
Pas një periudhe të artë me çmime marramendëse dhe një kërkesë të çmendur në treg, duket se fenomeni Labubu po zbehet. Siç shkruan Forbes, çmimet online për këto kukulla janë ulur në vetëm 20 dollarë për copë, një rënie e ndjeshme krahasuar me kulmin e tyre. Me shumë gjasë, së shpejti do t’u duhet t’ia lëshojnë vendin aksesorit të radhës që do të marrë vëmendjen. Fundja, tregu global i trendeve duhet të ecë përpara.
Labubu përjetuan kulmin e famës, me disa versione koleksionuesh të tyre që arritën deri në 2,000 dollarë për një lodër të vetme. Por tani, duket se në horizont po shfaqet një emër i ri: sipas Forbes, pasardhësja e mundshme mund të jetë një tjetër kukull me gëzof, Hirono Living Wild Doll, e cila po fiton popullaritet me shpejtësi.
Vëmendja për këtë kukull erdhi pasi u pa në duart e Kim Taehyung, anëtar i grupit të famshëm koreano-jugor BTS. Që nga ai moment, interesi ndaj Living Will Doll është rritur ndjeshëm, dhe disa nga versionet e kësaj kukulle tashmë po rishiten në eBay për rreth 175 dollarë, trefishi i çmimit të saj origjinal.
Për kujtesë, Labubu u krijua nga artisti Kasing Lung rreth dhjetë vjet më parë, dhe u prezantua për herë të parë në librin e tij të ilustruar Trilogjia e Përbindëshave. Në vitin 2019, Pop Mart bleu të drejtat e dizajnit dhe i shndërroi ato në lodra koleksionuese, duke i kthyer në një mani globale.
Që atëherë, kemi parë emra të njohur si Rihanna, Dua Lipa dhe shumë influencerë në rrjetet sociale që i mbajnë këto lodra, ndërsa videot e tyre të “unboxing”-ut (hapjes së paketimit) në TikTok nxitën një trend të jashtëzakonshëm.