
Një ngjarje tragjike ka tronditur kryeqytetin turk, ku një 35-vjeçar, i cili ishte larguar nga burgu përmes një leje disaditore, ka vrarë vajzën e tij 8-vjeçare, nënën, bashkëshorten dhe më pas veten.
Sipas mediave turke, Recep Cengiz kishte marrë 11 ditë leje nga burgu, ku po vuante dënimin për mashtrim dhe kërcënim me armë. I armatosur, ai shkoi fillimisht drejt banesës së nënës së tij, Azize Cengiz, 57 vjeç, në lagjen Kuscagiz të Ankarasë, ku jetonte edhe vajza e tij, Azra.
Pas një debati me të ëmën, ai hapi zjarr, duke i lënë të dyja të vdekura në vend. Më pas, sipas raportimeve, u largua drejt banesës së bashkëshortes me të cilën ishte ndarë, Beyzanur Uçan Cengiz, 28 vjeç. Mendohet se trupat e nënës dhe vajzës i fshehu në bagazhin e makinës.
Dyshohet se, nga frika se bashkëshortja nuk do t’i hapte derën, ai u maskua si postier. Sapo gruaja hapi derën, ai qëlloi ndaj saj. Menjëherë pas kësaj, vrau veten.
Beyzanur, sipas burimeve, ishte në proces divorci në momentin e ngjarjes. Menaxheri i pallatit ku ndodhi sulmi i dytë ka deklaruar se çifti ishte martuar vetëm gjashtë ose shtatë muaj më parë dhe kishte pasur probleme të vazhdueshme, përfshirë edhe një urdhër mbrojtjeje kundër autorit.
Ngjarja ka nxitur reagime dhe protesta të vogla në Ankara, ku aktivistë të të drejtave të grave kanë kërkuar masa më të forta mbrojtjeje kundër dhunës ndaj grave. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë theksuar se shumica e rasteve të femicidit kryhen nga persona të afërt me viktimat.
Aktivistët paralajmërojnë se situata është përkeqësuar pas tërheqjes së Turqisë nga Konventa e Stambollit në vitin 2021, një traktat i të drejtave të njeriut i Këshillit të Europës që synon të luftojë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje
Ngjarja e fundit ka rihapur debatin për sistemin e lejeve nga burgu dhe masat mbrojtëse ndaj grave në rastet e dhunës në familje.