
Mbrëmjen e djeshme, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “Opinion”, një debat i ashpër mes dy panelistëve u tensionua deri në përplasje fizike. Bëhet fjalë për Berat Buzhalën dhe Albatros Rexhajn, të cilët, teksa diskutonin mbi çështjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe procesin gjyqësor ndaj tyre në Hagë, kaluan nga përplasja verbale në konfrontim fizik të njëanshëm.
Sipas pamjeve të transmetuara, situata u përshkallëzua kur Berat Buzhala u ngrit nga vendi dhe iu afrua fizikisht Rexhajt, duke krijuar një moment tensioni në studio. Ndërhyrja e menjëhershme e Blendi Fevziut dhe e të pranishmëve të tjerë në panel bëri të mundur shmangien e një incidenti më të rëndë.
Teksa debatonin, Albatros Rexhaj po kundërshtonte një opinion të Berat Buzhalës.
“S’je ti pronar i debatit, po mbylle gojën o burrë,” dëgjohet të thotë Albatros Rexhaj.
Pas kësaj, Berat Buzhala shkoi me nxitim drejt tij, duke i vendosur duart mbi xhaketë për ta tërhequr. Në atë moment ndërhyri Blendi Fevziu.
“Kujt i thua ti, mbylle gojën?” i thotë Berat Buzhala, teksa Blendi i kërkon të ulet.

Videoja e incidentit u publikua edhe në faqen zyrtare të programit në Instagram. Krahas saj, u publikua edhe një tjetër video ku Berat Buzhala kërkon falje për veprimin që bëri, madje paralajmëroi se për një periudhë do t’i shmangte daljet publike.
View this post on Instagram
"Edhe një herë i kërkoj falje të gjithëve. Do ta ndaloj daljen time në publik për një kohë të caktuar. Duhet t'i menaxhoj emocionet pak më mirë. Është sjellje e pahijshme ajo çfarë bëra."
View this post on Instagram
Megjithatë, teksa ai kërkonte ndjesë, Albatros Rexhaj dhe Blendi Fevziu ndërhynë për të sqaruar se nuk pati kontakt fizik, ndonëse në video duket e kundërta.
Blendi Fevziu publikoi në rrjetet sociale momentin gjatë përplasjes, por edhe një video nga pajtimi i të dyve.
“U pajtuan. Çdo gjë ok,” shkruhet mbi video, teksa të dy ata shfaqen duke takuar duart dhe më pas përqafohen.
“U pajtuan tani, po këto i ka emisioni,” thotë Blendi Fevziu teksa filmon videon.
View this post on Instagram
Mbi situatën reagoi publikisht përmes një postimi në Facebook, Berat Buzhala.
“Absolutisht kërkoj falje për sjelljen. Komplet gabim,” shkroi ai.
