
Romanca gotike është kudo, në pasarela, në shtëpi dhe sigurisht në ekranin tënd, ku projektet si “Frankenstein” po përqafojnë elementët më të bukur dhe të frikshëm të zhanrit të horrorit.
Përshtatja e Guillermo del Toro-s e romanit klasik të Mary Shelley-t i vitit 1818, me Jacob Elordi, Mia Goth dhe Oscar Isaac, u publikua më 7 nëntor në Netflix.
Çdo detaj i filmit, nga grimi i plotë i trupit të Elordi-t te peizazhet madhështore të “Gosford House”, është shtresuar me kujdes, duke përzier historinë me fantazinë për të krijuar një estetikë që është njëkohësisht e bukur dhe rrëqethëse. Kjo vlen sidomos për kostumet, të realizuara nga stilistja Kate Hawley.
Mia Goth, që luan dy role, Elizabeth, e dashura e shkencëtarit, dhe Clare, nëna e Frankenstein-it (shkencëtarit, jo përbindëshit), përfaqëson dy figura femërore ikonike.
“Si Clare dhe Elizabeth, Mia pasqyron imazhet kalimtare të grave, nënë, shenjtore, engjëll, grua, nuse,” shpjegon Hawley.

Për Clare, ajo u frymëzua nga periudha romantike, me vello dramatike dhe shtresa të tejdukshme që përçojnë ndjesinë e kujtesës së zbehur. Ndërsa për Elizabeth, ajo u mbështet në ilustrime shkencore të viteve 1850:
“Paleta e saj dominohet nga e gjelbra dhe vjollca, duke reflektuar ngjyrat e ndritshme të krahëve të brumbujve, qelizave, rrezeve X dhe kapakëve të librave viktorianë.”

Të gjitha veshjet, përfshirë ato të figurantëve, u krijuan nga e para nga ekipi i Hawley-t. Disa prej tyre kërkuan teknika tepër të ndërlikuara dhe punën e dhjetëra artizanëve.
“Ka një shall të veçantë që Elizabeth mban në film, i frymëzuar nga një pallto e periudhës,” tregon ajo. “Krijuam një dizajn me modele fraktale që kujtonin krahët e insekteve.”
Për bizhuteritë, ekipi bashkëpunoi me Tiffany & Co., ku Christopher Young, Drejtor Krijues i Patrimonit të markës, u bë pjesë e projektit. “Pasi pa botën që po ndërtonte Guillermo dhe skicat e mia, ai na hapi arkivat e Tiffany-t,” kujton Hawley.
Një nga veprat më të veçanta ishte një varëse me brumbuj nga viti 1914, e realizuar me teknikën e famshme të qelqit Favrile të Tiffany-t. “Qelqi i Favrile na frymëzoi për mënyrën si ngjyrosëm dhe trajtuam pëlhurat për të krijuar atë shkëlqim të brumbullt,” shton ajo. Goth e mban këtë varëse në skenën e saj të parë si Elizabeth, ku nuancat blu dhe jeshile të varëses harmonizohen në mënyrë perfekte me fustanin dhe veshjen me pupla.

Një tjetër moment që të lë pa frymë është varësja historike Wade Family, që Goth mban teksa luan në piano e veshur me një fustan me shkëlqim. Me 40.45 karatë diamantë të prerë në stilin europian, ky dizajn i vitit 1900 shfaqet për herë të parë në publik dhe debuton në film me “Frankenstein”.

Në skenat finale, veshja e “nuses së Frankenstein-it” është një simbol i gjallë i përbindëshit vetë: fustani imiton fashat dhe brinjët e ekspozuara të krijesës. Kryqi i kuq që mban në qafë është një referencë ndaj nënës së Frankenstein-it, që në fillim të filmit shihet me një vello të kuqe dhe simbolizon botën e ngarkuar me ikonografi fetare që del Toro ka krijuar.
Një nga veshjet më të guximshme të Elizabeth-it është këmisha e tejdukshme jeshile, një homazh modern ndaj filmave horror të viteve ’60.
“Guillermo donte që stili i saj të ishte shumë i thjeshtë, duke treguar formën e trupit,” shpjegon Hawley. “Ishte një referencë për filmat e tmerrit të asaj kohe, me një ndjesi uji dhe drieë të butë që përshtatej me skenografinë e Tamara Deverell.”
Në fund, çdo detaj, nga brumbujt e Tiffany-t te fustanet që ndriçojnë si fantazma, e kthen “Frankenstein”-in në një spektakël vizual ku moda dhe frika bëhen një. Dhe Mia Goth, me stilin e saj mes misterit, erotizmit dhe elegancës viktoriane, dëshmon pse është bërë ikona e re e “mbretëreshave të ulëritjes” në kinemanë moderne.





