
Bashkëbiseduesit tim gjysmë perfekt,
E di që ti nuk do ta lexosh këtë letër, prandaj po e shkruaj, ose ndoshta po shpresoj që ti ta lexosh, nuk e di. Ndonjëherë as nuk e di pse të shkruaj. Ndoshta sepse më janë mbledhur kaq shumë mendime dhe nuk di si t'i largoj nga vetja, ose sepse këto fjalë po ma rëndojnë shpirtin. E ndiej të të shkruaj sepse duhet t'i lë pas, duhet t'i lë diku këto ndjenja që nuk kanë ku shkojnë, nuk kanë si mbrohen, nuk dinë ku të ngushëllohen. Duhet të paktën t'i lë diku të shkruara, sepse në shpirt nuk mundem më t'i mbaj.
Para se të të njihja ty isha një vajzë kaq e zakonshme, një vajzë gati-gati e fiksuar me rutinën e saj dhe që nuk bënte gjë tjetër veçse e ndiqte atë dhe i prishej humori kur gjërat nuk shkonin ashtu siç ajo i kishte parashikuar. Pastaj, një mbrëmje të bukur vjeshte vjen ti…
Ti erdhe, pa thënë asgjë, pa pyetur, u ule këmbëkryq nëpër qenien time dhe nuk më tregove kurrë pse preke shpirtin tim. Nuk më dhe kurrë shpjegim, as kur erdhe, as kur ike, as kur u riktheve, as kur të pata, as kur nuk të pata.
Pikërisht në këtë moment, në momentin që ti hyre në jetën time, rutina ime u prish e unë nuk gjeta më kurrë paqe. Ne u njohëm nëpërmjet rrjeteve sociale, rrjedhimisht gjithkush mund të mendojë se sa mundet një njeri të ta prishë rutinën thjesht virtualisht. Mundet! Mundet që ç’ke me të! Ti u bëre mëngjesi dhe mbrëmja ime, u bëre shoku im i heshtur, buzëqeshja ime e fshehur, arsyeja pse mërzitesha, arsyeja pse kritikoja veten nëse ti mërziteshe prej meje.
Ti, zemra ime, u bëre arsyeja pse unë fillova të lë shumë gjëra dhe njerëz pas dore. Unë, duke të të dhënë gjithë kohën time ty, lashë pas dore aktivitetin fizik, lashë pas dore shumë takime shoqërore, lashë pas dore deadline-t e punës, injoroja telefonata, nuk bëja të tjera që supozohej t'i bëja, ndërpreva komunikimin me shumë njerëz e nuk di se sa gjëra të tjera.
E thënë në këtë mënyrë, dikush mund të mendojë "kaq shumë paskan folur vallë?" Hah! Sikur të ishte vërtet ashtu. Në fakt, unë injoroja çdo gjë dhe çdokënd sepse doja të isha aty kur të të binte ndërmend për mua, numëroja ditët kur kishim folur për herë të fundit, numëroja ditët kur ta kisha degjuar zërin për herë të fundit, rilexoja bisedat tona, dhjetëra ose qindra herë, unë lutesha për ty, ti ishe (je) lutja ime çdo ditë. Ti u bëre kaq i largët, nuk shkruaje më çdo ditë, nuk pyesje më çdo ditë, nuk xhelozoje më për mua, nuk shqetësoheshe njëjtë si në fillim, diçka në ty ndryshoi, vdiq.
Por unë nuk ndryshova dot, unë ngeca në atë çastin që u dashurova me ty, mbeta në atë moment që ti e harrove. Unë mbeta te biseda jonë e parë, bisedë që zgjati deri në të gdhirë, mbeta te zëri yt, te buzëqeshja jote teksa dëgjoje shakatë e mia pa lidhje fare, mbeta te përqafimi që u ofrove të më jepje, mbeta te zënka jonë e parë, mbeta aty ku më the që doje të flisje me mua më shumë se dje. Ah mor shpirt, sa të vështira kanë qenë ato ditë. Premtova të t'i tregoja sa të vështira kanë qenë, sa shumë i kam vuajtur, por ne nuk kemi folur akoma.
Ne u takuam, u prekëm, ne bëmë dashuri, ne ndjemë njëri-tjetrin fizikisht pas aq shumë muajsh bisedash virtuale, por ne akoma nuk kemi folur, ti akoma nuk e di sa më ke ndryshuar, ti akoma nuk e di sa shumë të vuaj edhe kur të kam në krahët e mi.
