Në parukerinë “Miss Çiljeta” është një rrëmujë e zakonshme për paraditen e një të shtune korriku. E ëma e artistes, Majlinda, e cila ka vite që ka në pronësi një sallon bukurie në rrugën “Fortuzi” po mbaron së krehuri një vajzë italiane, ndërkohë që rreth këmbëve të saj vërtitet Koki, një qen i bardhë labrador, anëtari më i ri i familjes Xhilaga, pas maçokut Pisi dhe terrierit australian (më i përkëdheluri) Bizhu. Çiljeta, e veshur me një fustan të verdhë pambuku të shkurtër është ulur pranë meje dhe flet, ndërsa unë marr shënime në laptop. Herë pas here i hedh Kokit shapkën me një gisht për t’ia tërhequr vëmendjen; kështu ai nuk do të bezdisë klientët në dyqan, edhe pse e ëma i lutet (pa sukses) të bijës ta kthejë qenin në shtëpi, që ndodhet as 50 metra larg parukerisë. “Do të marr një apartament vetëm për Kokin”, - thotë këngëtarja dhe fytyra e saj merr një shprehje gati fëminore. Flokët extension i ka të mbledhura në një topuz të rrëmujshëm, në sytë pa grim dallohen shenjat e një të sapozgjuare, edhe pse ora është gati 12:00. Një natë më parë kishte një koncert në Lezhë dhe u kthye në shtëpi nga ora 4:00 e mëngjesit. Pas disa orësh do të niset sërish për në Prishtinë me avion. Këtë axhendë ka pasur gati çdo ditë, ndaj përveç seancës së fotove të disa ditëve më parë, këto ishin orët e vetme që këngëtarja mund t’ia kushtonte intervistës.
Edhe pse vendi për ta intervistuar është i papërshtatshëm. Sapo kam nisur nga pyetjet, kur brenda hyjnë si të hutuara dy gra. I ka sugjeruar nga një i njohur i përbashkët të vijnë për një krehje dhe lyerje. Ulen përbri nesh. Një grua rreth të 30-tave nis të flasë me të bijën 6-vjeçare në anglisht, ndërsa tjetra, me një trup të imët dhe një prerje gati mashkullore të flokëve, e pyet Çiljetën nëse po priste edhe ajo në radhë. Pyetja e saj mezi kuptohet nga theksi i rëndë grek. Çiljeta i kthen një “jo” të shoqëruar me një buzëqeshje kortezie dhe rikthehet te biseda që lamë përgjysmë. Përveç tharëses së flokëve dhe pëshpërimës sonë, asgjë tjetër nuk dëgjohet në sallon. Dy gratë e sapoardhura e shfrytëzojnë kohën e pritjes për t’i hedhur një sy kurioz ambientit rreth e rrotull. Në mes dy pasqyrave varet një poster i madh, i gjatë 1 metër i Çiljetës. Është një fotografi e shkrepur nga Fadil Berisha, kur ajo s’kishte mbushur ende të 20-tat. Në cepin e murit pranë dritares është një kalendar i 2009-ës me fotot e Çiljetës si modele pardesysh dhe palltosh, për një kompani me qendër në Kosovë. Në tavolinë janë hapur rrëmujshëm suplementet e sapoblera të “Gazeta Shqiptare” dhe “Panorama”, ku duken fotot e artistes me rrobabanjo. Një revistë thashethemesh mbi një komodinë ka sërish Çiljetën në kopertinë dhe një titull të madh poshtë fotos “Çiljeta, të pasmet silikon?”
