Zoti Enver, Zoti Petrovci apo thjesht Enver?
Si të doni, vetëm jo shoku Enver (qesh).
Atëherë e vendosa, Enver. Pse e vure veten në të tillë siklet me “Dancing...”?
(Qesh) Të jem i sinqertë, kam pasur dëshirë të isha protagonist që në sezonin e parë të këtij spektakli. Madje atëherë i thashë Verës (Grabockës): “Pse nuk më keni ftuar mua si më të mirin?” (qesh). Por, edhe ajo, me shaka ma ktheu: “Vitin e ardhshëm”. Momenti erdhi, edhe pse unë nuk isha në atë situatë që mund ta pranoja ftesën, pasi të duhet të sakrifikosh disa muaj punë të lëna përgjysmë për t’u përfshirë plotësisht në këtë format. Po të kisha qenë në Tiranë, nuk do të kisha dilema, por meqë punën e kam në Prishtinë e jashtë saj, ftesën mendoja ta refuzoja. Por Vera është një grua me të cilën nuk ia del dot mbanë t’i thuash jo e si përfundim e gjeta veten këtu.
Por, në fakt, ti i le disa projekte në mes, apo jo?
Jo tamam. Kisha tre shfaqje, një në Novipazar me tekstin tim, një tjetër në Prishtinë dhe një film me Agim Sopin nën titullin “Agnus Day”. Shto këtu edhe klasat me studentët e mi në Akademinë e Arteve. Në fillim vendosëm që të shkoja vetëm një herë në javë, ndaj tani e ndaj këtë kohë mes Tiranës dhe Prishtinës. Më mbeten dy deri në tri ditë për të punuar mbi një kërcim. E tani, ja ku jam, po qëndroj në këtë spektakël, madje edhe me eshtra e hundë të thyer.
(Qesh) Çfarë ka ndodhur?
Ka të bëjë me “fashisten” që kam për partnere, Lori Basha. Duhet ta dinë të gjithë që në Tiranë jeton një “fashiste” (qesh).
Ke pasur dhe një shfaqje në Tiranë pak kohë më parë, apo jo?
Po, me Fatos Haxhirajn, regjisorin. Nuk e njihja, me thënë të vërtetën, dhe puna me të ka qenë befasi. Është gjynah që ai jeton në Itali, bën një jetë të rregullt, kujdeset për shëndetin e tij, s’e kuptoj pse. Punë e madhe se jetoi dy vjet më pak, por të paktën bën diçka këtu, në këtë skenë. Njeri shumë i rëndësishëm për mua.
Të paska shijuar shumë puna me të?
Jashtëzakonisht shumë. Ai le të vijë në Shqipëri e të shkojnë ata që s’bëjnë andej.
Të mungon Prishtina?
Më mungojnë fëmijët, por diçka më shumë jo. Jam i zhgënjyer nga ky qytet, pasi unë nuk vuaj për “tallava”. Kosova sot është vetëm “tallava”, prej kryetarit të shtetit, Akademisë së Shkencave apo Arteve, për të mos folur për profesionin tim. Ndaj nuk më mungon në këtë pikë. Vuaj vetëm për fëmijët e mi, sidomos për vajzën time të vogël. Kam nevojë që në mëngjes “me ja hangër mishin”, siç themi ne. Unë kam një rend në mendjen time që në kohën kur jam bërë prind. I lutem Zotit të mos m’i prekë fëmijët, me të tjerat të bëjë çfarë të dojë. Gëzim më të madh sesa ai që i kam fëmijët shëndoshë, për mua nuk ka. Ambicia, egoizmi, dashuriçkat, janë të gjithë dytësore në këtë jetë. Armiqësi nuk kam, pasi hakmarrja të shpenzon shumë energji.
Për çfarë shpenzon energji?
Për dashuri dhe për të bërë mirë.
Dikur ke thënë se “një artist nuk mund të jetë kurrë besnik ndaj gruas”. Ç’është ky raport i yti, ndryshe, me këtë marrëdhënie?
Kam thënë një artist, jo një aktor. E them dhe sot: një artist është gjynah të martohet! Artisti duhet t’i takojë popullit, jo një gruaje apo një burri. Unë, po ta kisha grua një artiste të madhe, them se do të isha pengesë në jetën e saj po të isha edhe eventualisht burri i saj. Të jesh artist, ke nevojë për një liri absolute, nuk ka orar pune, nuk ka rend në kuptimin e bukur të fjalës. Ndaj them se nuk duhet të martohet, pasi ka rëndësi mendimi i lirë. Kjo nuk do të thotë se ai nuk duhet të punojë për t’u bërë i madh, por jo me punë kur ia imponon gruaja apo familja. Duhet të punosh gjithë natën, siç më ndodh mua shpesh. Në këtë aspekt, mendoj se artisti duhet të ketë fëmijë. Meqë unë i kam, e di sa është me rëndësi për frymëzim. Unë jam që artisti të ketë fëmijë e të ndihet baba apo nënë, por jo me qenë me grua.