Gjatë gjithë atyre muajve që ti nuk ishe në Shqipëri, të kam vuajtur. Vuaja injorimin tënd, largësinë tënde, vuaja vuajtjet e tua. Unë e dija, e dija që edhe për ty ishte shumë e vështirë, i kuptoja vështirësitë e tua, e ndieja se si ta kishin shuar dritën, shpirtin dhe shkëlqimin që të karakterizonte. E kuptoja që ta kishin vrarë dëshirën për çdo gjë, por ti nuk e kuptove kurrë që pikërisht në atë moment unë doja të isha më shumë për ty, doja të të mbështesja, doja thjesht të isha për ty. Ti nuk ma dhe kurrë mundësinë të ta mbaja dorën, se pranove kurrë ndihmën time. Akoma nuk e di nëse nuk e doje apo se kjo do të të bënte më pak burrë në sytë e mi.
Në ato muaj kam kaluar ditë të vështira dhe më shumë të vështira, duke menduar për ty, duke menduar çdo skenar të mundshëm, duke ndier që po më ikje. Ditët deri diku kalonin më lehtë, puna, njerëzit, angazhimet, zhurmat, të gjitha këto e ulnin intensitetin tënd në gjithësinë time, por netët, ah netët, ato vrisnin më shumë se çdo moment. Netët ishin gjithmonë tuat, mendimet e mia ishin tuat, trupi im dorëzohej, mendja rëndohej, lutjet shtoheshin, po ashtu shtoheshin edhe vuajtjet, edhe lotët…
E kam para syve veten time të mbledhur sa një grusht në një cep të krevatit, si qaja, ulërisja, bërtisja derisa të mos kisha më fuqi. Është shumë paradoksale se si i lutesha Zotit që ti të paktën të ishe mirë, i premtoja që nëse ti ishe mirë, do bëhesha edhe unë mirë. Por pastaj, pastaj direkt i lutesha të ma ndalonte këtë vuajtje, i kërkoja të të largonte ty nga mendja ime, doja të të shkulja prej shpirtit, prej zemrës, prej vetes. Të të them një sekret? Akoma nuk më është dëgjuar kjo lutje.
Sa mund të qajë njeriu për dikë që s'e ka takuar kurrë? Sa mund të vuajë njeriu për dikë që s'e ka patur kurrë? Nëse më pyesin mua, e vuan më shumë sesa për një njeri që njeh. Sa herë ti zhdukeshe virtualisht mua nuk më mbetej asgjë, nuk kisha asnjë kujtim veç bisedave tona. Nuk kisha një aromë që ta nuhasja, nuk kisha një puthje që t'i kujtoja shijen, nuk kisha një përqafim që të më ngrohte shpirtin, nuk kisha asgjë tënden. Pasi qaja e qaja, ngrihesha, laja fytyrën dhe shihja veten për disa minuta në pasqyrë, e shpërfytyruar, me sy të skuqur e të enjtur pështyja mbi reflektimin tim që veç imi nuk ishte.
Betohesha, bëja bé që nuk do ta bëja më, nuk do të të shkruaja më, nuk do të të ktheja më përgjigje kur më kishe injoruar për ditë të tëra. E mblidhja veten, mbaroja çdo gjë që kisha lënë pa bërë, dilja para njerëzve si ajo vajza e fortë që më njohin, bëja punën, bëja detyrat e mia si bijë, motër, shoqe, kolege, bëja detyrën si pjesë e çdo komuniteti ku jam. Vetëm kaq, bëja detyrën, sepse dëshira ime kishte vdekur me kohë. Unë vdisja sa herë lija derën e apartamentit tim të mbyllej pas krahëve të mi, vdisja sa herë shtrihesha në krevatin tim dhe i dorëzohesha sërish vuajtjes së mungesës tënde.
Pastaj "ting", ja ku shfaqej emri yt në telefonin tim. (Emri yt ishte bërë fjala ime e preferuar, ti u bëre njeriu im i preferuar; çdo gjë që vinte prej teje, gjëja ime e preferuar). Ti vije kaq qetë, ti nuk i dije stuhitë që kisha kaluar, ti nuk i dije vuajtjet e mia, por ti e dije që unë isha aty, gjithmonë gati për të t'u përgjigjur.
Edhe pyetja më idiote, që unë e urrej, “Ça po bën?” më bënte të harroja gjithçka dhe të të përgjigjesha me çdo gjë që isha duke bërë. Kaq mjaftonte dhe unë dorëzohesha sërish, harroja sa kisha qarë, harroja për çfarë isha betuar, harroja sa më kishin rënduar netët pa ty, derisa harrohesha në bisedat me ty. Ti ishe aty dhe kjo për mua kishte rëndësi, ti ishe i imi në atë moment dhe për mua kjo kishte rëndësi.
