
Hailey Bieber dhe Selena Gomez shmangën një përballje në Academy Museum Gala 2025, pasi ndezën sërish dramën e gjatë në marrëdhënien e tyre. Themeluesja e Rhode shijoi një mbrëmje gocash me mikeshën e saj më të ngushtë, Kendall Jenner, në eventin e yjeve në Los Angeles, të shtunën në mbrëmje (18 tetor).
Hailey, 28 vjeç, kishte veshur një fustan korse ngjyrë kafe, ndërsa ylli i “The Kardashians”, 29 vjeç, kishte zgjedhur një fustan të zi. Ndërkohë, Selena Gomez, 33 vjeç dhe bashkëshorti i saj, Benny Blanco, bënë paraqitjen e tyre të parë si çift i martuar në tapetin e kuq.
Ylli i serialit “Only Murders in the Building” zgjodhi një fustan të zi pa rripa, me një xhaketë të hedhur lehtë mbi supe, ndërsa Benny kishte veshur një kostum të zi me një këmishë mëndafshi lejla, për ta përputhur me stilin e bashkëshortes. Çifti, që u martua në shtator, u shfaq duke mbajtur duart plot dashuri teksa pozonin për fotografët.
Sel dhe Hailey ecën në tapetin e kuq në momente të ndryshme, pas sherrit të tyre në rrjetet sociale. Gjatë intervistës në “Wall Street Journal”, të publikuar më 14 tetor, Hailey u pyet se si ndihej për konkurrencën e linjës së saj kozmetike me të tjera marka dhe ndonëse ajo s’e përmendi drejtpërdrejt Rare Beauty, të themeluar nga Selena, tha ndër të tjera:
“Nuk ndihem në konkurrencë me njerëz që nuk më frymëzojnë”.
Ajo gjithashtu komentoi mbi krahasimet që bëjnë klientët mes markave, duke thënë:
“Është gjithmonë e bezdisshme kur të vënë kundër të tjerëve. Kur njerëzit duan të të shohin në një mënyrë të caktuar dhe kanë krijuar një histori në mendjen e tyre, nuk është detyra jote ta ndryshosh atë.”
Një përfaqësues i Hailey-t, e cila u martua me ish-të dashurin e Selena-s, Justin Bieber në vitin 2018, i tha Page Six se komentet e saj nuk ishin drejtpërdrejt për Selena Gomez. Megjithatë, Gomez reagoi ndaj deklaratave të Hailey-t përmes Instagram Stories, duke shkruar:
“Thjesht lëreni vajzën rehat! Ajo mund të thotë çfarë të dojë. Nuk ndikon aspak në jetën time. Këtu s’ka të bëjë me inteligjencën, por me rëndësinë. Jini të sjellshëm. Të gjitha markat më frymëzojnë. Ka vend për të gjithë. Dhe shpresoj që kjo të ndalojë një herë e mirë!”.
Prej vitesh, këngëtarja dhe Hailey janë vënë kundër njëra-tjetrës, pavarësisht përpjekjeve për t’i treguar botës se mes tyre ka paqe.