
E ftuar në emisionin “S’e luan topi” me Erjona Rusin, këngëtarja Sheila Haxhiraj foli për herë të parë për ndarjen nga jeta të vëllait të saj, Henri Haxhiraj.
Gjatë bisedës, Erjona e pyeti nëse Henri e kishte përkrahur në rrugën e saj muzikore. Vetëm në përmendjen e emrit të tij, Sheila u përlot, duke treguar se plagët janë ende shumë të freskëta.
“Gjithmonë më ka përkrahur, në mënyrën e tij," tha ajo. "E kam shumë të vështirë të flas për të, sepse është ende shumë herët që është larguar. Henri ishte krahu im i djathtë dhe mbeta pa gjysmën time, fizikisht, por unë e di që ai është bekimi, drita ime, është energjia ime që unë jam këtu sot.”
Sheila foli edhe për vështirësitë emocionale që mund të çojnë një person në gjendje delikate, duke pranuar se ka situata që njeriu nuk i kontrollon dot plotësisht.
“Ndosh që jeta ndonjëherë të çon në disa rrugë që ti gabon edhe...janë disa gjëra që janë më të forta se vetja jonë, që nuk i kemi në dorë dhe prandaj ai nuk është më këtu me mua, me ne, me familjen tonë.”

Kur u pyet nëse familja kishte vënë re shenja shqetësimi tek Henri, Sheila u shpreh qartë:
“Henri nuk ka dhënë asnjëherë shenja që të tregonte se çfarë kishte brenga të vetat, çfarë e shqetësonte. Ai nuk ka dashur asnjëherë që ne të na shqetësojë.”
E pyetur për pengun që e shoqëron, ajo tregoi momentin e dhimbshëm kur e ka parë të vëllanë pas aktit fatal, një ngjarje që e tronditi dhe e la me shumë pyetje pa përgjigje.
“Kur Henri ka ardhur dhe qëlloi veten, unë kam qenë në shtëpi dhe nuk e kam arritur dot që ta shpëtoj. Thjesht e kam parë tim vëlla në atë gjendje dhe atë kam peng: Si nuk e shpëtova? Si nuk i kam dhënë më shumë vëmendje. Pse e bëri Zoti kështu? Pse na sfidoi neve? Pse atë? Kam arritur të mendoj që pse ai, fëmija më i brishtë, më i butë? Aq sa kam menduar që pse nuk isha unë në vendin e tij?”
Këngëtarja reagoi edhe ndaj raportimeve në media që pretendonin se Henri vuante nga depresioni.
“Henri nuk ka vuajtur asnjëherë nga depresioni. Unë e di shumë mirë që im vëlla atë gjë e ka bërë në një moment axhitimi. Nuk e di se çfarë mund të ketë kaluar në atë 2-mujor, kështu që të gjitha të tjerat kanë qenë abuzime nga mediat.”
Henri Haxhiraj, mesditën e 15 tetorit 2024, i dha fund jetës duke u vetëvrarë me armën e shërbimit. Në ditëlindjen e saj të parë pa të, Sheila i dedikoi këngën “Në dritën e hënës”, një homazh i ndjerë për vëllain dhe kujtimet që i bashkojnë.