
Fifi bëri një rikthim në botën e intervistave dhe e ftuar në “Pardon My French”, foli ndër të tjera për karrierën e saj muzikore. Këngëtarja u shpreh se në një pikë të caktuar të karrierës, ndjeu njëfarë presioni për klikime dhe për të qenë virale.
“E kam pas ndjerë këtë presionin derisa erdhi një moment dhe thashë: “Duhet vetëm të krijoj muzikë”. Që prej këngës “Zemrën”, kam thënë që do të nis tani që të publikoj dhe të bëj vetëm muzikë që mua më pëlqen dhe të mos them vetëm: “Të bëj një hit”.
Më tej, u shpreh se askush nuk e di se cila këngë mund të bëhet hit dhe cila jo, por pranoi se është ndikuar nga “aroma bastarde” e muzikës gjatë viteve të fundit.
“Kur unë i kam bërë këngët më të bukura të jetës sime kam thënë që dua të bëj një këngë të mirë që njerëzit të më dëgjojnë mua dhe këtë gjë e kam përdorur deri tek kënga “Hana”. Pastaj, nisa të influencohesha prej tregut dhe aromës bastarde që lëshon muzika këto vitet e fundit”.
Megjithatë, Fifi shtoi se ka zgjedhur të rikthehet sërish te dëshira për ta bërë muzikën siç ajo e ndjen, pa ndikimin e rrymave dhe artistëve të tjerë. Ajo u shpreh se nuk i dëgjon këngët e saj. Këtë e bën veç kur nuk kanë dalë ende, pasi e sheh nëse do të ndryshojë diçka ose jo.
“Këngët e mia unë nuk i hap t’i dëgjoj të them të drejtën. Këngët që unë i dëgjoj janë vetëm këngët e reja që nuk kanë dalë ende dhe më duhet që t’i hap që të shikoj nëse duhet të ndryshoj ndoshta diçka. I dëgjoj në momente të ndryshme që të shikoj nëse ma japin sërish emocionin e njëjtë; a ja vlejnë ose jo”.