
Jo rrallëherë është diskutuar rrezikshmëria e monopatinave dhe faktit që rrisin numrin e aksidenteve, ndaj që prej ditës së nesërme, 13 tetor 2025, qarkullimi i tyre do të ndalohet përkohësisht.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Ky ndalim është bërë përkohësisht, derisa të përpilohet një plan i plotë. Deri atëherë, do të përgatiten rregulla të reja strikte, që do të përfshijnë lëvizjen, moshën dhe shpejtësinë, u shpreh ministrja.
“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë. Gjithashtu, dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrë biznesi për dhënien me qira ditore, që të mos investojnë në këtë aktivitet. Lejimi do të bëhet vetëm pas përfundimit të këtij procesi dhe do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve. Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të përcaktojmë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat elektrike mund të përdoren dhe ku jo, si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse si kaska, ndriçimi dhe shpejtësia e lejuar. Megjithatë, deri në hartimin e një kuadri të plotë rregullator, interesi publik kërkon ndërhyrje të menjëhershme”, tha Albana Koçiu.
Ndërsa Ilir Proda u shpreh se qysh prej vitit 2024, janë regjistruar 991 raste aksidentesh të shkaktuara nga skuterat.