Vetë ke zgjedhur të kesh partnere, ke një bashkëshorte...
Pse unë kam gabuar, nuk do të thotë ta bëjnë të tjerët. Jo se unë nuk e dua gruan time, sinqerisht e dua atë. Ime shoqe është pianiste. Nuk dua ta individualizoj mes saj dhe meje, absolutisht jo. Por e kam vërejtur mes artistësh.
Si është të ndërtosh një familje me dy artistë?
Unë kurrë s’e kam kuptuar si jam martuar. Kurrë nuk ia kam imponuar shoqes sime të jetës burrin. Madje unë mendoj se gruaja ime është tani në martesë shumë më e lirë seç ka qenë kur ishte me prindërit. Unë kurrë s’e kam pyetur “ku ishe, pse u vonove” apo “pse ke ardhur kaq herët”. Këtë e kam bërë nga nevoja ime për të mos e penguar artistin. Madje kemi arritur deri aty, sa më ka thënë se unë nuk interesohem për të, ndaj nuk e dua. Këtu fillon gruaja, sepse ajo ka nevojë për xhelozi të vogla, mbase dhe mashkulli.
Por ty të pengon xhelozia, apo jo?
Shumë më pengon. Mendoj se xhelozia është sëmundje dhe egoizëm, nuk ka të bëjë aspak me dashurinë. Xhelozë janë njerëzit egoistë, të cilët nuk duan personin me të cilin jetojnë, por pozitën ku janë. Nëse një burrë është xheloz, ai nuk e do personin me emër e mbiemër që ka pranë, por do gruan.
Kur e ke zbuluar se çfarë është dashuria?
Shumë vonë, mjerisht. Dhjetë vjet më parë mbase. Fatkeqësisht na kanë mësuar se dashuri nuk është nëse nuk je “një çikë”, siç i thoni ju, xheloz. Unë mendoj se dashuria është mirësi. E kam kuptuar kur gëzohesha që fëmijëve të mi iu ndodhte diçka e mirë dhe hidhërohesha në të kundërtën. Konstatova se kur ata ndiheshin të tillë, dhe unë kisha të njëjtën ndjenjë mirësie. Aty e pyeta veten pse po ndodh kjo. Pse e njëjta gjë nuk më ndodh me dikë tjetër?! Aty kuptova që unë i dua. Kështu është dashuria për vëllanë, për prindin, për atdheun.
Po me gruan si ndodhte?
Aty desha të shkoja. E pyesja gruan nëse ia kishte kaluar mirë për diçka dhe ajo më thoshte po. Atëherë pyesja veten: “A po të gëzon?”.
Dhe?
E shikon? Është e vështirë (qesh). Në fakt, gëzohesha. Aty e kuptova që e doja. Ndërsa ajo nuk gëzohej me mua dhe konstatova që nuk më do (qesh). Dhe aty filluan konfliktet. Ndaj jam i bindur që nuk ka pesë apo dhjetë lloje dashurish. Është vetëm një lloj dashurie, është mirësi, emocion.
Çfarë është dituria?
Ajo që kur ti e di, ke edhe aftësinë t’ia shpjegosh dikujt po aq mirë.
Enver, sa vjeç je brenda në shpirt?
2011 vjeç.
Pse?
Aq është edhe Jezu Krishti (qesh). Jo sinqerisht, ndihem sikur i kam mbi 2 mijë vjet në teatër. Kam punuar në 68 teatro të ndryshëm në të gjithë karrierën time. Me shumë regjisorë, skenaristë, kolegë, provincialë, joprovincialë. Shumë prej tyre, ardhjen time në fillim e kanë pranuar me të keq, tipike provinciale. Por, pas punës jemi ndarë si miq, kam falur mirësi.
Flet sikur beson shumë në mirësinë tënde...
Besoj dhe e kam shumë të lehtë. Të shash është e thjeshtë, por të jesh i mirë është e vështirë. Më dhimbsen njerëzit që nuk besojnë e mundohen që çdo gjë ta logjikojnë, sidomos artistët. Arti nuk ka logjikë, është dashuri, është emocion. Ndaj, edhe shqiptarët e kanë një fjalë shumë të bukur: “po ta besoj rolin”. Besimin që ma kanë dhënë mua, unë e kam shfrytëzuar për të mirë.
Të ka ardhur keq që në Shqipëri u bëre i njohur pas viteve ’90?