Nuk kalon shumë dhe gruaja me theks grek kthehet nga ne “Se ku të kam parë unë ty... je artiste...këndon?” Çiljeta pohon me kokë pa u bezdisur që po ndërpritet për herë të dytë nga intervista. “Si e ke emrin?” - vazhdon gruaja, me sy të mbledhur a thua se po mundohet të bëjë një lidhje në kokën e saj mes fotografive, vajzës që ka përballë dhe asaj që mendon se ka parë në televizion. “Çiljeta”. Gruaja nuk jep asnjë reagim. Emri nuk i thotë asgjë. Nuk i heq sytë nga këngëtarja dhe në këtë rast bezdisem unë, që nuk po vazhdojmë të qeta bisedën. “Kjo është Çiljeta Xhilaga, mos më thuaj që nuk e ke dëgjuar ndonjëherë si emër?” - i kthehem, edhe pse ndihem keq kur shoh se gruaja gati duket si e zënë në faj. “Te më falni, kam jetuar shumë vite në Greqi dhe jam ske’hputur nga televizori këtu. Kur nuk jam në pune, shoh ‘Top Çenin’”. “Kam përshtypjen se ky duhet të jetë një nga rastet e rralla kur nuk të njohin?” “Është e vërtetë. Unë jam habitur edhe vetë kur kam shkuar me koncerte jashtë vendit se sa shumë kishin dëgjuar për mua. Kishte njerëz që dinin gjithçka, madje më pyesnin edhe për thashetheme, që mendoja se diheshin vetëm brenda Shqipërisë. Në Amerikë m’u bë shumë qejfi, kur njerëz të ndryshëm më thoshin se posterin tim e mbanin të varur në mur”, - përgjigjet ajo gati me një frymë.
Flet shpejt, sikur ta nxitojë dikush. Nuk është nevoja të mbledhësh shumë argumente për t’u bindur mbi popullaritetin e madh të Çiljetës. Nëse do të flisnim me gjuhën e biznesit dhe Çiljetën do ta konsideronim një produkt të komercialitetit në art e muzikë, atëherë ajo do të ishte produkti më i shitur. Pyesni më mirë kryeredaktorët dhe pronarët e mediave të shkruara. Ajo është personazhi më i përmendur dhe është gjithnjë në kopertinë. Nuk ka rëndësi nëse ka thënë diçka, ka bërë diçka përpara aparatit, apo është dëgjuar diçka mbi të. Çfarëdo qoftë lajmi, apo thashethemi, ajo do të zërë faqen e parë. Në sitin më të populluar të internetit nga shqiptarët, “Facebook”, në emër të Çiljetës numërohen 54 faqe të hapura nga fansat. I vetmi person që ia kalon në popullaritet është Edi Rama. Pas saj renditet Sali Berisha. Në fushën e artit këngëtarja ndiqet në FB vetëm nga Elvana Gjata. “Besoj se kam qenë gjithmonë unike në stilin tim, por më e rëndësishmja, unë kam qenë e para, ashtu si Elvana është unike në stilin e saj.” Çiljeta e lë aty fjalinë; mbase për hir të emrit apo të miqësive që ka, preferon të mos shqiptojë me gojën e saj një të vërtetë të pakontestueshme në biznesin ndërkombëtar të artit. “Nëse nuk ke stilin tënd individual, nuk do të kesh kurrë famën e origjinalit”. E vërteta është se Çiljeta u “fotokopjua” në dhjetëra kopje, por shumica dështuan rrugës, duke kuptuar se një gjoks i madh dhe veshje provokuese nuk ishin gjithçka çfarë duhej për të shitur. Çiljeta kishte edhe më shumë se kaq. 24-vjeçarja, e cila këtë vit feston 10-vjetorin e daljes së saj të parë në publik (te “Kënga Magjike”, si shoqëruese e Dr. Flori me “Orët e Jetës”) është mishërimi i femrës ideale puro shqiptare.
