Kopertina do të mbetej veçse një ide e çmendur e orëve të para të mëngjesit nëse nuk do të ishte për reagimin e qetë të fotografit (Geljant Kalecit). Nuk u çudit aspak kur i thashë se doja të mblidhnim në një vend, me të njëjtin truk e të njëjtën veshje 10 prej zërave më të mirë të muzikës shqiptare. Pak a shumë do të bënim një spektakël fotografik. Realizimi i kësaj kopertine nuk ishte një sfidë kokëforte ndaj revistave të fuqishme të modës në botë. Arsyeja kryesore ishte identifikimi i atyre këngëtareve që vërtetë vlejnë në këtë treg kaotik muzikor, që çdo muaj nxjerr me dhjetëra pseudokëngëtarë. Përzgjedhja nuk ishte aspak e vështirë. Nuk ishte e nevojshme një juri profesionistësh për të vendosur se Juliana Pasha ka një zë të fuqishëm apo Soni Malaj është një nga performueset më të mira. Emrat na erdhën shpejt në mendje. Këto ishin ndër 10 më të mirat. Kishin vokal, pamje, dinin si të performonin në skenë, kishin fituar çmime të mëdha dhe kishin eksperimentuar me disa zhanre të muzikës nga xhaz apo mjuzikëll deri në opera. Përveç Eliza Hoxhës, të tjerat ende ishin në të 20-tat, por skenën e kishin prekur që në festivalet e fëmijëve.
SET I DUHUR NË KOHËN E DUHUR
Kur u realizuan këto fotografi, në TV Klan sapo ishte përuruar studio e re e programit “E diela shqi ptare". U joshëm nga ndriçimi dhe skenografia e hartuar nga italianë që kanë shkëlqyer për vite me rradhë skenën e Sanremos. Aq më tepër që 10 vetë të fotografuar njëherësh kërkonin një ambient të madh dhe drita të forta për t’u dhënë pamjen glamour që artistet e meritonin. Sfondi i bardhë i pjesës së audiencës komplimentonte në mënyrë perfekte veshjet e zeza të këngëtareve. U kërkuam të gjithave të sillnin një fustan të zi si edhe një veshje të bardhë sipas stilit të tyre. Rregulli nr. 1 i modës: Me të zezë je gjithmonë brenda, dhe ne nuk donim të rrezikonim me zgjedhjet personale të këngëtareve, që mund të mos i përshtateshin sfondit.
GRIMI QË BËRI DIFERENCËN
Një nga pjesët më të vështira por edhe më thelbësore ishte përcaktimi i një grimi të njëjtë për të gjitha. Së bashku me stilistin e flokëve dhe artistin e makeup Artur Muçën, arritëm në një përfundim, se grimi duhej të ishte sa më natyral. Nëpërmjet një pamjeje “aqua e sapone” ku theksi i jepej lëkurës së shëndetshme, ne kërkonim të nxirrnim në pah klasin dhe fuqinë e këtyre artisteve, duke i diferencuar nga qindra këngëtare amatore të kllonizuara në grim e veshje (nga ato që vetëm me zë nuk joshin dot.) Turi është grimieri i preferuar i pjesës më të madhe të këngëtareve dhe ishte i familjarizuar me kërkesat e fytyrës dhe lëkurës së tyre. Minimizimi i përdorimit të lapsit apo penelit të zi ishte pak tronditëse për disa këngëtarë. Kishte nga ato artiste që do të ktheheshin herë pas here tek pasqyra, duke u munduar të shtonin fshehtas pak të zezë nëpër qerpikë. Ne mesdhetarët kemi qejf të theksojmë edhe më shumë format e syve tanë, por në këtë rast rregulli ishte i njëjtë për të gjithë. Në fund, kur të gjitha vajzat u takuan në shkallët e studios, për sytë tanë nuk kishte asnjë dyshim se ishim në rrugë të mbarë të një fotografie fantastike.
KUR POZOJNË PROFESIONISTET
Kur ke të bësh me profesionistë edhe puna ecën shpejt. Korrektësia në oraret e përcaktuara, disiplina dhe dëshira e madhe për të qënë pjesë e kësaj eksperience të re, ndihmoi në mbarëvajtjen e të gjithëproçesit. Në orën 15:30 ishte llogaritur që të niste seanca e fotos së përbashkët. Duke qënë se dritat ishin tepër të kushtueshme, dhe për mbarëvajtjen e studios së re kujdeseshin disa vetë njëherësh, ne duhet të përpiqeshim të ishim korrektë me orarin për të mos krijuar probleme apo pengesa. Në orën15:30 fiks, të 10 këngëtaret të grimuara, të veshura me të zeza, u rreshtuan në shkallët e bardha. Dhe ashtu siç iu kishim thënë dhe ashtu siç ato e kishin pritur për ditë me rradhë, nisi edhe seanca më e veçantë fotografike. Një kujtim i rrallë jo vetëm për “Anabel” por edhe për këngëtaret.
