Alketa të vendos kushte. “Nuk dua të publikohet asnjë foto e vajzës sime”, “ Nuk dua të përmendet bashkëshorti”, “Nuk dua të vishem shumë ekstravagante në foto” më thotë ajo. Jemi ulur në një cep pranë pishinës së jashtme të “Sheratonit”. Ajo ka veshur një komplet sportiv të Adidas. Sapo ka përfunduar më shpejt se ditët e tjerat palestrën në qendrën e fitnesit të hotelit. Në orën 12:00 i duhet të marrë të bijën nga kopshti. Në mes të këtij nxitimi, më duhet të mendoj edhe për kushtet e saj. Aq më tepër, këto kushte m’i kërkon mua, me të cilën ka bashkëpunuar ngushtë për dy vjet në programin “Më shumë dashuri”! Nëse nuk do ta njihja, ndoshta do të irritohesha. Si mund të frymëzohesh nga një njeri kaq i rezervuar, që kërkon të flasë vetëm për punën e saj? Kush xhanëm dëshiron të lexojë vetëm diskutime profesionale? Por ja që e njoh, dhe e kam kuptuar me kohë, se Alketa Vejsiu është nga të paktët njerëz në këtë industri, që ka ditur gjithmonë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet për të. E ka ndërtuar aq mirë imazhin e saj, sa sot e kësaj dite, (përveç rezervave personale që dikush mund të ketë për mënyrën se si ajo prezanton) është e pamundur të flasësh keq për të. Apo, thjesht ta përflasësh. Sepse ajo vetë ka qenë gjithmonë gojëkyçur dhe i ka qëndruar besnike parimit të ndarjes së jetës profesionale nga privatja, sa edhe unë, pavarësisht nga “gricja e brendshme profesionale” për të treguar ato që mund të dijë më shumë për jetën e saj private, kam vendosur ta respektoj. Në fund të fundit, të kesh Alketën në kopertinën e një reviste, përbën lajm. Sepse ajo del aq rrallë dhe prezenca e saj ndjell aq shumë kuriozitet. Dhe pastaj, kur e sheh se sa shumë bashkëpunon për të realizuar seancën fotografike, se si kërkon të diskutojmë konceptin, bashkëpunon për gjetjen e vendit të fotografive, punon dhe pozon si një modele e vërtetë për 6 orë rradhaz, pa u shfryrë dhe duke respektuar fotografin, të duket gati e pamoralshme që të veprosh ndryshe. “Unë u jam larguar gjithmonë mediave dhe syve kureshtarë, sepse nuk shoh ndonjë vlerë të thërras fotografët kur jam me pushime, apo kur kam ndonjë event privat. Nuk më sjell asnjë dobi, asnjë perfitim, zbulimi i detajeve nga jeta ime private. ” Më thotë ajo.
E kapët? Ajo përmendi fjalën “përfitim”. Në jetën profesionale të Alketës asgjë nuk ka qëlluar “padashje”. Që kur 14 vjeç vuri këmbën në studion e radios “Top Albania”, e dinte se çfarë donte. Në rradhë të parë, donte të punonte sipas kushteve të saj. Edhe nëse kjo do të thoshte sakrificë e dyfishtë. “Sa herë përballem me pyetjen, çfarë ke bërë për suksesin tënd, kujtoj një ditë kur e mbuluar me shall në grykë, me temperaturë 39, në majë të biçikletës, në ditë me shi, në luftë me prindërit, shkoja për të prezantuar programin e mëngjesit në “Top Albania”. Dilja edhe atëherë kur në Shqipëri ishte shpalluar gjendje e jashtëzakonshme dhe plumbat të fluturonin mbi kokë” rrëfen ajo. Pasion i çmendur? Pasion po, por jo i shfrenuar. Përpara se të nisej në radio, kishte përsëritur mësimet që në orën 5:30 të mëngjesit, që të mos skuqej nga turpi në shkollë. Dhe arriti të mbulonte shpenzimet e veta nga rroga e radios si edhe të përfundonte gjimnazin me mesatare të lartë, duke i bindur prindërit e saj se ishte e aftë t’i menaxhonte të dyja, edhe shkollën edhe radion.
