Cover Story

Magjepsja e Xhemit

1 Korrik 2009

Magjepsja e Xhemit

A janë arrogantë? A janë të dashur? A gënjejnë? Nga ai takim varet "fati i imazhit të vip-it". Gazetari i famshëm i kronikave rozë, Alfonso Signorini u pyet njëherë se përse nuk fliste asnjëherë keq për Valeria Marinin. "Sepse kur kisha nënën sëmurë, ajo shkoi pa më thënë në Romë dhe e vizitoi". Një tjetër gazetar amerikan, Alex Feyn, i cili shkruan shpesh për revistat e mëdha si "Bazaar" apo "Vogue", shprehet se "të famshmit mendojnë se për të dalë mirë në një intervistë mjaftojnë fama, elokuenca dhe aftësia për t'iu përgjigjur pyetjeve siç duhet. Por është më e thjeshtë se kaq. Do të mjaftonte vetëm një sjellje e mirë me gazetarin" 

E bëra këtë parantezë për të kuptuar 26-vjeçaren Xhemi Shehu. Prezantuesen e bukur të "E diella" e njihja prej kohësh, atëherë kur punonim së bashku në të njëjtin televizion. E takoja rrallë, dhe herën e fundit që e takova rastësisht në një kafe, kujtoj se i kërkova të ishte në kopertinën e "Anabel", edhe pse revista nuk ekzistonte ende. 

E dija se ç'formë do të kishte, por diskutimet ishin ende në tavolinë. Ajo më tha "dakord" dhe kishte çdo të drejtë legjitime që ta përmbyste atë "po-në" një muaj më vonë, kur "Anabel" ende nuk po vinte në jetë, kur ne nuk ishim takuar më që atëherë në kafe dhe kur revista të tjera me emër në treg po e kërkonin për kopertinë. Por një ditë prilli, më vjen një sms prej Xhemit ku shkruhej: "Më kërkuan dhe i thashë jo, se e kam lënë me ty. Ti do ta hapësh revistën apo jo?" Dhe unë si Signorini e qindra gazetarë të tjerë,  iu dorëzova njerëzores. 

Pashë përtej famës së Xhemit, evitova çdo lloj dëshire të brendshme gazetareske ( shpeshherë të pajustifikuar) për ta ngacmuar, ironizuar, hulumtuar dhe vlerësova virtytin e saj. Nëse ajo ishte e aftë të mbante një premtim, pavarësisht se ky premtim mund t'i kushtonte kopertina të tjera, atëherë kuptova se nuk ishte nevoja të shkruaja më shumë. Me një gjest të vogël ajo kishte shkruar vetë portretin e saj. 

Ndaj më vonë nuk m'u duk çudi (për famën dhe bukurinë e saj) që ajo të ishte aq korrekte në oraret e takimeve për gri min dhe inter vistën; të ishte aq e papërtuar dhe entuziaste në seancën e gjatë të fotove në një drekë të nxehtë vere, dhe në fund gjatë ditëve post-intervistës, nuk u habita që edhe pse shkëmbyem telefonata të tjera apo komente humori në facebook, ajo të mos ndërhynte qoftë edhe një herë me ndonjë kërkesë (anash e anash) për të parë shkrimin, fotot apo për të ditur titullin, siç kërkojnë rëndom vip-at. Vetëm me sjelljen e saj natyrale (pa u sforcuar të na hynte në zemër), Xhemi e lehtësoi shumë punën për mua dhe anëtarët e tjerë të stafit. "Ja, vetëm kaq mjafton për një shkrim dashamirës" do të konkludonte Alex Feyn. 

Jeta sipas Xhemit

Çfarë s’të pëlqen më shumë tek vetja? Do të doja të isha pak më e gjatë. 
Po ti mirë je, të paktën më e gjatë se mua... unë jam 164cm... Po mendoj se kur je më e gjatë ke më shumë mundësi në zgjedhjen e rrobave. Po të shohësh, vajzave apo grave të gjata, iu shkojnë si veshjet e gjata ashtu edhe ato të shkurtrat. Një tjetër përparësi që ato kanë është se kur shëndoshen, prapë duken mirë. 

Më duket se po përpiqesh t’i gjesh vetes një difekt. Kujdesesh shumë për veten tënde?
Nuk jam e fiksuar të them të drejtën. Ka periudha që jam shumë e rregullt me palestrën, ka periudha që nuk shkoj pothuajse fare. Ja këto ditë nisa palestrën pas katër muajve pushim. 

Tek kjo “moskokëçarje” përfshin edhe ushqimin, apo je më e kujdesshme tek dieta?
Dietat nuk i kam menduar kurrë, dhe as jam përpjekur të kontrolloj ushqimin. Ka ditë që harroj të ha fare, ka ditë që ha një akullore, pastaj një çokollatë, dhe pastaj prapë një akullore... 