KA RËNDËSI KUSH ËSHTË NË KOPERTINË?
Është hera e parë që në një kopertinë të një reviste shqiptare ka kaq shumë vetë njëherësh. Ishte e pamundur t’i përfshinim të 10 artistet në të njëjtën faqe, ndaj zgjodhëm modelin e palosjes. A kanë këngëtaret e kopertinës më rëndësi sesa ato në faqen tjetër? Absolutisht jo! Secila artiste ka meritat e saj, ndikimin e saj në muzikën shqiptare. Këtë rradhë u përzgjodh foto më e bukur artistikisht që i përfaqësonte ashtu siç duhej të gjitha këngëtaret.
A ËSHTË KJO VËRTETË 10-TËSHJA MË E MIRË?
Kur nisëm të zhvillonim idenë e kësaj kopertine kishim një frikë se artistë të tjerë të talentuar do të keqkuptonin këtë 10-tëshe, duke u ndjerë të përjashtuar. Teknikisht dhe artistikisht e kishim të pamundur të përfshinim më shumë. Po aq të vështirë e kishim të hiqnim dorë nga ideja. Megjithatë jemi të sigurt se në foton e kopertinës askush nuk është i debatueshëm. Të gjithë e meritojnë të jenë në elitën e re të muzikës shqiptare. Nëse dikush që nuk është përfshirë mërzitet, lajmi i mirë është se “Anabel” apo media të tjera të shtypura e televizive kanë gjithmonë vend për talente, ndaj aftësitë e tyre nuk do të mbeten asnjëherë të nënvleftësuara. Ne duam që të kemi mbështetjen tuaj në këtë inisiativë, sepse nëpërmjet prezantimit të këtyre 10 artistëve, në një farë mënyrë kemi bërë diferencimin e parë publik midis vlerës dhe antivlerës në muzikën shqiptare.
Mariza Ikonomi
“Edhe pse është e vështirë ndonjëherë të të kuptojnë, dhe ti të shprehësh atë që do, përsëri do të jem gjithmonë vetvetja. Më mirë kështu sesa të bëj “xhigi-xhigi” për masën, apo jo?”
Mbi 10 çmime të fituara. Spikati kur ishte vetëm 11 vjeç në vitin 1994 në krah të këngëtarit Françesk Radi me hit-in “Telefonatë zemrash”. Falë zërit të saj, Mariza u bë këngëtarja e parë fëmijë të ngjitej në skenën e festivalit të fundvitit të RTSH-së. Ndër çmimet e marra, përmenden: Kantautorja më e mirë në “Kënga Magjike”, çmimi i parë në “Maratonën e Këngës Popullore” etj. Disa nga hitet e saj më të njohura janë “Pianoja e vjetër” (Një prej këngëve më shpesh të interpretuara në Rinfest), “Zjarrin do ta gjej”, “Ku është dashuria” etj.
Anjeza Shahini
“Sa të mendohesh ti të gjesh rrugën për t’u ngjitur malit, dikush tjetër e gjen veten në majë, i hedhur nga ndonjë parashutë” 9 çmime, përfshirë çmimin e parë në edicionin e parë të “Ethet e së premtes mbrëma”. Anjeza është këngëtarja e parë dhe e vetme shqiptare që u përfshi në shtatëshen më të mirë të Eurovizionit (2004) dhe është fi tuese e Festivalit të madh të Dhjetorit, 2004. Anjeza Shahini është krahasuar me legjendën e muzikës shqiptare, Vaçe Zela.
Besa Kokëdhima
“Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e doni atë që bëni, ju do të bëheni të suksesshëm”.
Fituese e disa çmimeve kryesore, duke përfshirë çmimin e madh në 'Top Fest 5' dhe 'Mikrofoni i Artë 2003'. Pjesëmarrëse në 'Eurovision Romania 2009' me këngën hit “Nothing’s gonna change” ku cilësohet si vokali më i bukur i Festivalit. Timbri i saj është vlerësuar nga mjaft kritikë dhe njohës të muzikës. Disa nga hitet e saj më të njohura janë “Unik”, “Më beso”, “Tani të dua”, “Ajër”. Në korrik pritet që Besa të nxjerrë pas tre vjetësh albumin e saj të dytë.
Eliza Hoxha
"Jam UNË ajo që zgjedh, vendos dhe formësoj rrugëtimin tim . Është VETJA IME ajo që shoh në pasqyrë duke aluduar që edhe UNË të lë gjurmë në vendin dhe komunitetin të cilit i përkas, dhe njerëzit të më respektojnë e të më vlerësojnë edhe kur nuk jam më."