Për dreq, nuk më largove kurrë me fjalë, më thoje sa të kishte marrë malli, më thoje hallet e tua, e kuptoja nga zëri yt që nuk ishe mirë, e kuptoja që nuk doje të ishe aty ku ishe, e ndieja në heshtjet e tua të gjata, minuta pa folur, vetëm frymëmarrja jote e rënduar dëgjohej. Pastaj ti qeshje me mua, e mbaj mend shumë mirë si qeshje nga shpirti me bisedat tona, harroje problemet e tua dhe ashtu si unë me ty, ti përhumbeshe me mua. E kështu, buzëqeshja jote bëhej sërish shërimi i plagëve të mia.
Kjo nuk ishte një herë, kjo ndodhte gjithmonë, kjo ndodhi për muaj të tërë. Dhe një ditë, ja ku erdhi momenti, ti u ktheve në Shqipëri, ishim të dy në të njëjtin qytet, thithnim të dy të njëjtin ajër, ora jonë tashmë e tregonte kohën njësoj. Sa frikë kisha unë të të takoja, sa i druhesha atij momenti, sa e kisha pritur, por Zot sa i druhesha. Folëm që do të takoheshim, sa u përgatita, zemra më dilte vendit, kisha kaq shumë dëshirë ta flisja me ty çdo emocion që më jepte ky takim i shumëpritur, por një natë para ndodhi ajo që ndodhte gjithmonë, ti u zhduke sërish.
Nuk shkruajte, asnjë përgjigje prej teje, asgjë fare. E unë të prita, kisha lënë gjithë ditën të lirë për të të takuar ty, të prita, të prita aq gjatë atë ditë sa m'u duk sikur jetova tri ditë, të prita të më shkruaje qoftë një mesazh ku më thoje se nuk do vije, por ti as këtë nuk e bëre. Çdo minutë që prisja ishte një thikë e ngulur në shpirt, një shuplakë e fortë. Qava prapë, zura sërish cepin e krevatit tim dhe i mbyta ulërimat dhe lotët e mi në jastëkun tim. Pastaj u ngrita, u vesha bukur, hodha parfumin tim të preferuar dhe dola, nuk dija ku të shkoja kështu që vendosa të ecja, pa qëllim, pa destinacion, kuturu.
Kaluan ditë, unë nuk të shkruajta, ti e di që unë nuk të shkruaj kurrë mbi mesazhet e mia që ti i ke injoruar. Pastaj, ndodhi prapë ajo që ndodh gjithmonë, ti më more në telefon dhe me qetësinë tënde, sikur të mos kish ndodhur asgjë, më pyet ku jam dhe gati-gati më lutesh të të takoj. A më vrave ti për të disatën herë para disa ditësh kur nuk erdhe? Po! A isha unë që pranova të të takoj? Po! A kisha unë fuqi të refuzoja diçka që e kisha pritur prej muajsh? Jo! Dhe ja ku e gjej veten duke u dridhur teksa zbrisja shkallët e pallatit, duke u munduar të mbaj lotët.
Ja ku ishe ti, të njoha që larg, afrohesha drejt teje dhe më dukej sikur thërrmohesha teksa afrohesha, sikur nuk do arrija kurrë tek ti. Fiks kur unë ndjeva që këmbët e mia s’po më mbanin më, u afrove ti, më përqafove, unë nuk doja të të lija të më përqafoje, nuk doja të të dorëzohesha menjëherë, por ti nuk më pyete çfarë doja unë, ti më shtrëngove aq fort sa nuk kisha fuqi as të flisja.
Ai përqafim sikur i dha botës kuptim, sikur çdo pjesë e imja kishte pritur të mbahej prej teje. Krahët e tu rreth meje zbutën çdo gjë, u ndjeva e sigurt, e parë, e dëshiruar, e dashuruar. Nuk ndjeva veç prekjen tënde, ndjeva zemrën tënde që rrihte karshi times. Mund të betohem që nuk ishte vetëm fizike, shpirtrat tanë u përqafuan dhe çdo gjë rreth nesh ndali.