Kur ishte 17 vjeç, e pa përfitimin diku tjetër. Tek Vera Grabocka. Asokohe, kur “Alketa e Top Albanias” mund të ishte togfjalëshi më i famshëm në ato pak media elektronike që ekzistonin, ajo vendosi të braktisë atë famë dhe të punojë me Verën në një terren tërësisht të panjohur për të. Një largim që nuk u prit mirë nga Dritan Hoxha dhe që krijoi një ftohje mes dy prej njerëzve më të fuqishëm dhe më kreativë të medias; atij dhe Grabockës. Dhe për kë? Për këtë adoloshente imcake të talentuar por pa ndonjë bukuri fizike të dallueshme, që fliste shpejt, nuk kishte turp, kishte një ambicie të jashtëzakonshme dhe e shihte veten prezantuese në skena të mëdha. Donte të ishte më e mira. Të njëjtën gjë besonin për Alketën, Vera dhe Tani. Andaj “luftonin” se kush e kush ta mbante për vete. “Unë të dyve iu detyrohem shumë. Më kujtohet kur Tani erdhi dhe më përqafoi pas një programi në “Disco Lancio”, kur u lançua për herë të parë kënga “Big Girl” që unë e kisha regjistruar nga baza instrumentale e këngës së Emilias. Madje, ai urdhëroi që të mos transmetohej më varianti i Emilias. Më ka ngelur peng që nuk arrita t’i them dot “faleminderit” edhe një herë në sy me shumë mirënjohje. Nuk e mohoj dot kurrë që unë kam lindur aty. Më pas, Vera Grabocka besoi tek unë. Kujtoj se një ditë më tha: Ti do të jesh Rafaella Carra e Shqipërisë. Më shumë se kaq madje.
Jo rrallë Verën (e cila njihet për aftësinë e jashtëzakonshme të spikatjes së talenteve në spektakël) e dëgjon të thotë për Alketën se “një prezantuese e tillë, njëherë në 20 vjet i vjen Shqipërisë. ”Kimia midis të dyjave ishte e pamohueshme. Por besimi dhe talenti nuk mjaftonin; Alketës i duhej të punonte shumë. “Njëherë Vera më nxirrte në skenë si prezantuese, më pas në një spektakël tjetër punoja si asistente e jashtme. Në një edicion të festivalit “Kënga Magjike” u ngarkova të merresha me publicitetin, dhe arrita të shisja brenda një kohe rekord të gjithë vendet e Pallatit të Kongreseve. E mora si sfidë, për t’i treguar Verës se unë çdo punë e bëja nëse ja vija qëllim vetes, por vendin tim e kisha në skenë.
Në “periudhën e Verës”, Alketa filloi të përgatitej fizikisht për hyrjen e saj në skena të mëdha si prezantuese. Strategjia ishte “të pastrohej” nga adoloshentja radiofonike që fliste me nxitim gjysëm anglisht-gjysëm shqip për muzikën dhe shpenzonte energji të panevojshme duke rendur nëpër skenë. Ajo duhej të “peshonte”. Që do të thoshte se ajo duhej të futej në këpucët me taka të një gruaje të hijshme dhe elegante. Shndërrimi nisi me një ndërhyrje plastike në hundë, që i ndryshoi në mënyrë të dukshme strukturën e fytyrës, aq sa ende sot e kësaj dite, njerëzit e kanë të vështirë të besojnë se Alketa ka bërë vetëm një ndërhyrje në pamjen e saj. Menjëherë hoqi syzet; nga zvogëlimi i hundës i dolën në pah buzët e saj natyrale mishtore dhe lëkura perfekte. Në sajë të këshillimit me Verën dhe artisten e njohur të make-up-it Lili, zgjati flokët dhe i qëndroi besnike ngjyrës bjonde që i jep më shumë shkëlqim dhe hijeshi në skenë. Ndërsa trupin e imët, me këmbët e gjata dhe shpatullat e drejta e kishte të tërin të sajën, vetëm se tashmë nuk e fshihte nën pantallona shumëngjyrëshe dhe atlete, por e nxirrte në pah nëpërmjet fustaneve të mbrëmjes, takave të larta, dhe lëvizjeve elegante të kontrolluara që mësoi të bënte në skenë.