11 çmime duke përfshirë interpretuesen më të mirë në Kënga Magjike 2008, albumin më i mirë 100% Eliza. Këngë hit “Me ritëm do të vallëzoj” “Ti po shkon” Pendimi” “Shko” etj. Arkitekte full-time, Eliza ishte ndër artistet e para që i dha rëndësi videoklipeve. “Me ritëm do të vallëzoj” solli një frymë të re në realizimin e videoklipeve edhe në Shqipëri.
Jonida Maliqi
“Beso në vetvete dhe udhëhiqu nga intuita artistike. Kam mësuar se mbi të gjitha duhet të jem artiste në shpirt dhe mirënjohëse ndaj atyre që më kanë ndihmuar në rrugën time”.
Që kur doli për herë të parë në skenën e Festivalit të Fëmijëve në Shkodër në vitin 1993, Jonida është nderuar gati në çdo pjesëmarrje me çmim. Është vlerësuar me çmimin e publikut në ”Maratonën e Këngës Popullore”, me çmimin “Best Female” në “Top Fest 3”, dhe së fundmi ajo mori kupën e “Këngës Magjike” të 2008-tës si edhe u nderua me çmimin “10 vjet histori”. Disa nga hitet e saj më të njohura janë: “Do jetoj pa ty “, “Vetëm një natë”, “Papagall i dashurisë”, “Njëri nga ata” etj.
Eneda Tarifa
Kam mësuar se më duhet të buzëqesh, edhe kur dita ka shkuar keq, edhe kur është grisur pak bluza apo jam pak e ftohur. Unë sërish duhet të buzëqeshë.
Mbi 10 çmime të fituara. Deputimi i saj i parë ka qënë në moshën 14 vjeçare, në Festivalin e RTSH-së të vitit 1997, me këngën “Yjet e shpresës” ku së bashku me Saimir Çilin janë nderuar me çmimin e të rinjve. Një numër çmimesh të para, Tarifa i ka marrë jashtë kufijve të Shqipërisë, si në festivalin “Nota Fest” në Shkup ku vlerësohet si interpretuesja më e mirë me këngën “Kristal”. Të njëjtin vlerësim ajo e merr edhe në vitin 2007 me këngën “Më beso”. Në Festivalin Ballkanik të organizuar në Mal të Zi, në 2002, Eneda nderohet me çmimin e parë me këngën “A jeni ju si unë?” Këngë hit : 'Ika larg', “Thurrje” “Zëri im”, “Do ta them” etj.
Soni Malaj
“Kam mësuar që shkallët t’i ngjisë një e nga një dhe e sigurt, sepse suksesi është shumë i brishtë. Atë që ke fituar, mund ta humbasësh në çdo moment.”
2 çmime të fituara. Fitoi popullaritet si pjesëtare e grupit të vajzave “Spirit Voice” kur ishte vetëm në shkollë të mesme. Gati çdo single i prezantuar është kthyer në mega-hit. Më të suksesshmet përmenden “E vogëla”, “Ndarja”, këngë i cili i dha çmimin “Best Female” në Top Fest 4, “Të dua ty”, “Shpirti im Binjak”, dhe “Fluturimi 3740”, një duet me Flor Mumajesin, nderuar me çmimin e dytë në Kënga Magjike 2007. Është një këngëtare e vlerësuar mjaft edhe për performancat e saj.
Jehona Sopi
“Kam mësuar të jem e ndryshueshme dhe fleksibël në karrierën time. Nëse do të isha vetëm e ndjeshme dhe butë, jam e sigurt se nuk do të shihja sukses, ndaj kam mësuar të jem më shumë agresive.”
5 çmime të fituara. “Best Vocal” tek “Kënga Magjike 2008” dhe “Best Female Artist” tek “Top Fest 6” Këngë hit “Sot mos thuaj jo”, “Përvjetori” “Fustani i bardhë” etj. Jehona njihet për vokalin e saj të fuqishëm dhe stilin origjinal në veshje.
Teuta Kurti
“Unë jam vetvetja në çdo gjë që bëj. Kjo botë është shumë tunduese, por nëse i qëndron besnik vetes, arrin t’ia dalësh mbanë.”
Spektakli që katapultoi kosovaren Teuta Kurti drejt suksesit, ishte edicioni I i “Ethet e të premtes mbrëma”. Një prej hiteve të saj më të njohura është “Si mbretëreshë”. Që në prezantimin e parë tek EPM, Teuta spikati për vokalin e saj të fuqishëm. Sot ajo është padiskutim një prej këngëtareve më të talentuara të Kosovës dhe Shqipërisë.
Juliana Pasha
“Gjithçka në jetën time e kam ndërtuar me sigurinë tek Perëndia dhe Krishti që më forcon.”
7 çmime të para, duke përfshirë çmimin si “Zëri më i mirë” në Festivalin e RTSH-së në 2000 si edhe çmimin e kritikës në “Kënga Magjike 2008”. Është vlerësuar për vokalin e saj prej “zezakeje”. Ka përballuar me sukses këngë të vështira të super-yjeve të muzikës botërore, si Aretha Franklin.