ÇFARË ËSHTË DIETA MESDHETARE?
“Shija e mijë bashkohet me shëndetin”. Kështu e konsiderojnë nutricionistët dietën mesdhetare. Ajo u prezantua për herë të parë botërisht në vitin 1993, bashkë me piramidën e ushqimeve që shoqëron këtë dietë. Nuk ka një dietë fikse mesdhetare. Çdo rajon përgjatë Europës, nga Spanja e deri tek Lindja e Mesme, e përshtat dietën mesdhetare me mundësinë e ushqimeve dhe traditën gastronomike të çdo vendi. E përbashkëta mes të gjitha këtyre vendeve, përfshi edhe Shqipërinë, ka të bëjë me një gamë ushqimesh, siç janë: perimet, frutat, farat, drithërat, arrat, ullinjtë dhe vaji i ullirit. Më pas vjen djathi, kosi, peshku, veza dhe vera. Këto ushqime janë në bazë të dietës mesdhetare dhe sigurojnë mijëra elemente mikro-ushqyes, antioksidues, vitamina, minerale dhe fibra. Të kombinuara të gjitha bashkë, ato ndihmojnë në luftën kundër sëmundjeve kronike. Por sekreti qëndron tek freskia e ushqimeve. Ato duhet të jenë bio, të sezonit dhe jo të konservuara. Përgatitja e ushqimeve duhet të jetë sa më e thjeshtë, jo të skuqura. Lejohen vetëm sasi të vogla të ëmbëlsirave dhe mishit. Stili mesdhetar i jetesës duhet të shoqërohet gjithashtu me vakte që përtypen mirë dhe me qetësi, shto këtu edhe aktivitetin fizik, si mjaft i rëndësishëm.
SEKRETI? TEK VAJI I ULLIRIT
Vaji i ullirit është ai me të cilin njerëzit, në pjesën më të madhe, lidhin pazgjidhshmërisht dietën mesdhetare. Por ky vaj nuk është i zakonshëm. Ai duhet të jetë “extra virgin”. Në këtë vaj ulliri, yndyrat e ngopura janë në përqindje shumë të vogël, krahasuar me vajin e zakonshëm të ullirit që tregtohet. Megjithatë, sipas specialistëve, nuk është vërtetuar që vetëm vaji i ullirit lufton sëmundjet kardiovaskulare. Kombinimi i të gjitha ushqimeve të dietës mesdhetare me vajin “extra virgin” të ullirit, sjellin rezultate.
PËRSHTAT DIETËN MESDHETARE
Sekreti i një jete të gjatë është dieta mesdhetare. Mjekët vazhdojnë të jenë të mendimit se një meny e tillë, kur shoqërohet me aktivitet fizik, janë receta më e mirë për një jetë të shëndetshme. Është një mënyrë jetese e shkëlqyer, lehtësisht e ndjekshme dhe mjaft fleksibël. Nëse nuk keni mundësi ta ndiqni planin dietik “germë për germë”, nuk përbën problem. Me rëndësi është të ushqeheni me sa më shumë prej ushqimeve që përmban dieta mesdhetare dhe të jeni aktivë.
Pilaf me kungull të verdhë (kungull sheqeri)
Për 8 racione
Koha e përgatitjes: 35 minuta
PËRBËRËSIT:
900 gramë tul kungulli, pa lëkurë dhe fara
3 lugë gjelle vaj ulliri “extra virgin”
1 qepë të madhe të kuqe, e prerë imët
1 thelb hudhër, i shtypur
2 lugë gjelle ujë
1 lugë gjelle salcë domate
1 gotë oriz
1 3/4 gotë ujë ose lëng perimesh
1/2 gotë verë e bardhë
2 lugë gjelle rigon i freskët
1 lugë e vogël kripë
pak kanellë
piper i zi i sapobluar
PËRGATITJA: Grij copat e tulit të kungullit me anë të një grirëseje mekanike. Ndërkohë, në një tenxhere që nuk ngjit, ngroh vajin e ullirit në temperaturë mesatare. Shto qepën dhe hudhrën dhe kaurdisi për 10 minuta derisa të zverdhen. Në një tas përziej dy lugët e ujit me salcën e domateve dhe shtoja tenxheres. Hidh orizin e më pas kungullin. Trazoji derisa të ulet disi volumi i masës, aq sa të mund ta mbuloni me kapak. Rrit temperaturën dhe hidh në tenxhere sasinë e ujit në gotë dhe verën e bardhë. Ul temperaturën dhe lëre të ziejë, duke e trazuar herë pas here, derisa orizi të thithë lëngun dhe kungulli të jetë i butë. Zakonisht jo më shumë se 30 minuta. Në fund, shto: rigon, kripë, kanellë dhe piper të zi. Hiqe nga nxehtësia dhe e lëre të mbuluar për 5 minuta. Shërbehet i ngrohtë.