Bisedimet Rusi-Ukrainë: Arrihet marrëveshja për shkëmbim pengjesh
Raundi i dytë i bisedimeve midis Kievit dhe Moskës nuk solli ndonjë përparim të dukshëm drejt përfundimit të pushtimit rus në Ukrainë, por shërbeu për të qartësuar pozicionet dhe kërkesat e të dyja palëve.
Para takimit të së hënës, Kievi dhe Moska ranë dakord të dorëzonin një "memorandum paqeje" secila palë, për të përmbledhur qëndrimet kryesore para se të takoheshin delegacionet.
Ukraina ia dorëzoi dokumentin Rusisë përpara takimit, ndërsa Moska e bëri këtë vetëm gjatë bisedimeve në Stamboll.
Ashtu si në raundin e parë më 16 maj, bisedimet përfunduan me një marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve të luftës. Ky shkëmbim do të përfshijë dy kategori: ushtarë të rinj të moshës 18–25 vjeç dhe të burgosur lufte me gjendje shëndetësore të rëndë.
Rumania, vendi më diskriminues në BE për të drejtat e komunitetit LGBTQ+
Rumania ka kaluar Poloninë si vendi më diskriminues në Bashkimin Europian për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, sipas një renditjeje të publikuar nga organizata jofitimprurëse me qendër në Bruksel, ILGA-Europe.
Që nga viti 2019, Polonia kishte mbajtur vendin e fundit në këtë renditje, e cila bazohet në faktorë si numri i krimeve me bazë urrejtjeje dhe të drejtat ligjore të garantuara për komunitetin LGBTQ+.
Të dhënat e reja të vitit 2024 tregojnë se Rumania tani ka rënë më poshtë se Polonia në rënditje, ndërkohë që Malta, Belgjika dhe Islanda mbeten ndër vendet më miqësore ndaj këtij komuniteti.
Në të kaluarën, liderë politikë polakë kanë bërë fushata kundër asaj që e quajnë "ideologjia LGBTQ+".
Vullkani Etna shpërthen me fuqinë më të madhe që nga 2021
Mali Etna në Siçili ka shpërthyer sërish me një forcë që nuk ishte parë që nga shkurti i vitit 2021.
Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) njoftoi se shpërthimi u shkaktua nga shembja e pjesës juglindore të kraterit, duke sjellë rrjedhje të lavës së nxehtë. Kjo është faza e 14-të shpërthyese në muajt e fundit.
Sipas të dhënave paraprake, materiali vullkanik nuk ka kaluar Luginën e Luanit, që përfaqëson pikën më të lartë ku mund të shkojnë turistët.
Zelensky: Propozimi rus për armëpushim të përkohshëm është një taktikë për të fituar kohë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se propozimi i Rusisë për një armëpushim të përkohshëm dhe të kufizuar është një taktikë për të fituar kohë dhe për të vonuar sanksionet nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, ideja për një armëpushim për vetëm disa ditë, i cili do të shërbente për të mbledhur trupat e ushtarëve të rënë në fushëbetejë, nuk ka si qëllim ndalimin e luftës, por është pjesë e një loje diplomatike nga ana e Kremlinit.
“Mendoj se janë budallenj, sepse, në thelb, një armëpushim duhet të shërbejë për të shmangur viktimat. Prandaj, dua vërtet që partnerët tanë amerikanë të ndërmarrin hapa dhe të miratojnë një paketë të re sanksionesh,” u shpreh Zelensky.
Ai shtoi se kanë kaluar tashmë tre muaj që kur SHBA-të dhanë sinjalin për një armëpushim të plotë, një iniciativë që Ukraina e ka mbështetur.