Format e saj, gjoksi i bëshëm natyral (nr.6) i mbështetur në një konstrukt elegant, buzët mishtore dhe vështrimi blu, që shndërrohet në të qindtën e sekondës nga i përhumbur si i ndonjë fëmije në një shikim joshës i djallëzuar, vetëm me një lëvizje të vetullës së harkuar, tundojnë fantazinë e çdo mashkulli. “Votoni për mua se jam më e vogla”, - kujton Çiljeta të ketë thënë gjatë konkurrimit për “Miss Shqipëria 2000”, kur fitoi “Miss Kinemaja” në moshën 15-vjeçare. Aq kuptonte ajo atëherë, por në fakt, me një dhuratë natyrale që të tjerët e kërkojnë me bisturi, Çiljeta kishte gjithçka për të tronditur ëndrrat e burrave, për të nxitur thashethemet ndër femra dhe për të zënë kopertinat e revistave si seks-simboli më i ri, edhe pse në moshë gati të paligjshme, për t’u konsideruar e tillë. “Atëherë kujtoja se isha seksi, sepse kisha gjoks të madh. E dija se pamja ime krijonte një lloj tërheqjeje fizike, por unë vetë nuk e mendoja shumë gjatë. Më pëlqente fotografia dhe bëja fotografi sa herë më jepej mundësia, por kur gjithçka mbaronte, kthehesha në shtëpi dhe shihja ‘Sailor Moon’”, - tregon ajo. Revista jetëshkurtër e “Top Medias”, “XXL” dhe fotografi i saj, Hektor Pustina, do të ishin të parët që do të nuhasnin suksesin e Çiljetës në kopertinë. Dhe nuk gabuan. Menjëherë pas “XXL”-së revista dhe të përditshme të tjera filluan ta kërkonin në faqet e tyre. Kur Çiljeta hyri në treg, meshkujt nuk i kishin mbyllur ende hesapet me “kuriozitetin seksual”. Përpara saj shumë pak këngëtare u munduan të godisnin “aty ku i dhembte” burrave shqiptarë, që gjatë periudhës komuniste ishin mjaftuar me këmbët e gjata të jugosllaves Lepa Brena, apo belin e ngushtë dhe buzëqeshjen joshëse të Parashqevisë. Pas një ‘97-‘98 të trazuar politikisht dhe një 1999-e të përqendruar në konfliktin e Kosovës, hyrja e Çiljetës në skenë krijoi një frymëmarrje, duke i ndihmuar njerëzit t’i riktheheshin të vetmes kënaqësi që e merrnin falas në ato kohë të vështira: fantazisë. Çili e provoi menjëherë shijen e ëmbël dhe të hidhur të famës, që i erdhi vrullshëm. “U ndjeva menjëherë e paragjykuar nga njerëzit. Më shihnin të gjithë si super-seksi dhe krijuan idenë se jeta ime ishte po aq e nxehtë sa edhe fotot. Meshkuj të panjohur menduan se tashmë, meqë më shihnin në revista e televizor, kishin fituar automatikisht të drejtën të më komentonin edhe në rrugë. Unë kam qenë shumë fëmijë atëherë dhe shumë e çiltër, por ajo çfarë isha në fotografi nuk kishte lidhje me jetën që bëja.” Por fëmija e kuptoi vetë, në mënyrë natyrale, se nëse po fitonte famë me pamjen e saj, atëherë duhet ta kultivonte këtë pamje. Në videoklipin e hitit “Tekila” ajo e zgjodhi vetë garderobën që do të shokonte shumë njerëz. “Xhinset me bel shumë të ulët i bleva në Brazil, kur isha për një konkurs bukurie. Tangat mbi pantallona ishin në modë atëherë, ndërsa peliçja ishte zgjedhje e Aldës” (Alda Bida, bashkë-producente e “Miss Shqipëria”). Video edhe pse e dobët artistikisht, pati një sukses të madh. Flokët e shkurtra të oksigjenuara, gjoksi i bëshëm nën reçipeta, tangat, mënyra e kërcimit dhe teksti i këngës, ku një femër ashtu si një mashkull kërkon prehje te një gotë alkooli, i vulosën menjëherë 18-vjeçares “damkën” e seks-simbolit. Shtoji kësaj edhe kalendarin e realizuar pas pak muajsh, ku ajo u shfaq me gjoks të mbuluar vetëm nga një shall gati i tejdukshëm, ndërsa në një foto tjetër, Çiljeta gati sa nuk po puthej në buzë me Zajmina Vasjarin.
