Social Buzz

Nisur nga përçarja në familjen Beckham: Pse jemi të fiksuar me dramat e VIP-ave?

Shkruar nga Anabel

7 Qershor 2025

Nisur nga përçarja në familjen Beckham: Pse jemi të
Getty

Sherri i javës mund të jetë ai mes Donald Trump dhe Elon Musk, ama, sërish, edhe drama që po ndodh mes çiftit Beckham dhe Brooklyn & Nicola-s është super interesante. Në dukje, ata ishin perfektë, derisa u përhap thashethemi se në fakt, Victoria dhe David nuk kanë më raporte me të birin dhe nusen e tyre.

Drama ka edhe një emër, “Beckxit”, një nofkë me të cilën i ka pagëzuar Daily Mail që i referohet “Beckham” dhe “exit”. Ky konflikt përfshin një dramë të gjerë, e cila thuhet se ka nisur në vitin 2022, kur Nicola zgjodhi të martohej me një fustan të krijuar nga Valentino dhe jo nga vjehrra e saj.

Duhet pranuar: Tekat dhe dramat e V.I.P-ave janë të tilla, thjesht lindin dhe askush nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, megjithatë, vëmendja jonë është 100% te këto drama. Gjërat mes dy çifteve u acaruan dukshëm kur Nicola dhe Brooklyn nuk u shfaqën në asnjë foto të festës së 50-vjetorit të David Beckham. Që asokohe, çdo postim në Instagram-in e tyre është analizuar me imtësi nga mediat.

Nisur nga përçarja në familjen Beckham: Pse jemi të
Getty

Kështu, duke marrë parasysh interesin tonë, pse jemi kaq të fiksuar për dramat e njerëzve që as nuk i njohim fare personalisht dhe as nuk janë në dijeni të ekzistencës tonë?

“Ka të bëjë me intrigën dhe pushtetin [dhe] me familjen Beckham. Por, më gjerë, këto lajme janë një shpëtim nga realiteti politik dhe lajmet e zymta. Na tërheqin sepse supozohet që janë më të pasur dhe më të arrirë se ne – dhe kur shohim një të metë që pasqyron jetën tonë të përditshme, na bën të ndihemi më mirë me veten”, shprehet Dr. Kadian Pow, lektore në fushën e sociologjisë në universitetin e Birmingham.

Në librin e saj “The Stars in our Eyes” nga viti 2017, autorja Julie Klam e krahason pasionin tonë për të famshmit me një pasqyrë që nuk tregon shëmbëlltyrën, sikur ata janë ndërtuar për të na mbajtur nën kontroll.

“Nëse arrijmë të kuptojmë marrëdhënien tonë me të famshmit, mund të kuptojmë më mirë veten. Të famshmit janë të përsosur – derisa nuk janë më”, shprehet ajo.

“Megjithatë, thashethemet nuk janë pa pasoja”, thotë avokati Mark Stephens, duke përmendur ndikimin e medieve. Ashtu siç gazetat kanë gazetarë të dedikuar për Beckham-ët, një industri e tërë në TikTok përfiton nga dramat e të tjerëve për klikime dhe fitime. Sipas tij, ky është një sistem i parregulluar. “Ka ligje për shpifje që mund të përdoren, por dëmi zakonisht është bërë dhe lajmi ka marrë dhenë”, shton Stephens.

Nisur nga përçarja në familjen Beckham: Pse jemi të
 
“Por, përplasjet dhe ndarjet janë barazuesit e mëdhenj të jetës dhe ndonjëherë, kur bëhet fjalë për yje si Beckham, këto përplasje mund të jenë “një përvojë e përbashkët”, gjë që është shumë e rëndësishme në një shoqëri gjithnjë e më të fragmentuar. Ka shumë materiale që na japin mundësi të bëjmë thashetheme”, vijon Pow.
 
Përplasjet mes të famshmëve na kanë argëtuar për shekuj. Në Itali, në kohën e Mesjetës, thuhet se satiristi Pietro Aretino ishte paguar nga mbreti francez për të shkruar propagandë kundër mbretit spanjoll, ndërsa paguhej edhe nga mbreti spanjoll për të bërë të kundërtën.

Një arsye tjetër për interesin e madh mediatik për “Beckxit”-in është fakti që përfshin dy “nepo babies” (fëmijë që marrin më shumë vëmendje dhe kanë më shumë mundësi, sepse kanë prindër VIP-a. Nicola është aktore dhe vajza e një biznesmeni miliarder dhe e një modeleje; nga ana tjetër, Brooklyn, djali i një ish-futbollisti legjendar dhe i një stilisteje).
 
“Këta fëmijë po përpiqen të monetizojnë jetën e tyre, por janë në konkurrencë jo vetëm me bashkëmoshatarët, por edhe me prindërit e tyre. Kjo është veçanërisht e vështirë për markën Beckham, që është ndërtuar mbi imazhin e familjes. Victoria dhe David u rritën “nën dritën e fortë të tabloidëve”, shprehet Stephens.
 
Më tej, ai shton:
 
“Por me fëmijët është më e vështirë – kemi të bëjmë me një proces të rritjes dhe ndërtimit të kufijve, por në sytë e publikut”.
 
Por, nuk përjashtohet as mundësia se e gjitha mund të jetë çështje marketingu, pasi ndonjëherë përplasjet duken të stisura – dhe shpesh janë. Disa media sugjerojnë se zënka është sajuar për të gjeneruar publicitet për dokumentarin e Victoria-s në Netflix këtë tetor. Megjithatë, ne e dimë që nuk duhet të flasim para kohe dhe gjithçka mbetet për t’u parë.

Artikuj të sugjeruar: