
Gjykata Themelore në Gjilan ka lëshuar një urdhërarresti kundrejt Arbenita Ismajlit, pasi dyshohet se ajo nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës që vajza e saj, Nina, të takojë babanë biologji Feronit Shabani (a.k.a Fero), duke kryer kështu veprën penale të “Mospërfilljes së vendimeve gjyqësore” dhe “Marrjen apo mbajtjen e kundërligjshme e fëmijës”, sipas medieve në Kosovë.
Në qershor të këtij viti, është nisur një hetim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, bazuar në dyshimin se Arbenita nuk e ka respektuar vendimin e formës së prerë nga gjykata.
Gjykata e Shkallës së Parë në Gjilan (sipas Klan Kosova) konfirmoi vendimin për urdhërarrestin ndërkombëtar, ndërsa bëhet me dije se Arbenita, që prej marsit të këtij viti, me bindje dhe dashje, nuk ka ekzekutuar urdhrin e vendimit të gjykatës. Organi i akuzës ka ngritur aktakuzë ndaj Ismailit, të cilën e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore më 10 korrik, duke e akuzuar për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës”.
Sipas vendimit të mëparshëm, Arbenita, edhe pse është në dijeni të ligjit që e detyron të lejojë takimet mes vajzës dhe të atit, Feros, sërish nuk e ka bërë, duke i shkaktuar dëmtim psikologjik Feron.
Në vendimin e lëshuar nga gjykata për kujdestarinë e Ninës, thuhet se Fero mund ta takojë 2 herë në muaj vajzën, në fundjavën e parë dhe të tretë të muajit, pranë Qendrës për Punë Sociale në Gjilan.
Arbenita Ismajli e ka fituar të drejtën e kujdestarisë për vajzën në vitin 2024.
Në qytetin e Gjilanit ka aktakuzë edhe ndaj Feros, për tri vepra penale: dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje. Sipas aktakuzës, Fero akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe sjellje kërcënuese ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arbenita Ismajli, në periudhën qershor – tetor 2024.
Vendimi i gjykatës vjen pasi Fero, publikisht, tregoi se nuk e ka takuar prej një viti vajzën e tij.