Aha, ti je nga ato që ne “urrejmë” për atë metabolizmin e shkëlqyer...
Jo, dhe aq të shkëlqyer nuk e kam; ndonjëherë më tradhëton dhe unë e gjej veten të kem shtuar disa kile. Por fatmirësisht i humb lehtë. 

Më fal kur i shtoni këto kile se ne s’ju kemi parë ndonjëherë të shëndoshë?
(Qesh) Mos më shih tani. Këto kohë jemi duke risistemuar shtëpinë e prindërve dhe më është çoroditur regjimi i ushqimit. Ka raste që kam ngrënë edhe njëherë në ditë. Rashë menjëherë. 

Të ka ndryshuar trupi me kalimin e kohës?
Duke qënë se dikur merresha shumë me palestër, them se lënia pas dore ka ndikimet e veta në lëkurë. E ke parasysh vetë... 

Je e fiksuar pas perfeksionit? 
Jo fare. Nuk jam nga ato që nuk i zë gjumi se i ra pak manikyri apo s’dalin dot nga shtëpia pa hequr vetullat. Dje pas shumë kohësh isha tek salloni ku shkoj vazhdimisht, dhe i thashë “Më bëni njeri!” se kisha kohë që nuk isha marrë me veten. 

Aha, ti po më thua se je kjo që je aktualisht vetëm falë geneve, pa asnjë përpjekje fizike, pa shumë orë në sallone dhe pa mbajtur ndonjë dietë? 
Tani për tani, duke shtuar pak tualet dhe flokë të rregullta pasditeve, kjo jam. Më vure në siklet me këto pyetje...

Jo përkundrazi ne u vumë në siklet. Një mesazh nga të gjithë lexueset e “Anabel”: Të urrejmë!
(Qesh) 

Këtë vit tek “E Diell”, të pamë me një stil të ri, me fustane të gjëra me lule, me prerje romantike ndryshe nga veshjet e ngushta që të shihnim dikur. Ke ndryshuar stil? 
Unë stil kam ndryshuar, por përsa i përket ekranit nuk jam unë që vendos se çfarë do të vesh, por janë zgjedhje nga profesionistë. Disa ngjyra apo prerje që mund të më pëlqejnë mua, nuk duken mirë në kamera. 

Të ka ndodhur të refuzosh ndonjë veshje? 
Asnjëherë. Nuk është se shqetësohem shumë. Përqëndrohem më shumë te ajo çfarë kam për të thënë. 

Po në jetën e përditshme, të ka ndryshuar stili? 
Në të kaluarën besoj se guxoja pak më shumë me veshjet, por me kalimin e kohës, kërkon gjëra të reja dhe rrjedhimisht vishesh më ndryshe. Sidoqoftë, ajo që s’ka ndryshuar kurrë tek unë, është përmbajtja. Gjithmonë jam munduar që të ruaj klasin, pa e ekzagjeruar me prerjet, materialet apo ngjyrat. 

Ndryshonte shumë stili yt nga studio e Fiksit në rrugë? E kam fjalën për kombinimet fund i shkurtër, bluza të shkurtra?
Ndryshonte totalisht. Ato që vishja në studio ngelnin në studio. Në asnjë mënyrë puna ime në ekran nuk ka diktuar stilin tim qoftë të veshjes qoftë të jetesës. 

Ti do të thuash që as fama nuk ka diktuar në veshjen tënde jashtë ekranit? 
Nuk është çështja se unë vishem për famën. Unë mendoj se njeriu jeton në një komunitet ku ekzistojnë disa rregulla të pashkruara, ku ka një etikë të paraqitjes, ku vajzat që veshin bluza shumë të shkurtra me funde shumë të shkurtra dhe taka shihen ndryshe nga një vajzë që vesh fund të gjatë, këmishë të mbërthyer dhe ka mbështjellë kokën me shami. Veshja është një komunikim në vetvete,është prezantimi i parë me të tjerët. Ndaj mund të them se unë vishem sipas stilit tim, por duke iu përmbajtur disa normave. 

Vesh të sheshta? 
Nuk e ndaj atleten nga këmba paraditeve, megjthëse kur flas për veshje sportive nuk flas për tuta apo bluza me kapuç. Vishem mirpo thjesht. Tualetin e kam eleminuar pothuajse fare gjatë paradites. 

Cila është gafa më e madhe që ke bërë në stil? 
I leva njëherë flokët shumë bjonde dhe nuk më shkonin fare. I mbajta vetëm disa ditë, por qëlloi që në atë kohë, unë të bëja audicionin për “Portokalli”. I gjithë audicioni u filmua, dhe pamjen time me flokët e frikshme e transmetuan disa herë. Ishte një horror i vërtetë. 

Pa cilin aksesor nuk rri dot? 
Syzet e diellit. I koleksionoj, kam shumë syze dielli, me ngjyra e forma të ndryshme. Gjithsesi zakonisht përfundoj gjithmonë tek një ose dy palë, të cilat i përdor më shpesh. 