“Ndryshimin tim e solli siguria por edhe pjekja. Kur je e lumtur me veten tënde, siç më ndodhi pas ndërhyrjes plastike, fiton më shumë siguri dhe këtë e rrezaton. Mësova gradualisht nëpërmjet grimit, mënyrës së qëndrimit, ecjes në skenë se si të theksoja pjesët e mira të trupit dhe të fshihja mirë ato që nuk më pëlqenin. Përshembull veshët. “Qesh ajo dhe më tregon një stil ku flokët i lidh fort pas veshëve, në mënyrë që ato të duken më te vogla dhe më të ngjeshura pas kokës. Por diskutimet në media ndaj pamjes së saj, u nxitën më shumë nga fakti që aktualisht ajo është një nga prezantueset më të hijshme, më me klas të ekraneve shqiptare, gati perfekte në pamjen e saj, aq sa jo rrallë në revista e kanë krahasuar me një kukull Barbi.
Tashmë, me një pamje dhe emër të konsoliduar, pas një sërë spektaklesh me Verën dhe midis, edhe me vëllezërit Laço (Gjeniu i Vogël 1, Këngët e Shekullit), Alketës sërish i ka ardhur koha t’i bjerë lapsit. Këtë rradhë, për një spektakël në “Vizion Plus”, një televizion që nuk e ka shkelur më parë dhe të bashkëpunojë për herë të parë me producenten e të vetmeve “musicals” në Shqipëri, Holta Dulaku.
Nga e kuptoi Alketa që kjo ofertë vlente? E para, siç e pranon vetë, ajo tek Holta kishte vlerësuar prej kohësh guximin, dhe suksesin e këtij guximi, kur producentja vendosi të vërë në skenë një seri shfaqjesh “musical” që çuan në shitjen rekord të të gjithë biletave për të gjitha shfaqjet në TKOB. E dyta, “Dancing with Stars” është një investim serioz, një patentë ndërkombëtare, ndër më të suksesshmet dhe në këtë rast, Alketa do të ketë mundësi të punojë edhe me autorë të huaj. Në këtë spektakël, ajo do të jetë ylli kryesor midis emrash të njohur që do të konkurrojnë si kërcimtarë apo do të jenë në juri. Krahas prezantimit, ajo do të kërcejë dhe do të këndojë, pra do të ketë mundësi, të shfaqë të gjithë dimensionet e saj si prezantuese. Kur e peshoi me ofertat e tjera që i erdhën për këtë sezon, gjykoi se kjo ishte më e duhura për të. “Unë kam ditur të menaxhojë vetveten. Më kanë ndihmuar konsulentë juridikë dhe artistikë në Itali dhe Shqipëri, universiteti që kam mbaruar në Administrim- Biznesi, lexoj libra profesionalë dhe eci me një strategji në mendje. Asnjëherë nuk hyj në rrugë që nuk e di se ku do të më çojë.
“Madje Alketa e di se çfarë do të ndodhë edhe kur një ditë ofertat lukrative (Ajo është aktualisht ndër prezantuesit më të paguar në treg) të mbarojnë. “Do të merrem me biznes, ashtu si aktualisht merrem me biznesin e familjes. Them se talentin tim e kam në atë fushë. Mbas 55 vjetësh, kur të jetë diversifikuar portofoli im, do të të jap një intervistë edhe më interesante. "Mbas 55 vjetësh? Prisni kur të ndodhë! Biznesin nuk e sheh si rrugë shpëtimi por një pjesë të rëndësishme të jetës së saj. “Unë e konsideroj veten një markë. Arsyeja se përse kam preferuar të mos varem nga asnjë kompani mediatike, është se unë preferoj të jem menaxhere e vetes dhe të shes emrin dhe imazhin tim aty ku dua. Më pëlqen të qëndroj në këtë mënyrë, sesa të varem nga rroga e një televizioni e të bëj gjëra të cilat mund të mos më përshtaten. “Brand-name” –t të quajtur Alketa Vejsiu, ajo i vendos edhe një çmim. Ju kujtohet kur u diskutua se artistja mori një shumë marramëndëse si imazhi i AMC-së apo i Bullit? Shifrat janë ende një thashethem, por Alketa nuk e mohon se e shet shtrenjtë emrin e saj. Ndaj preferon të negociojë mirë rrugën ku do të shkelë më pas. Ashtu siç e di mirë që pjesë e suksesit është të mos mbyllë asnjë rrugë ku ka shkelur më parë. Për shembull, njerëzit do të mendojnë se u shkëput nga Vera, tashmë që punon në Vizion Plus, por Alketa siguron se filli që i bashkon të dyja nuk është aq delikat. Madje kur bëhet fjalë për këshilla profesionale, dy janë njerëzit që ajo dëgjon më shumë nga të tjerë; bashkëshortin dhe Verën.
