best-seller me trashësinë e “Ana Kareninës”. Ka edhe shumë histori për të cilat ajo hesht, ashtu siç nuk do të flasë më për historinë e trishtë të humbjes së ish-të dashurit të saj, Triumf Rizës, e lodhur dhe e ofenduar nga mënyra se si mediat e interpretuan. A ka mundur Adelina të jetë e fortë çdo ditë përballë famës? "Ka pasur kohë kur më lodhte e gjithë kjo vëmendje, doja të zhdukesha. Dikur, kur nuk e përballoja më epitetin ‘sex symbol’, bëja videoklipe ku e fshihja fare fytyrën time, ndërsa më vonë vendosa të merrja pushim nga skena. Siç ndodhi në vitin 2006-2007. Isha e lodhur shpirtërisht dhe fizikisht, sëmuresha shpesh nga ftohje në mushkëri, ndërsa mendërisht ikja nga realiteti. Gjatë atij pushimi, mësova të vlerësoja gjërat e vogla, të cilat pa dashje i kisha lënë pas dore". 

Adelina të flet me çiltërsinë e një adoleshenteje; kur përmend emra apo histori mes njerëzish, nis dhe i imiton më mirë se një aktore komike. Biseda jonë ndërpritet me dhjetëra herë nga tema të tjera jashtë temës kryesore dhe ajo mund të flasë pafund. Nuk është bukuroshja e zakonshme dhe naive, aspak. Madje ka sjelljen tipike të dikujt që i është dashur të luftojë më shumë me intelektin në mungesë të pamjes. Vetëm se ajo i ka të dyja dhe të ndërthurura aq perfekt! "Nuk vetëkënaqem kurrë me faktin se jam këngëtare dhe mjafton të kem para të blej atë apo këtë gjë. Dua të mësoj. Për shembull, një herë u friksova me të gjitha librat që shpjegonin psikologjinë e masave, sepse doja të dija se kujt po i këndoja, të kuptoja turmën që kisha përpara meje. Kam mësuar shumë edhe nga udhëtimet në botë apo nga vizitat në muze. Vetedukohesha për etikën: si të haja, si të qëndroja drejt, si të sillesha në situata të ndryshme". Çfarë dukej një përpjekje e sinqertë drejt perfeksionimit shpirtëror, në sytë e mediave dhe njerëzve të tjerë ishte një tentativë për t'u sjellë si divë. "Nuk mund t'ua shpjegoja atyre që kisha përballë se të rrish drejt kur ha nuk është mendjemadhësi, por sepse ushqimi tretet më mirë. Ndodhte që kompleksohesha aq shumë, sa më vinte turp të ndaja njohuritë e mia apo eksperiencat e mia nga udhëtime nëpër botë me të tjerë që nuk më kuptonin. Ndaj shumë gjëra i bëja në shtëpi”. Dhe të mendosh që femra më e guximshme e showbiz-it vetëm dy vitet e fundit e kuptoi se gjithçka çfarë kishte bërë në jetë nuk kishte qenë gabim. "Kam pasur luhatje të vetëbesimit. 

Në një periudhë, pas vitit 2000, fillova t'i them vetes: ‘Ndoshta ata kanë të drejtë, ndoshta kjo që po bëj është gabim dhe unë duhet të primitivizohem si ata. Më vinte turp për disa videoklipe e veshje, madje u bëra aq konservatore, sa vetë familja nisi të tallej me mua e të më quante ‘parahistorikja e shtëpisë’”. Ata që e kritikonin ishin ata me kujtesë të shkurtër apo injorantë ndaj karrierës së saj. Siç ndodhi gjatë performancës tek “Kënga Magjike 2009”. Veshja me body, geta dhe çizme mbi gju, nuk përbënte asnjë çudi për ata që e kanë parë edhe kur ka dalë me zhartierë disa vite më parë e aq më tepër kur ka dalë me të brendshme në1996-ën, në Festivalin e Fundvitit. Pavarësisht kësaj, ajo u quajt si “kopjace” e stilit të Lady Gaga-s. "U jap të drejtë të kritikojnë perfomancën. Unë koncerteve u përkushtohem shumë, madje edhe në një fshat të Kosovës, por ardhja ime në Shqipëri u vendos shumë shpejt dhe nuk isha e përgatitur. Megjithatë, nuk u jap të drejtë të më krahasojnë me dikë tjetër, që fatmirësisht, për hir të së vërtetës, ka dalë në skenë shumë më vonë se unë". Ajo qesh, ashtu siç qeshte të nesërmen e “Këngës Magjike”, kur Arditi shprehej me habi se si një artiste e vërtetë si Adelina mund të votohej ose me pikë maksimale, ose me 0 nga kolegët. Një analogji me jetën e saj. 

“E kam kuptuar që në momentin e parë kur hyra në showbiz se nuk doja të isha një këngëtare e zakonshme. Dua të mos harrohem. Nuk dua të jem mesatare, do të bëj atë që kam dëshirë dhe njerëzit ose e urrejnë, ose e pëlqejnë jashtë mase”.Por pëlqimi duket se është më i madh. Nëse heqim ata 5-6 gazetarë që e përndjekin, sepse me Adelinën bëhet lajm dhe shiten gazeta, mijëra të tjerë e duan. Sot ajo është artistja më e paguar shqiptare, publiku i saj ka pasur raste që ka arritur në 15.000 vetë. Ndërsa në festën me rastin e Pavarësisë së Kosovës, ekzaltimi dhe brohoritjet disa minutëshe të qindra-mijëra njerëzve në shesh kurajo u ngjit në skenë, e bënë të qajë dhe të kuptojë se pavarësisht dhjetëra këngëtarëve që kanë dalë pas saj, pavarësisht sulmeve të medias, ajo nuk i kishte humbur fansat. “Them se e kam merituar suksesin. Punoj shumë, punoj tej mase për të bërë një show të vërtetë. Përpara disa kohësh, në një koncert, bëra 10 performanca tëndryshme. Dua të performoj flamengo, bëj kurs, dua të bëj një pjesë me belly-dancing, marr mësime për muaj të tërë, madje edhe për vallen shqiptare bëj prova. Çdo gjë e mendoj deri në detaje”. Me 11 albume në CV-në e saj, me koncerte të rezervuara deri në 2011-ën dhe me numrin më të madh të klikimeve në internet nga artistët shqiptarë (rreth 3 milionë), Adelina në çdo moment mund të tërhiqet nga vëmendja, sepse tashmë e ka të vulosur emrin e saj ndër emrat protagonistë të historisë së Kosovës. Por ajo nuk është gati: “Kam edhe pak punë këtu dhe, kur të tërhiqem, do të krijoj familjen time. Dua shumë fëmijë”. A thua të jetë ajo një ditë nëna normale me këmishë Burberry dhe këpucë të sheshta Tod’s?! E ç’rëndësi ka kjo?! Edhe kështu siç është, do të ishte një ideale. Për çdo mbrëmje do të kishte gati nga një rrëfim për një vajzë të bukur dhe të guximshme, që jo vetëm e provoi, por e jetoi lirinë, kohë përpara se të çliroheshim të gjithë ne. Dhe ndoshta vetëm atëherë do t’i përsëritej ndjesia që provoi gjatë photo-shoot-it: “Mes atyre që nuk më duan dhe mëparagjykojnë, gjithmonë do të jetë dikush që më pranon dhe më shtyn t’i qëndroj besnike Adelinës”.

MOS I HUMBISNI