Ndarja

Kur një kapitull mbyllet: Si ta rifitosh vetëbesimin pas një ndarjeje

Shkruar nga Anabel

5 Qershor 2025

Kur një kapitull mbyllet: Si ta rifitosh vetëbesimin pas një

Mbyllja e një kapitulli të rëndësishëm në jetën tënde, siç është një marrëdhënie e ngushtë dhe emocionale, nuk është e lehtë. E megjithatë, mos harro se ti dhe ish-partneri yt vendosët, për një periudhë kohe, të ishit pjesë e jetës së njëri-tjetrit. Mes jush ka pasur dashuri, respekt dhe përkujdesje.

Megjithëse gjithçka mund të ketë marrë fund, ajo që ndjen është reale. Fundi i një lidhjeje mund të të trondisë vetëbesimin dhe mirëqenien mendore. Prandaj, më poshtë do të gjeni disa mënyra për ta kaluar këtë periudhë më me lehtësi e dhembshuri ndaj vetes.

Ndjeje dhimbjen

Duket e thjeshtë, por nuk është. Çdo njeri që hyn në jetën tonë, e bën për një arsye, për të na mësuar diçka ose për të na ndihmuar të rritemi. Marrëdhëniet romantike na zbulojnë pjesë të vetes që nuk i njihnim më parë. Lejoje veten të ndjesh dhimbje, të vajtosh, të jesh e ndjeshme. Vetëm përmes pranimit të këtij procesi, mund të shërohesh. Dhe mos lejo që ndarja të të bëjë të mendosh se ke dështuar. Fakti që marrëdhënia përfundoi nuk do të thotë se ke humbur.

Jepi vetes kohë

Disa njerëz zgjedhin të nisin menjëherë një marrëdhënie të re, por ndonjëherë është më e shëndetshme të ndalosh e të kujdesesh për veten. Shijo një banjë të ngrohtë, shiko një film që të ka munguar, lexo një libër, ndrysho arredimin e dhomës. Kujdesu për veten si për dikë që e do vërtet. Sepse edhe pse lidhja ka mbaruar, ti je ende këtu dhe je personi më i rëndësishëm në jetën tënde.

Rrethohu me njerëz që të mbështesin

Një grup miqsh dhe familjarësh mund të të japë ndjenjën e ngrohtësisë dhe sigurisë që të duhet. Ata janë aty për të të dëgjuar, për të të përqafuar dhe për të të kujtuar se nuk je vetëm. Edhe pse nuk ka një afat për “ta kaluar” ndarjen, dashuria e njerëzve që të duan mund të të ndihmojë të ndërtosh sërish vetëvlerësimin tënd.

Ndiq pasionet e tua

A kishte diçka që gjithmonë doje ta provoje, por e shtyje për më vonë për shkak të lidhjes? Tani është momenti yt. Përfshihu në aktivitete që të japin gëzim, sfido veten, hap kapituj të rinj. Mos lejo që një marrëdhënie e përfunduar të të ndalojë të jetosh jetën që meriton.

Tregohu e mirë me veten

Mos e fajëso veten për ndarjen. Sidomos nëse arsyeja e saj ishte e rëndë dhe ndikoi në shëndetin tënd emocional apo fizik. Mos harro: fundi i një lidhjeje nuk do të thotë që ti ke ndonjë të metë. Jo të gjitha lidhjet zgjasin përgjithmonë dhe kjo është normale. Është gjithashtu normale të mendosh për të kaluarën, të reflektosh dhe të mësosh. Por kurrë mos lejo të tjerët të të bëjnë të ndihesh e pavlerë për zgjedhjet që ke bërë. 

Artikuj të sugjeruar:

Burimi: Marie Claire