Në vitet e fundit, termi “OCD” (dhe jo vetëm, edhe terma të tjerë klinikë si “bipolar” apo “narcist”) është bërë pjesë e fjalorit të përditshëm, veçanërisht në rrjetet sociale. Njerëzit e përdorin me lehtësi, shpesh për të përshkruar një prirje për rregull, pastërti apo kur duan të tregojnë që janë të vëmendshëm ndaj detajeve. “Jam pak OCD me shtëpinë time”, “duhet të jetë perfekt se kam OCD”, janë shprehje që thuhen lehtësisht nga ata që janë të pavetëdijshwm për peshën që mbart kjo fjalë kur shqiptohet nga goja e një personi që jeton realisht me çrregullimin obsesiv-kompulsiv. Ajo që për disa është një “quirk” apo estetikë e TikTok-ut për dikë tjetër është një burg mendor i përditshëm.
OCD nuk është rregull apo pastërti, është frikë.
Në thelb të tij, çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD) nuk ka të bëjë me dëshirën për pastërti apo përsosmëri. Është një çrregullim ankthi që karakterizohet nga obsesione/fiksime, mendime, impulsive apo imazhe të padëshiruara që pushtojnë ndërgjegjen dhe shkaktojnë ankth të niveleve shumë të larta dhe kompulsione, veprime ose rituale që kryhen për të neutralizuar këtë ankth. Këto veprime mund të jenë të dukshme (si larja e duarve në mënyrë të përsëritur) apo mendore (si lutjet apo numërimi në vete).
OCD nuk është “tendenca për pastërti”. Është frika e vazhdueshme se diçka e tmerrshme do të ndodhë nëse nuk kryen një ritual të caktuar. Një mendje që nuk mund të ndalet, që kërkon siguri absolute atje ku siguria nuk ekziston. Pacientët shpesh e përshkruajnë si një “terr emocional të pafund”, një qark i mbyllur midis ankthit dhe përpjekjes për ta shuar atë.
Por si lind ky çrregullim?
OCD është një çrregullim i ndërlikuar që buron nga ndërveprimi i faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe mjedisorë. Studimet tregojnë për një disbalancë neurobiologjike në qarkun fronto-striatal i cili lidhet me kontrollin e impulseve dhe vendimmarrjen. Gjithashtu, serotonins luan një rol kyç në modulimin e ankthit dhe sjelljeve kompulsive.
Por përtej trurit, ekziston edhe historia personale, ajo që shpesh nuk mund të matet me rezonancë magnetike. Shpesh, OCD zhvillohet pas periudhave të stresit kronik, ngjarjeve traumatike, humbjeve apo përgjegjësive të mëdha. Në shumë raste, individi ka një tipar personaliteti perfeksionist, me ndjeshmëri të lartë morale, një ndjenjë të thellë përgjegjësie që e bën të përjetojë faj edhe për gjërat që nuk varen prej tij. OCD mund të shihet si një përpjekje e dëshpëruar e mendjes për të rikthyer kontrollin në një botë që perceptohet si e rrezikshme ose e pasigurt.
Në platforma si TikTok apo Instagram, hashtag-u #OCD ka miliona klikime. Video me titra si “OCD aesthetic” tregojnë tavolina perfekte, shtrat të rregulluar me precizion apo ngjyra të sinkronizuara. Por ky është një shtrembërim i rrezikshëm. Kur një çrregullim klinik paraqitet si një formë “e bukur neurotizmi”, ndodh një shtrembërim i dyfishtë: ata që vuajnë realisht ndihen më të padukshëm ndërsa publiku i gjerë mëson një version të rremë të çrregullimit.
Ky fenomen i “romantizimit” të OCD-së ka pasoja të drejtpërdrejta. E para, stigmatizon vuajten e personave që jetojnë me këtë çrregullim duke i bërë të ndihen të keqkuptuar apo madje të turpëruar. E dyta, dëmton ndërgjegjësimin sepse krijon perceptimin se OCD është thjesht një mënyrë të qenuri i organizuar. Dhe e treta, kontribuon në vonesën e kërkimit të ndihmës profesionale pasi individët që kanë simptoma të vërteta mund të mendojnë se nuk janë “mjaftueshëm keq” për të pasur OCD thjesht sepse nuk përshtaten me versionin që shohin në rrjet.
Në praktikën klinike, OCD shpesh shfaqet në mënyra që shkojnë përtej pastrimit ose rregullit. Ka individë që kontrollojnë dhjetëra herë nëse dera është mbyllur nga frika se mund të ndodhë diçka e tmerrshme. Të tjerë që jetojnë me mendime të padëshiruara agresive, seksuale apo blasfemuese që i tmerron vetë fakti i ekzistencës së tyre. Ka pacientë që ndihen të “papastër” jo fizikisht por moralisht, e për këtë bëjnë rituale për t’u “spastruar” mendërisht. Nuk ka asgjë estetike tek kjo, është një luftë e përditshme midis arsyes dhe ankthit.
Por pse është kaq e lehtë ta keqkuptojmë OCD-në?
Sepse në sipërfaqe, OCD shpesh maskohet si rregull, përpikmëri apo “kujdes i tepërt”. Shoqëria shpesh i lavdëron këto cilësi. Por ajo që shohim është vetëm shtresa e jashtme, një përpjekje për të mbajtur nën kontroll diçka që brenda është krejtësisht e paqëndrueshme. Në fakt, shumë persona me OCD janë jashtëzakonisht të vetëdijshëm për absurditetin e ritualeve të tyre por nuk mund të ndalen. Kjo është ajo që e bën çrregullimin kaq të dhimbshëm dhe të lodhshëm: konflikti midis ndërgjegjësimit dhe frikës.
Trajtimi i OCD-së kërkon kujdes, durim dhe një qasje profesionale shumëdimensionale. Terapia konjitiv-bihejviorale (CBT) është ndër qasjet terapeutike më të efektshme sepse ndihmon individin të përballet me frikën pa ndjekur ritualin që e shuan përkohësisht. Por mbi të gjitha, trajtimi fillon me ndërgjegjësimin, ndërgjegjësimin se ajo që po përjeton nuk është thjesht “stres”, “perfeksionizëm” apo “ves”. Është një çrregullim i diagnostikueshëm dhe i trajtueshëm që meriton seriozitetin dhe vëmendjen e duhur, jo banalitetin e një hashtag-u.
Në fund, duhet t’a themi me zë të lartë: OCD nuk është një mënyrë për ta bërë jetën “më të rregullt” por një luftë e vazhdueshme me mendjen. Dhe nëse secili prej nesh ka ndonjë detyrë etike është të mos e romantizojmë dhimbjen por të ndihmojnë në trajtimin e saj.
Në praktikën time klinike, kam parë njerëz që kanë kaluar vite të tëra duke fshehur ritualet e tyre, duke mos guxuar t’u tregojnë të tjerëve frikën që i përpin. Dhe kur më në fund e kuptojnë se ajo që kanë nuk është “çmenduri”por një çrregullim që mund të trajtohet, shpesh është hera e parë që ndihen të lirë.
Dhe ndoshta ky është mesazhi që duhet të përhapim në vend që t’a kthejmë në trend: që pas çdo mendimi të padëshiruar ka një njeri që përpiqet me gjithë fuqinë e tij të mos humbasë kontrollin mbi vetveten dhe ky nuk është trend, është guxim.
Nga Ilva Mile, Psikologe Klinike e liçensuar.