
Bota e shkencës dhe e mjedisit ka humbur një nga figurat më të mëdha të saj. Primatologia e famshme botërore Jane Goodall ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, ndërsa ndodhej në Kaliforni, pjesë e një turi ligjëratash në SHBA.
Lajmi u bë i ditur nga Instituti Jane Goodall, i cili tha se ajo u nda nga jeta për shkaqe natyrore.
“Zbulimet e saj revolucionarizuan shkencën. Ajo ishte një zë i palodhur për mbrojtjen dhe rikthimin e botës natyrore”, thuhej në deklaratë.
Jane lindi në Londër në vitin 1934. Dashurinë për kafshët e kishte që e vogël dhe në fund të viteve ’50 u zhvendos në Afrikë, ku filloi punë me një arkeolog. Shumë shpejt, në vitin 1960, nisi kërkimet mbi shimpanzetë e egra në Tanzani, kërkime që do ta bënin emrin e saj të pavdekshëm.
Në atë kohë ishte vetëm në të 20-at, por arriti të sfidonte bindje shkencore të rrënjosura: ajo vërtetoi se shimpanzetë dinë të përdorin mjete dhe se nuk janë vetëm barngrënës.
Edhe pse në të 80-at, Jane nuk u ndal kurrë: shkroi libra, mbajti ligjërata dhe gjatë pandemisë nisi një podcast të quajtur Hopecast, ku bisedonte me aktivistë e shkencëtarë të tjerë për të ardhmen e planetit. Në vitin 2022, kompania e njohur e lodrave “Barbie” krijoi një kukull në figurën e saj, si pjesë e serisë që nderon gratë frymëzuese.
Në kujtimet e saj, Jane shpesh kthehej tek fëmijëria. Ajo tregonte se si u fut një ditë fshehurazi në një kotec pule, për të parë se si vinin vezët. Kur nëna e gjeti pas disa orësh, në vend që ta qortonte, e dëgjoi me kureshtje. Ishte pikërisht kjo mbështetje e nënës që e shtyu Jane drejt ëndrrës së saj.