Nuk di sa zgjati ai moment, disa minuta ose disa sekonda, kush e di. Do kisha dashur të mos kish mbaruar kurrë, por fill pas atij përqafimi, ti prapë nuk pyete se çfarë doja unë, por bëre si deshe dhe më puthe. Puthje që më zhduku çdo mendim, më fshiu çdo fjalë që kisha përgatitur për të të thënë. Edhe një herë, çdo gjë rreth nesh ndali, të paktën mua ashtu m'u duk, u ndjeva aq e lehtë, sikur më çove peshë, ajo puthje m'u duk si një premtim, sikur i dhamë shpirtin njëri-tjetrit. Më në fund, tani mund të nuhasja aromën tënde, njoha shijen e puthjes tënde, ndjeva ngrohtësinë e përqafimit tënd.
Dhe ja ku jemi, fund korriku, tashmë më ka humbur numërimi i ditëve që jemi takuar, i herëve që jemi përqafuar, puthur, nuk e di sa herë kemi bërë dashuri që prej natës së parë që u takuam. Ne nuk folëm, nuk folëm fare, thjesht e gjetëm veten në krahët e njëri-tjetrit. Nuk e di sa herë i kemi thënë njëri-tjetrit "të dua", sa kemi qeshur, sa xhiro kemi bërë nëpër Tiranën e pasmesnatës, kush po i numëron fundja.
Ne flasim shumë, flasim për punët, hallet tona, për njerëzit që duam ose edhe për ata që nuk duam, unë tashmë di shumë gjëra për ty, ti po ashtu di shumë gjëra për mua. Unë njoh mimikat e tua, njoh buzëqeshjen tënde ironike, atë triumfuese, atë që të del nga shpirti, e di kur do të më puthësh, e di kur do më ngacmosh, e di kur tallesh me gatimet e mia, e ndiej ironinë tënde kur më pyet nëse kam shkruar sot në ditarin tim, e di që nuk do të të flasësh kur sapo je zgjuar, por di gjithashtu si të të bëj të ndihesh më mirë.
Ti e di kur mërzitem, kur xhelozoj për ty, di si të më nxjerrësh nga sistemi kur “pa dashje” fut elementë të padëshiruar në bisedat tona, ti e di kur dita jashtë më ka lodhur dhe pikërisht atëherë vjen dhe më përqafon pa më thënë asgjë, fort, pa folur, më fort akoma deri sa unë të kërkoj të më lëshosh se “ma more frymën”.
Por ne shpirt, ne nuk njohim as të shkuar e as të ardhme, ne nuk flasim për ato muajt që shpirti im ka rrjedhur gjak, nuk flasim për problemet me të cilat ti je përballur i vetëm në dhé të huaj, ne nuk flasim as për të ardhmen, unë nuk e di nëse ti do ikësh sërish. Nëse jo, ç’do ndodhë me ne? E nëse po, kur do ikësh? Ç’do ndodhë me ne edhe nëse ikën?
Nuk flasim për momentet kur ti më telefonon në orën tre të mëngjesit dhe më kërkon të të hap derën, se si vjen dhe strukesh në krahët e mi dhe më kërkon vetëm të të përqafoj e mos të të lë kurrë. Unë nuk e di çfarë të çon ty në atë gjendje, nuk di si të të nxjerr nga ajo gjendje, di vetëm që në krahët e mi bëhesh një fëmijë që shpirti po i heq shumë.
Pse nuk flet me mua? Ti nuk më lejon as mua të flas me ty. Të pata thënë që kur të jemi përballë do të t'i tregoj të gjitha përjetimet e mia dhe re dakord, por tani, tani sapo unë nis të të tregoj, ti ma mbyll gojën me puthje, më përqafon, më ndërron temën, më thua që nuk do që unë të mërzitem, sikur të tremb ajo që do të dëgjosh.
Por ku e di ti sa herë jam mërzitur unë, ku e di ti sa herë kam qarë unë, ku e di ti sa herë më ka rënduar shpirti, ku e di ti sa net jam lutur për ty? Sa herë lutesha për ty, lutesha edhe për veten, i kërkoja Zotit të ma lehtësonte dhimbjen e madje i kam kërkuar të ma merrte jetën që të ndaloja së ndjeri. Kur ti fle në krahët e mi, kur fryma jote përplaset në lëkurën time, i kujtoj ato net, kujtoj sa kam qarë, kujtoj mendjen që i ulërinte zemrës, e kritikonte, e bënte rezil që të dorëzohesha aq lehtë… e ti sërish më lëndoje me mungesën tënde.
Por sot, si mundet zemra ime t’ia shpjegojë trurit tim që kur të kam në krahë ndjesia që më përfshin nuk ka fjalë, nuk ka logjikë, është një gjendje që s’mund të përkthehet. Thellë-thellë, edhe unë kam frikë të flas, kam frikë se mos ndoshta e dreqos dhe të humb. Sa herë ti del nga dera, druaj se do të jetë e fundit, kam frikë se nuk do të të shoh më, se nuk do të të degjoj më.