“Alketa është një sfungjer që thith vetëm të mirat” tregon regjisorja e madhe. Gjithmonë mban blloqe me vete, ku krahas shënimeve të punës, shkruan shprehje që i pëlqen e i dëgjon nga të tjerë, tituj librash “must-read”, sugjerime për këngë apo veshje. Nuk i shpëton asgjë. As të përshëndesë dhe as të ruajë marrëdhëniet e mira me të gjithë. Në “Rogner”, dy sanitare, hynë në dhomën ku Alketa po grimohej dhe të entuziazmuara e falenderuan për sjelljen e saj dashamirëse ndaj tyre. Është shumë e kujdesshme në marrëdhëniet njerëzore, madje me krenari thotë se deri tani nuk ka bërë asnjë armik. “Është si Banka e Favoreve të Coehlos. Ti depoziton të mira, dhe ke gjithmonë të drejtë të tërheqësh të mira. Vetëm se në këtë rast nuk bëhet fjalë për marrëdhënie interesi, unë jap ti më jep. Vetë Universi t’i rikthen gjërat në një formë apo në një tjetër. Mua më ka ecur kjo filozofi.”
Alketa të flet me pjekurinë e një gruaje në moshë. Stili i saj i jetës nuk i përngjan asnjë 24-vjeçareje tjetër të famshme që njoh. Nuk ka shoqëri të zgjeruar, madje përmend vetëm tre shoqe të ngushta, Valbona Zenelin, shoqen e fëmijërisë Elona, dhe Lidën, administratoren e “Dermolife Center”. Flet për libra spiritualë, udhëtime në bukuritë natyrore të Toskanës, rëndësinë e ushqimeve bio, fundjavët me familjen dhe vajzën, apo pushimet me bashkëshortin në vende të qeta dhe me pak njerëz. Për Alketën, ky stil nuk vjen si pasojë e ndonjë lodhjeje, por e një zgjedhjeje. Siç zgjedh me kujdes ofertat profesionale, ashtu zgjodhi edhe këtë jetë sepse i pëlqente e tillë. Donte diçka ndryshe nga fëmijëria e saj, kur iu desh të përballej me divorcin e prindërve dhe pamundësitë ekonomike të familjes për të plotësuar të gjithë dëshirat. Atëherë mori mësimin e parë mbi rëndësinë e familjes. Fatmirësisht u rrit pranë njerëzve ambiciozë që dinin të harmonizonin jetën profesionale dhe private, dhe më pas kur gjeti njeriun e duhur me të cilin do të krijonte familje, kërkoi të bëhej nëna perfekte për vajzën e saj Nikol. “Harmonia dhe dashuria të mbajnë gjallë. Duhe të jesh në harmoni me familjen, me miqtë, kolegët, me trupin dhe mendjen tënde. Unë jetën time e kam ndërtuar në funksion të qetësisë shpirtërore, më shumë se në funksion të famës.
”Dhe meqë ra fjala tek vajza e saj 3-vjeçare Nikol, pa e kuptuar kishte shkuar ora që ajo ta merrte në kopësht. Si për ironi të fatit, për bukuroshen e vogël me sy të mëdhenj blu si të të atit, ajo nuk ka asnjë strategji “ Dua që ajo të ketë shëndet, të jetë e aftë që t’i bëj vetë zgjedhjet, por përgjithësisht dua që të rritet e lirë. Unë jam udhërrëfyesja e saj, dhe kurrsesi nuk do t’i diktoja diçka që nuk do ta pëlqente. ”Alketa thotë se “Nikin” e saj do ta rrisë me ato vlera që ka i ka përvetësuar që në vogëli. “Dua që çdo gjë rreth meje të ketë sa më shumë dashuri dhe harmoni. Në fund të fundit, kjo është arritja kryesore në jetë”. Andaj e di se edhe kur refuzon për të disatën herë të të flasë për jetën e saj private, në vend që të të bëj “armike”, të jep një mundësi ta duash në një mënyrë tjetër.