
Qindra mijëra njerëz mblidhen në Mynih duke kërkuar ndryshimin e regjimit në Iran pëmes protestave

Rreth 200,000 njerëz u mblodhën në Mynih gjatë Konferencës së Sigurisë, duke protestuar kundër qeverisë iraniane dhe duke kërkuar ndryshimin e regjimit.
Reza Pahlavi, princi i kurorës në mërgim, u bëri thirrje vendeve demokratike perëndimore të mos qëndrojnë pa bërë asgjë dhe kërkoi rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Teheranit, duke falënderuar edhe Trump për mbështetjen.
Protestat në Iran vazhdojnë prej dhjetorit për shkak të krizës ekonomike dhe rënies së rialit (monedhës së Iranit), ndërsa sipas raportimeve, mijëra njerëz kanë humbur jetën nga përplasjet me forcat e sigurisë.
Ukraina kërkon garanci 20-vjeçare sigurie nga SHBA-ja për të nënshkruar marrëveshjen e paqes

Ukraina dëshiron garanci sigurie për të paktën 20 vjet nga SHBA-ja përpara se të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, tha Volodymyr Zelenskyy përpara bisedimeve me Rusinë dhe SHBA-ja të planifikuara për javën e ardhshme.
Ai bëri thirrje gjithashtu që të përcaktohet një datë e qartë për anëtarësimin e Ukrainës në BE, ndërsa disa zyrtarë europianë kanë përmendur si afat të mundshëm vitin 2027.
Duke folur në samitin vjetor të sigurisë në Mynih, Zelenskyy tha se shpreson që takimet trepalëshe javën e ardhshme të jenë serioze dhe të dobishme për të gjithë.
Macron bën thirrje për “qetësi dhe përmbajtje” pas vdekjes së të riut në Lyon

Një i ri 23-vjeçar, Quentin D., ka ndërruar jetë në spital në Lyon pasi u sulmua dhunshëm pranë një konference të eurodeputetes së partisë franceze të majtë radikale, La France Insoumise (LFI), Rima Hassan.
Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen duke e konsideruar atë si sulm që çoi në vdekje me rrethana të rënda, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar dhe policia po i kërkon.
Presidenti Emmanuel Macron dënoi dhunën dhe bëri thirrje për “qetësi dhe përmbajtje”, ndërsa incidenti ka shkaktuar tensione politike dhe sulm ndaj disa zyrave të LFI-së në Francë.
Katër astronautë të rinj mbërrijnë me raketën SpaceX në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor

Katër astronautë të rinj, nga SHBA, Franca dhe Rusia, mbërritën në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) për të zëvendësuar kolegët që u tërhoqën për shkak të problemeve shëndetësore.
Astronautët që do të qëndrojnë tetë deri në nëntë muaj janë Jessica Meir dhe Jack Hathaway nga NASA, Sophie Adenot nga Franca dhe Andrei Fedyaev nga Rusia, disa prej të cilëve kanë vizituar më parë ISS-në.
NASA nuk ka zbuluar identitetin e astronautit të sëmurë, i cili u detyrua të tërhiqej muajin e kaluar, por siguroi se kontrollet mjekësore përpara fluturimit ishin të njëjta për zëvendësuesit.