
Aktori i “Sex and the City” postoi në Instagram një foto të tij duke u stërvitur në palestër, të shoqëruar me mbishkrimin:
“Në dreq Viti i Ri – Le të vazhdojmë!!!!”
View this post on Instagram
Një prej ndjekëseve komentoi menjëherë ndaj postimit duke e pyetur nëse ky ofendim shkonte ndaj Sarah Jessica Parker dhe çmimit që ajo mori pak ditë më parë.
“Do të thuash në dreq SJP dhe çmimi i saj, apo jo?”
Me sa duket aktori nuk ka asgjë për të fshehur, as hatërmbetjet që prej kohësh përflitet se ekzistojnë mes tij dhe aktores kryesore të serialit "Sex and the City".
“Po,” iu përgjigj ai.

Përgjigjja e tij erdhi vetëm një ditë pasi Sarah Jessica Parker u vlerësua me Çmimin Carol Burnett 2026, më 7 janar.

Të dy aktorët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi e cila daton që prej vitit 1998, ku ata luanin rolet kryesore në serialin "Sex and the City".

Në dhjetor të vitit 2021 seriali u rikthye, kësaj here me një tjetër emër, "And Just Like That...".
Chris Noth në rolin e Mr.Big ishte pjesë e tij vetëm në episodin e parë të sezonit të parë.

Ai u shfaq gjatë premierës në dhjetor të vitit 2021, por po atë muaj, aktori u akuzua për sulm seksual nga dy gra.
Sipas akuzës ai kishte shfrytëzuar dy gra të reja, të magjepsura nga fama e tij, gjatë vitit 2004 dhe 2015, duke i joshur në ambiente private dhe sipas tyre, ai u imponua me forcë.
Në një deklaratë për Page Six në atë kohë, Chriss Noth i mohoi të dyja akuzat, duke i quajtur ato “krejtësisht të pavërteta.”
“Takimet ishin me miratimin e të dyja palëve. Është e vështirë të mos vësh në dyshim kohën kur këto histori dolën në pah. Nuk e di me siguri pse po dalin tani, por di këtë: nuk i kam sulmuar këto gra.”
Pas këtyre deklaratave, Sarah Jessica Parker së bashku me pjesën tjetër të kastit të “SATC” publikuan një deklaratë duke bërë të qartë se qëndronin në mbështetje të grave.
“Jemi thellësisht të trishtuar kur dëgjuam akuzat ndaj Chris Noth,” thuhej në deklaratën e postuar në Instagram të nënshkruar nga Cynthia Nixon, Sarah Jessica Parker dhe Kristin Davis.
“Ne mbështesim gratë që kanë dalë përpara dhe kanë ndarë përvojat e tyre të dhimbshme. E dimë që kjo duhet të ketë qenë shumë e vështirë për to dhe i vlerësojmë për guximin.”

Në maj të vitit 2022, Sarah Jessica Parker i tha Hollywood Reporter se nuk kishte folur me Chris Noth që nga dalja e akuzave të para.
Një vit më vonë, një burim pretendoi se aktori ishte përjashtuar nga kasti dhe ndjente se ata i detyroheshin një ndjesë, për shkak të reagimit të treguar ndaj akuzave të pretenduara.
Më vonë, u raportua se ai ishte distancuar tërësisht nga kolegët e mëparshëm.
"Ai nuk ftohet në festat e tyre. Nuk merr kartolina apo mesazhe urimi për ditëlindje,” i tha një burim RadarOnline.com.
“Ai pyet veten pse Sarah Jessica Parker dhe grupi i saj vazhdojnë ta lënë jashtë.”
Edhe pse këto raportime u mohuan më vonë nga aktori, ai nuk është parë me asnjë anëtar nga kasti vitet e fundit.