Automatikisht seks-simboli i sapokurorëzuar nisi të përflitej. Feministe, kritikë të artit apo njerëz të thjeshtë e quajtën një anti-vlerë të kulturës shqiptare. Shumë u munduan ta kategorizonin si zëdhënëse e shtresave pa nivel të lartë shoqëror. Nëse kishte fansa burra, ata duhet të ishin medoemos ushtarë të përvëluar, shoferë kamionësh që kalonin 3 javë të muajit larg shtratit të grave dhe fshatarë, të cilët ruanin ende nën jastëk mbështjellëset e sapunit “Lux” me koka femrash. Nëse pëlqehej nga femrat, ato duhet të ishin patjetër femra të mbyllura të provincës, që dhunoheshin nga prindërit apo burrat dhe fshihnin takat e bluzat e hapura në çantat e pazarit, për t’i veshur sapo të dilnin nga shtëpia. Intelektualët kurrsesi nuk mund ta pëlqenin, apo të pranonin se e pëlqenin këtë “cenim të imazhit të femrës”. Por mediat nga ana tjetër nuk menduan kështu. Ato panë te Çiljeta më shumë se hire, dalluan tek ajo një aftësi për të komunikuar me publikun, për t’i bërë njerëzit për vete me spontanitetin dhe sensin e saj të humorit. Ajo ftohet të prezantojë dy spektakle të “Netët e Klipit”. Në filmin “Ishte kohë për dashuri” të Ylli Pepos, bukuroshja pa asnjë eksperiencë teatrale e kalon me sukses një rol episodik. Gjoksi i madh në kinema nuk pinte ujë, nëse ajo nuk do të kishte talent. Dhe falë natyrshmërisë në interpretim, ftohet të marrë pjesë në serialin komik “Trapi i vjetër”, që transmetohej në “Vizion Plus”, ku luante përkrah aktorëve të njohur të humorit si Sejfulla Myftari. “Unë asnjëherë nuk i kam menduar gjërat thellë në karrierën time. Kam ditur të shfrytëzoj momentet, kam pasur intuitë dhe kam qenë gjithmonë shumë spontane”, - shpjegon ajo zgjedhjet e saj në ekran. Zgjuarsia e saj natyrale ishte një tjetër virtyt, që shqiptarët do të zbulonin sapo artistja i la pozat për fotografi dhe nisi t’i fliste publikut. Pjesëtare e një brezi të lindur në varfërinë e fund-viteve ‘80-të dhe më pas e rritur në Shqipërinë e çorientuar të post-komunizmit, vajza e vetme e një familjeje të mesme ekonomikisht, që përpiqej çdo ditë, ashtu si pjesa më e madhe e njerëzve të gjente mundësi fitimi, Çiljeta i kujtonte vetveten shumë shqiptarëve të aftë, por të privuar nga mundësitë. Kur kundërshtarët e saj prisnin që ajo të dështonte me një “budallallëk prej biondeje” ndaj pyetjeve provokuese të Çanit te “Zonë e Lirë”, të tregonte disnivel me artistë të tjerë që kishin më shumë shkollë, lekë e viza në pasaportë, ajo i befasonte me një batutë, apo reagim të zgjuar. Dhe menjëherë bënte për vete edhe më shumë njerëz. Karakteri i saj prej “garipeje moskokëçarëse” e ndihmoi të futej dhe të ecte përpara në biznesin e muzikës. Përpos dhuntive fizike natyrale, ajo kishte edhe zërin e trashëguar nga e ëma, e cila dikur këndonte në Ansamblin Popullor. Intervista “Tekila” e ndihmoi të provojë shijen e një suksesi tjetër, në shkallë më të gjerë, por edhe të kuptojë se nga kënga mund të merrte më shumë përfitime financiare se sa nga modelingu, apo kinemaja. Vendosi të bëhej këngëtare pa u menduar shumë. Zëri i saj ishte i papërpunuar dhe duhej trajnim profesional, por 19-vjeçarja nuk kishte kohë. Çdo ditë që kalonte do të thoshte një këngëtare më shumë në tregun muzikor dhe një përmendje më pak e emrit të Çiljetës. Për të balancuar mungesën e eksperiencës, ajo zgjodhi të punonte me kompozitorët më të mirë. Albumi i saj me Adrian Hilën pati sukses të menjëhershëm dhe kënga “Ti vetëm ti” i dhuroi çmimin “Best Performance” në “Top Fest 2”. Pas kësaj, ajo vijoi me shumë hite të tjera, derisa në “Top Fest 5” u vlerësua me një prej çmimeve kryesore “Best Female”, për baladën tashmë të kthyer në hit klasik, “Dorëheqja”. “Unë e di që nuk jam këngëtarja më e mirë, nuk kam zërin më të fuqishëm dhe më të bukur ndër artistët shqiptarë, por jam munduar që të paktën të jepja një performancë sa më të plotë, në respekt të vetes, por edhe të publikut. Nuk dua ta shfrytëzoj publikun duke shitur emrin dhe famën time me një interpretim të thjeshtë të superpozuar, por kam dashur t’i jap kënaqësinë e një performance-show. Për çdo këngë mendoj gjatë se si do të vij në skenë, çfarë do të vesh, sa njerëz do të ketë në skenë, a duhet të kërcej apo jo?” Ashtu si këto ditë, që ka nisur të mendojë se ç’do të bëjë te “Kënga Magjike” e këtij viti. Ndjehet e frymëzuar nga një interpretim te koncerti i lamtumirës për Majkëll Xheksonin.