Ke stilistë të preferuar? 
Stilistë të preferuar nga televizori kam shumë (qesh), kam Roberto Cavallin, Dolce & Gabanna, Guçin. Kurse në realitet, blej çfarë të më pëlqejë. 

Nuk je nga ato “o firmato o rashë e vdiqa!”  
Edhe po të doja të isha, e dija se përpara se të bleja një fustan 1600 euro, do të më duhej të vdisja, sepse nuk do ta përballoja dot. (qesh)

Po të ishe milionere do të shpenzoje 7000 euro për një çantë “Hermes” që e kanë të gjithë të famshmit e botës?
Po të mos më pëlqente, nuk do të shpenzoja as 2 euro. Unë jam me moton: “Është e bukur ajo që bën për mua”. 

Jemi ende te fantazia e milionerit... Çfarë ekstravagance do t’i lejoje vetes nëse do të kishe 1 milionë dollarë? 
Sa më shumë të kesh aq më shumë kërkon pastaj. Unë do të punoja që t’i bëja 2 milionë dollarë. Me aq para nuk do t’i kurseja vetes asgjë, ashtu siç nuk po i kursej edhe tani që nuk i kam aq lekë. 

Ke frikë nga plakja? 
Më shumë kam frikë nga vdekja. Do të trembesha nëse do të jetoja pa bërë asgjë në këtë jetë. Sigurisht më vjen keq që s’do të jem e re përgjithmonë, por fakti që koha kalon njësoj për të gjithë më ngushëllon. 

Do të bëje Botox­ apo ndërhyrje të tjera kirurgjikale? 
Nuk di të them. Nuk të them dot jo, sepse duhet të mendoj momentin kur do të më ndodhë kjo. 

Po sikur ta shihje se rrezikohej marrëdhënia jote nga femra më të reja, do të bëje ndërhyrje? 
Të ndryshoja për të mbajtur një burrë me zor? Nuk e besoj. Kam dëgjuar raste të tilla. Femrat ndonjëherë nga dëshpërimi mendojnë se po ndryshuan pamje, po u bënë më të bukura, do të rikthejnë dashurinë e partnerit të tyre. Por harrojnë se tradhëtia është më e thellë se kaq. Një lajm i mirë për të gjithë : Edhe Merlin Monronë e kanë tradhëtuar. Edhe Pamela Andersonin. 

Uroj që edhe Anxhelina Zholinë ta kenë tradhëtuar!
Ashtu qoftë! (qesh) 

Meqë ra fjala tek dëshpërimi, çfarë do të ishte maksimumi që ti do të bëje në dëshpërim e sipër? 
Maksimumi? Do shihja filxhanin. 

E sheh shpesh? 
Jam shumë supersticioze si tip. E shoh sa herë më shkrepet. 

Dhe beson çdo gjë që të thonë?
Kur është e mirë po. (qesh) 

Ke frikë nga e ardhmja?  
Ndonjëherë kur jam shumë e lumtur, më kap një frikë se mos kjo lumturi nuk do të zgjasë shumë. Sikur do të prishet nga diçka. Por mundohem të mos e mendoj shumë. 

Aktualisht në ç’fazë je? 
Duke lënë mënjanë stresin e provimeve; them se jam në një fazë të mirë. Nga shkolla jam e kënaqur, aktualisht sapo rinovova kontratën me Dixhitalb për një fushatë të re promocionesh dhe pres të kthehem në studion e “E diellës” sezonin e ri. Mendoj se jam më e qartë për veten, për ato që kam dhe ato që do të kem vitin tjetër. 

Faza e mirë përfshin edhe dashurinë tënde apo jo? Për gati dy vjet po dëgjojmë herë pas here për lidhjen tënde në shtyp...me të njëjtin kuptohet... 
Jam mirë, jam me atë që dua të jem dhe kjo për mua ka rëndësi. 

Po e mendon martesën?  
Përderisa kam kaq kohë që jam në lidhje, do të thotë se si unë, dhe partneri im e kemi seriozisht. Duam të rrimë me njëri-tjetrin, dhe pse jo të ndajmë jetët tona. 

Këtu përfshihen edhe fëmijët besoj... 
Patjetër. Unë jam fëmijë i vetëm, dhe shpeshherë mërzitesha se nuk kisha një motër apo vëlla edhe pse kisha avantazhin të super-përkëdhelesha nga prindërit. Dua të kem një shtëpi plot me fëmijë. 

Do ta sakrifikoje karrierën për familjen? 
Kanë ikur ato kohëra kur femrës i kërkohej të bënte sakrifica të tilla. Besoj se puna që kam dhe oraret që kërkon televizoni më ndihmojnë që t’i menaxhojë të gjitha. 

Do të jetë ajo ditë kulmi i lumturisë për ty? 
Mendoj se kulmi i lumturisë është kur ndihesh e plotësuar dhe e sigurtë në veten tënde, dhe më pas këtë siguri e reflekton tek më të dashurit e tu.