Unë jetoj për momentet tona bashkë, për buzëqeshjen tënde, për veten time kur jam me ty, për mënyrën se si ti më bëhesh strehë. Si ta përshkruaj ndjesinë që më përfshin kur vjen, kur më përqafon dhe harrojmë ta mbyllim derën, si ta përshkruaj që në momentin që jam me ty bota rreth meje ndal, hesht dhe çdo gjë tjetër tretet? Në momentin që trupat tanë bëhen një, unë nuk jam më unë, bëhem ti. Si harrohet aroma jote që lë në rrobat e mia, në trupin tim, nëpër çdo dhomë të shtëpisë që dikur ishte vetëm e imja?
Për mua nuk ka vlerë asgjë nëse ti qesh, nëse ti je me mua. Si t’ia shpjegoj trurit që kur ti më thua “të dua” unë fluturoj. Për mua nuk ka të paguar momenti kur, pasi sapo kemi bërë dashuri, më puth duart, ballin, më rregullon flokët, më pyet nëse jam mirë, më pyet nëse kam nevojë për ndonjë gjë, pastaj rri përballë meje, më shikon, me shikon aq thellë sa mund të betohem që shikimin tënd e ndiej të më ngulet në fund të shpirtit.
Ndjesia që më jep përqafimi yt kur bëhemi gati të flemë nuk shpjegohet, aty ndihem aq e sigurt, e mbrojtur, rehat, freskët në këtë vapë të çmendur, aty mund të vdes e lumtur. Po si shpjegohet kënaqësia që marr kur ti pi cigare në ballkon dhe më buzëqesh përtej xhamit teksa më shikon me ata sy që fshehin aq shumë, por unë e di që më dashurojnë, e di, e ndiej, e lexoj.
Ti shpirt, je bashkëbiseduesi im i preferuar, bashkëbiseduesi im gjysmë perfekt. Je dëgjuesi më i mirë që kam njohur, nuk të shpëton asgjë, as emra, as ndjesi, as përjetime. Ti më dëgjon, më dëgjon edhe kur përsëris veten, edhe kur dal nga tema, edhe kur deliroj mes bisedash pa rëndësi. E di si e di unë këtë? Sepse ti m'i puth gjithmonë sytë para se unë të filloj të qaj, ti e di që do më zbresin vuajtje dhe jo lot nëpër faqe. Ti luan këngët e tua të preferuara në telefon dhe vazhdon më dëgjon. Ti je gjithmonë aty, ti rri aty. E buzëqesh. Dhe unë vazhdoj të flas, sepse ti më jep ndjesinë sikur e gjithë bota po më dëgjon.
Por a e di ku vjen gjysma jote jo perfekte? Ti nuk flet. Ti hesht. Edhe kur shpirti yt është rrëmujë, edhe kur sytë e tu ulërijnë për ndihmë, ti nuk flet. Këtë e kam ditur gjithmonë, e kam ditur kur biseda jonë zgjaste më shumë se pesë orë dhe ne kishim folur vetëm dy orë në total, tri orët e tjera ishe ti që heshtje dhe unë që të dëgjoja.
Ti nuk flisje, as unë, ti nuk flije, as unë, ti shfryje dhe unë qaja. Edhe sot, ti më shikon drejt në sy për shumë gjatë, më buzëqesh sikur do të më thuash që s’ka asgjë dhe pastaj shfryn për të përcjellë fjalët që mban në fyt, më puth kokën, më merr pranë vetes dhe rrimë ashtu përqafuar derisa të na marrë gjumi.
Pse nuk flet me mua? Pse më je bërë peng? Pse më bën të ndihem fajtore, e paplotë? A nuk kam mundur të ta prek shpirtin, siç ti ke prekur timin? Pse tregohesh kaq i pashpirt me mua? A je kaq i ftohtë me të gjithë apo vetëm me mua? Apo ndoshta s’ke shpirt fare dhe unë e dogja veten mes flakëve që i ndeza vetë?
Sa e dhimbshme qenka të duash një njeri që nuk të lejon t’ia dëgjosh ndjenjat. Sa e vështirë qenka të dashurosh dikë që nuk i flet shpirti. E unë po vdes, çdo ditë, në buzëqeshjen tënde dhe në atë puthje që nuk më shpjegon asgjë.
- Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].