Në sajë të intuitës, ajo e ka ditur gjithmonë se ç’është më e mira për të dhe kur është momenti i duhur. Me lëvizje të zgjuara prej Madone, Çiljeta është e aftë të rikrijojë veten pa kaluar asnjëherë në ekstrem dhe pa u shkëputur asnjëherë nga maja e biznesit të muzikës dhe trendet e momentit. Nëse “Tekila” e kategorizoi si femër pa klas, në “Top Fest” ajo “mbyllet” deri në grykë me një fustan të zi të Rezarta Skifterit dhe tregon këmbët e saj të gjata e të drejta, duke shfaqur më shumë feminilitet se sa seksualitet të ashpër. Por e bën sërish! Zhvishet prapë dhe përmend fjalën “bythë” në një videoklip. Kush u bë gati ta shajë, u tërhoq shumë shpejt kur e pa të veshur me fustan nuseje tek i këndonte dashurisë, gati duke lotuar në një performancë të rrallë skenike në “Top Fest 5”. Më pas, zgjedh një hit me një titull qesharak si “Puçi Puçi” dhe zihet e veshur me rrobabanjo me Ingrid Gjonin në një ring boksi. Suksesin e shpejtë, por edhe jetëshkurtër të hitit të riciklueshëm e balancon me interpretime live tek “E diela shqiptare”, apo “Top Show” dhe ndryshe nga opinioni i përgjithshëm, nuk stonon. Por ç’është më e rëndësishmja, gjatë gjithë kësaj periudhe ajo nuk dështon asnjëherë në shfaqjet e saj në ekran apo skenë përkundrazi, në mënyrë të pavetëdijshme për shumë prej kundërshtarëve të saj, ajo gradualisht pranohet si pjesë e rëndësishme përfaqësuese e kulturës shqiptare. Të gjithë e duan, konkurset muzikore nuk bëjnë show pa praninë e saj, koncertet shesin qindra bileta me emrin e Çiljetës, partia në pushtet e konsideron si “mjaltin” e mitingjeve gjatë fushatës. Udhëtimet i janë bërë rutinë, tashmë është një ndër këngëtaret më të kërkuara brenda dhe jashtë Shqipërisë (në diasporë). Axhenda e saj e zakonshme vijon kështu: Pasi çohet vonë paradite, bën tualetin dhe zgjedh një veshje skenike, pasdite i hipën makinës (dikur “Audi-in A4” të famshëm pa dokumente dhe sot një VW “Touran” gri me dokumente të rregullta), shpeshherë e shoqëruar nga e ëma dhe niset për koncert. Këndon këngët e saj dhe sapo mbaron koncerti kthehet për në Tiranë. Sa më shumë kalon koha, aq më pak ka dëshirë për t’u përzierë me turmën e fansave, të cilët kërkojnë ta qerasin, apo të flasin me të pas koncertit. “Kanë filluar të më bezdisin fjalët, shikimet. Kur isha më e vogël zgjidhja vetë vende të zhurmshme, ku kishte njerëz, sepse më pëlqente vëmendja. Tani dua vende të qeta. Edhe kur shkoj në koncerte, preferoj të mbaroj pjesën time dhe të iki.” Shpesh i ka rastisur të këndojë në Sarandë apo Korçë deri pas mesnate dhe të përshkojë e vetme në errësirë të plotë rrugën e kthimit për në Tiranë. Çfarë fiton (koncertet e saj kanë kapur shifra deri në 1.000 euro për një natë) i duhet t’i investojë për këngë e klipe të reja, për veshjen, grimin dhe po të mos ishte për kontrollin e prindërve, shumë pak do t’i ngelte për të kursyer për të ardhmen. Ja dhe diçka tjetër që i bëri shumë vetë të rikonsideronin paragjykimet mbi Çiljetën: ajo ka një pavarësi të plotë financiare. Jo pak vajza të bukura që dolën në ekran u shoqëruan nga pyetja se “Ku i gjenin paratë?” “Ku i gjenin lekët për videoklipe, për veshje firmato, për pushime në hotele luksoze, për makina të shtrenjta?” Përgjigja më e shpeshtë i