
Edhe pse ekzistojnë shumë studime që paralajmërojnë për rreziqet e konsumit të alkoolit, nga sëmundjet e mëlçisë deri te kanceri, ky studim sjell një këndvështrim ndryshe: ai lidh zakonin potencialisht të dëmshëm të pirjes së tepërt të alkoolit me suksesin profesional në të ardhmen.
Sociologu norvegjez Willy Pedersen dhe kolegët e tij në Universitetin e Oslos kanë kaluar 18 vjet duke ndjekur zakonet e konsumit të alkoolit të mbi 3,000 norvegjezëve, nga mosha 13 deri në 31 vjeç. Ata zbuluan se personat që pinin shpesh në fund të adoleshencës dhe gjatë të njëzetave kishin, në përgjithësi, nivele më të larta arsimimi dhe të ardhura më të mëdha sesa ata që pinin rrallë ose aspak.

Në librin e tij të ri “Bukuria dhe Dhimbja e Drogave”, Pedersen argumenton se substancat psikotrope, përfshirë alkoolin, mund të kenë një rol të caktuar pozitiv në karrierën e të rinjve, pasi u ndihmojnë të kapërcejnë pengesat dhe ndrojtjet sociale.
“Shpjegimi më i mundshëm është se alkooli vepron si tregues i socializimit, i cili lidhet me disa përfitime specifike”, shpjegon ai.
Si shembull, ai përmend Klubin Bullingdon të Universitetit të Oksfordit, i njohur për anëtarët e tij të pasur dhe të shquar që shoqërohen shpesh duke pirë, përfshirë ish-kryeministrat britanikë Boris Johnson dhe David Cameron.
Megjithatë, Pedersen thekson se nuk ekziston asnjë lidhje midis pirjes së alkoolit në vetmi dhe suksesit profesional.

Në një artikull të mëparshëm për Marie Claire, psikologia kliniko-sociale dhe autorja Elena Karageorgiou ka folur për marrëdhënien e grave me alkoolin:
“Ndryshe nga brezat më të rinj, por edhe nga gratë e brezave më të vjetër, gratë mbi të tridhjetat e përdorin alkoolin më lirshëm në jetën e tyre shoqërore. Sot, imazhi i një gruaje që pi nuk ngjall më stigmën që dikur do të kishte shkaktuar. Megjithatë, vërehet se kjo liri ka çuar në rritjen e konsumit të alkoolit mes grave, të cilat shpesh e përdorin si mënyrë për të përballuar presionet e shumta profesionale dhe familjare.
Në këto raste, pirja shihet si një formë fuqizimi apo arratisjeje të përkohshme nga kërkesat e përditshme. Është koha të flasim më hapur për dimensionin gjinor të kësaj çështjeje, në mënyrë që ajo të mos mbetet më një ‘tabu’.”
E po, një dolli për këtë studim!