Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

6 Qershor 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Elon Musk hedh akuza të rënda: Trump përmendet në dosjet e Epstein

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Elon Musk ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-bashkëpunëtorit dhe mikut të tij, Donald Trump. Ai pretendoi se administrata amerikane nuk ka publikuar të gjitha dosjet për Jeffrey Epstein sepse ato përmendin presidentin amerikan.

“Donald Trump është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike,” shkroi ai në rrjetin social X të enjten mbrëma.

Postimi është parë mbi 10 milionë herë dhe përfundon me fjalët: “Kalofsh mirë, DJT.”

Musk nuk dha prova për këtë pretendim dhe as nuk sqaroi se si ka ardhur në këtë përfundim.

“Eurovision 2025” nën akuzë për manipulim votash

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Dy javë pas përfundimit të Eurovisionit 2025, zërat për manipulim të televotimit janë shtuar. Një grup prej 12 eurodeputetësh nga grupet socialiste, të majta, ambientaliste dhe liberale kanë dërguar një letër zyrtarëve të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), duke shprehur shqetësime për parregullsi në votim.

Letra vjen pas kritikave nga transmetues kombëtarë si ata të Holandës, Norvegjisë, Spanjës, Sllovenisë, Islandës, Belgjikës dhe Finlandës.

Ata kanë vënë në dyshim transparencën e votimit dhe ndikimin e fushatave të sponsorizuara nga shteti izraelit në favor të përfaqësuesit të Izraelit, i cili u rendit i dyti këtë vit.

Mbi 1.5 milion pelegrinë të huaj në Haxhin e këtij viti

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Arabia Saudite ka mirëpritur mbi 1.5 milion pelegrinë të huaj për Haxhin e këtij viti, një nga pesë shtyllat e Islamit. Ndërkohë, nuk është dhënë një numër për pelegrinët vendas.

Shifra e këtij viti është rreth 160 mijë më e ulët se ajo e vitit të kaluar dhe shumë më pak krahasuar me vitet para pandemisë, kur numri i pelegrinëve shpesh kalonte 2 milionë.

Rekordi u arrit në vitin 2012 me mbi 3.16 milionë besimtarë.

SHBA veto kundër rezolutës për armëpushim të përhershëm në Gaza

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shtetet e Bashkuara kanë vënë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

SHBA ishte i vetmi vend që votoi kundër, ndërsa 14 anëtarët e tjerë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, votuan pro.

Ambasadorja amerikane, Dorothy Camille Shea, tha se rezoluta ishte e papranueshme sepse nuk kërkonte çarmatosjen e Hamasit dhe largimin e tij nga Gaza. Ajo shtoi se çdo dokument që minon sigurinë e Izraelit si aleat i ngushtë i SHBA-së, nuk mund të pranohet.