orientonte te të dashurit, të martuar apo jo, të cilët kujdeseshin për “mbarëvajtjen” e artit të këtyre vajzave. Çiljeta i shpëtoi këtij thashethemi; ajo nuk u përfol asnjëherë për ndonjë të dashur të pushtetshëm, për lekë që derdheshin në llogari vetëm se ishte dashnore e dikujt me biznes. Madje ajo vetë nuk tentoi të mburrej në media për veshje apo aksesorë, që e dinte se edhe koncerti më i madh në Shqipëri nuk mund t’i përballonte dot. Kur për shqiptarët u bënë gati të përditshme, por edhe të padurueshme, deklaratat e dyshimta të pasurive marramendëse nga VIPA të rinj, të cilët ende nuk kishin nxjerrë fitimet e klipit promovues, Çiljeta fotografohej me të njëjtin fustan dy herë, apo shpesh shkëmbente veshjet me koleget këngëtare. Nuk e vriste shumë mendjen. Kush e ka ndjekur në karrierë gjatë gjithë këtyre viteve, e ka kuptuar se Çiljeta vërtetë punonte për lekët e saj. “E kam të rëndësishme lirinë financiare dhe nuk dua të kem nevojën e askujt. Jam e pavarur nga ana ekonomike dhe përveç familjes, nuk kam pasur asnjë tjetër që të më ndihmojë.”
Po Romeo? Prej 4 vitesh ajo ka një marrëdhënie romantike me një djalë, i cili bën një jetë krejt të ndryshme nga Çili. Ka një biznes të vogël dhe nuk ka asnjë lidhje me artin apo median, përveç rasteve kur fotografohet në shoqërinë e artistes. “Çiljeta vepron vetëm me zemër. Nuk është nga ato vajza që dinë të bëjnë llogari në dashuri”, - shprehet e ëma e saj. Madje me shaka thotë se nëse të tjerat shohin lekët te partneri, Çiljeta i sheh trupin. Shaka apo jo? Romeo është një djalë i pashëm dhe me fizik të stërvitur mirë në palestër. Pavarësisht se nëpërmjet fantazisë, këngëtarja seksi ka udhëtuar në mendjet e shumë meshkujve, në realitet ajo është një nga artistet e pakta të reja me një lidhje të qëndrueshme. “Unë mendoj se asnjë femër nuk niset për të pasur një aventurë. Unë dua që aventurat t’i bëj me njeriun që do të ndaj jetën, me atë që do të dashuroj. Por kur gjërat nuk funksionojnë, je e detyruar të ndahesh.” Çiljeta vetë e urren ndarjen, ashtu siç shpesh i frikësohet edhe dashurisë, pasi e përjeton më shumë seç duhet. “Garipen” në profesion, shpesh e kap makthi se gjërat edhe kur janë shumë të bukura, një ditë do t’i dalin jashtë kontrollit. Por a ka faj femra më joshëse e Shqipërisë të frikësohet? “Meshkujt prezantohen me Çiljetën e ekranit dhe presin që ajo të jetë e njëjta edhe në lidhje. Puna më e vështirë është të fitosh dhe të ruash besimin e atij që ke në krah. Profesioni, fama dhe jeta që bëj, më shumë më ka shkaktuar probleme se sa më ka sjellë gjëra të mira në lidhjen time me Romin. E vetmja zgjidhje për të pasur një marrëdhënie perfekte në situatën time, do të jetë që të mbyllemi të dy në një dhomë pa dyer e dritare, e të jetojmë vetëm me njëri-tjetrin.” Që do të thotë se për sa kohë Çiljeta është në këtë profesion, zemra e saj nuk do të gjejë asnjëherë qetësi. Jeta intime i është bërë një shqetësim aq i madh, sa Çiljeta pranon se për hir të qetësisë shpirtërore është gati të bëjë sakrificën më të madhe: të heqë dorë nga fama. “Këtë jetë nuk e dua përgjithmonë. Më ka lodhur. Unë dua të krijoj një familje.” Por është vetëm 24 vjeç. Në shekullin e 21-të, ajo është ende në moshë për t’u argëtuar edhe pak.
“Kam 10 vite në skenë. Çdo gjë që kam ëndërruar më është plotësuar në art. Tani dua të martohem, dua të krijoj një familje të madhe, me shumë fëmijë, meqenëse unë vetë jam fëmijë i vetëm. Dua të jem pranë një njeriu, që do të dojë të kalojë jetën me mua.” Dhe si të mos mjaftonte kjo deklaratë, ajo lëshon edhe “bombën” tjetër, mesa duket të mirëmenduar prej kohësh. “Dhe po ta kisha në dorë, nuk do të doja ta kisha më këtë gjoks kaq të madh. Më është bërë tmerr nga njerëzit, nuk e dua më.”
Të jetë e ndjerë kjo dëshirë e seks-simbolit, apo një tjetër fazë e përkohshme alla-Madoneske e rikrijimit në ndihmë të imazhit të saj? “E vetmja gjë me të cilën nuk dua të bëj shaka, apo biznes është familja ime. Sado jam ndjerë me fat që Zoti më ka dhënë bukurinë natyrale, kam një mbështetje kaq të madhe nga prindërit e mi dhe dashurinë e publikut, them se është koha të mendoj për vete. Dua që gradualisht të nis një cikël të ri në jetën time. Dua që të mos jem më fantazia e 10 mijë burrave, por dashuria e madhe dhe e vërtetë një mashkulli të vetëm, si edhe mami më e mirë në botë për fëmijët që do të kem me këtë dashuri.” Thellë-thellë mbretëresha e show-bizit shqiptar kërkon të jetë ajo vajza e panjohur në sytë e gruas me theksin e fortë grek, e cila po të mos ishte për posterat dhe gazetat, nuk do të kujtohej fare për emrin e Çiljetës. Vajza që u rrit dhe u formua përpara syve tanë, tani kërkon të na braktisë për një të mirë më të madhe, atë ndaj vetes së saj. E ka të sigurt se mund të rri edhe pa këtë jetë, edhe pa këtë vëmendje kaq të madhe. Po ne a bëjmë dot pa të? Pasi e kemi thithur si cigare çdo ditë për 10 vite rresht emrin dhe imazhin e saj, vështirë ta lëmë të na ikë. Pa e kuptuar, Çiljeta na ka hyrë në gjak. Dhe jo vetëm në gjakun e shoferëve, ushtarëve apo femrave të mbyllura të provincës. Eh sikur të ishte ashtu! Ajo është bërë pjesë e gjithsecilit që është rritur në këtë vend dhe mban lidhje konstante me kulturën shqiptare. Ashtu si cigarja, Çili është “e keqja” jonë e domosdoshme. Sado mospërfillës të pretendojmë se jemi, sado ta quajmë anti-vlerë, pa klas e shumë emërtime të tjera si këto dhe ta “luftojmë”, duke ndërruar ekranin apo stacionin e radios, prapë duam të dimë: “Po këtë radhë çfarë do të bëjë ajo?” Dhe sa keq vërtetë, po të mos kishte më radhë për të pritur!