Koha ka qenë gjithmonë kundra meje. Shpesh disa njerëz i lind koha vetë. Enver Hoxhën e lindi koha, ai askush nuk do të ishte pa rrethanat ku u gjend. Hashim Thaçin, gjithashtu. Kush do të dinte për atë nëse nuk do të kishte qenë lufta në Kosovë? Madje as fshati i tij nuk do t’ia dinte për të. Por janë disa njerëz që i lind puna. Unë mendoj se jam i tillë. Nuk them se kam bërë ndonjë emër kushedi se çfarë, por mendoj se nuk kam bërë as pesë për qind të asaj çka më ka falur mua Zoti. Linda në një provincë, në një vend ku nuk ka pasur nivel artistik. Shkova në Beograd, mendoja se ishte qendra e botës, por më vonë kuptova që nuk është. Sa energji kam shpenzuar ta mësoj gjuhën shkëlqyeshëm! Nuk kam pasur askënd të më thoshte: “mos shko këtu, por aty”. Gabimi im trashanik ishte se mësova një gjuhë lokale. Pastaj, më vonë, ndodhën trazirat. Mbijetoja si artist e, pas luftës, erdhi koha e “tallavasë”. Durova 10 vjet. Më është dashur të mbetem i pastër, pasi jeta të shtyn të bësh gjëra të ndryshme. Po të isha pjesë e “tallavasë”, do kisha qenë shumë më mirë financiarisht, por nuk e kam pranuar. Edhe në Shqipëri ka “tallava”, por këtu gjenden disa njerëz ndryshe. Nuk them se Kosova s’ka njerëz të mirë, ka plot të tillë, por ata janë të larguar.
E do shumë vendin tënd?
Shumë, ndaj kam qëndruar ende këtu.
E ke menduar ndonjëherë t’i futesh politikës?
Jo, nuk u bëra anëtar i Partisë Komuniste atëherë që ishte me detyrim e jo më tani. Gjeta formën time të mos bëhesha. Por fatkeqësisht këta pseudodemokratët e sotëm janë më të këqij. Nëse nuk hyn në parti kur ata të ftojnë, bëhesh menjëherë armik i tyre. E pse të bëhem pjesë e një partie të vogël, kur unë jam në atë më të madhen në botë: Partinë e Artistëve?!
Si ke qenë në adoleshencë?
Fëmijë i gëzueshëm dhe nxënës i mirë. Kam pas qejf të jap.
Po në rini, 20 vjeç e këtej?
Them se e vetmja kohë kur është mirë mos me pas para është ajo kur je student. Nuk është i tillë ai që ka (qesh). Është mjeshtri që me 200 lekë ta zësh një femër.
E zure?
Edhe pa lekë fare madje (qesh). Një vit të tërë, kur isha student në Beograd, kam qenë pa shtëpi. Kam fjetur gjithandej, madje edhe në polici.
Pse femrat dhe meshkujt nuk shihen me të njëjtin sy kur kalon mosha?
Sepse femrat bëhen shumë më herët të tilla. Mashkulli nis të bëhet i tillë 27 vjeç e sipër. Deri në atë moshë, ne jemi fëmijë dhe femrat luajnë me ne. Kur meshkujt fillojnë të kuptojnë që janë pjekur, veç janë plakur. Ndërsa burra, mbi 40 vjeç. Nga jashtë mund të duken bukur, por veç shpirti ynë e di (qesh)! Ndërsa gruaja, nuk i ka këto probleme. Forca nuk ndryshon tek ato, vetëm pamja. Viagra nuk u shpik për femrat, por për meshkujt.
Për t’iu plotësuar egoizmin...
Jo, që të jetë kukull e femrës. Në fund të fundit, mashkulli është shërbëtor i femrës, ajo e mban botën. Ti je mashkull në këtë aspekt? Jam shërbëtor; lëre se ç’thonë, shesin dëngla. Edhe unë kam qejf të shes mend, por dua të jem i sinqertë.
Çfarë e bën joshëse një femër?
Në varësi të pjekurisë time. Për momentin, kam qejf kur femra flet bukur. E kam kompleks gjuhën, nuk jam parimor, por është mendimi im. S’ka nevojë të flas mendime të mençura, thjesht bukur. Kjo më provokon.
Çfarë është bukur?
Po ja, si ti tani. Flet bukur shqip, rrjedhshëm. E shikon çfarë idioti jam?! (Qesh) E the vetë, është çështje pjekurie... Mbase dikur më pëlqente mishi. Por prapë mishi që nuk flet bukur, nuk vlen. Nuk duhet femra të hidhërohet tek burri që pëlqen të bukurën.
Duhet të krenohemi?
Po, nëse dikush ua sheh burrat. Madje, ka meshkuj që mbyten psikikisht dhe e humbasin sigurinë ndaj femrave, si rrjedhojë edhe ndaj gruas së tyre. Ndaj gruaja duhet t’i japë kurajë mashkullit, t’i thotë që dikush e pëlqen partnerin që ka në krah, pasi ne kemi nevojë për siguri. Dhe kjo nuk është tradhti, është mashtrim i vogël ose thjesht mashtrim.
I dobishëm, thoni?
Bravo (qesh). Tradhti është kjo: më prit pesë vjet se do të iki në Amerikë të bëj para e kur të kthehem të martohemi. Ti më pret 10 vjet, unë martohem andej ndërkohë. Kjo është tradhti.
A ka femra të bukura në Tiranë?
Po, ka, por unë nuk e kam një të tillë (qesh).