
U treta në mungesën e gjithësisë tënde, aq sa nuk arrita të rilind më. U dashurova marrëzisht me ëndrrat imcake që mjegullisht veniteshin në mua, teksa ti gjendeshe pranë meje.
Nuk e di sa libra kam nisur e kam lënë as përgjysmë gjatë gjithë kësaj historie. Flaka e vuajtjes ndizet mbrëmjeve, kur qiriri i qiellit është i vetmi që më ndriçon, e unë, zhveshur nën ngrohtësinë e akullt të tij, ndiej se mund të shpalos fletët e shpirtit tim; ato fletë që ti nuk i lexove dot kurrë.
Ndonjëherë mendoj se, mbase, gjuha e tyre ishte e pakuptueshme, se ndoshta nuk ishte faji yt. Por dashuria është si filli i Arianës; gjithnjë të nxjerr nga mirazhet e labirinteve pengore të ekstazës.
Teksa ndonjë lot i paqëllimtë ngroh faqet e mia, brenda meje ngrijnë të gjitha pështjellimet e ndjeshmërisë frymore, e unë ndihem e paaftë për të bërë diçka. Ose mbase nuk dua të bëj diçka. Nuk di cilën të besoj më tepër.
Por çfarë rëndësie mbart një gjë kaq e vogël, e pakuptimtë? Fundja, ç’peshë ka loti im? Ç’kuptim kanë pështjellimet e mia, kur përbrenda po digjem nga e pathëna?
Por mbase kjo është përgjigjja ime.
Mbase kjo është e vetmja mënyrë për të të dashur deri në fund…
- Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].