
Gjatë një interviste në podkastin “MAM” të Orinda Hutës, teksa fliste për prindërimin, gjatë një momenti, Çiljeta Xhilaga u pyet mbi eksperiencën në “Ferma VIP” dhe arsyen pse vendosi të ishte pjesë e programit. Edhe pse pjesëmarrja shkoi shumë mirë, aq sa arriti deri në finale, ajo nuk dëshironte shumë të fliste mbi arsyet pse zgjodhi të bëhej pjesë reality show-t.
“Ky është një muhabet shumë i gjatë dhe është një gjë që nuk do doja ta diskutoja publikisht, janë gjërat tona familjare.”

Sipas saj, e mori atë vendim e ndikuar nga një situatë që po kalonte gjatë asaj periudhe në jetën e saj. La të kuptonte që po kalonte një moment sfidues, por nuk dëshironte të ndante më shumë detaje.
“Shiko, Zoti ndonjëherë sjell ca sfida, sjell ca fortuna që të rregullosh shumë gjëra me një gjë.“
Edhe pse nuk tha më shumë mbi vështirësitë apo personin me të cilin/ën lidheshin këto shqetësime, u shpreh se kjo sfidë ishte me veten e saj, jo me publikun, por nuk e vazhdoi më tej.

Sipas saj, ajo jo vetëm arriti të gjente sërish veten duke shfaqur versionin më të mirë, por edhe ato probleme që e shqetësonin jashtë kishin arritur të gjenin zgjidhje.
Sa i takon marrëdhënies me fëmijët dhe sidomos asaj me partnerin, Albanin, kur u pyet nga Orinda nëse diçka mund të kishte ndryshuar në raport me ta pasi mori pjesë në program, ajo tha se kishte ndodhur tërësisht e kundërta.

“Jo, jo nuk kishte ndryshuar asgjë thjesht ishin forcuar gjërat,” menjëherë pas kësaj ajo tha një fjali që më shumë se sa marrëdhënies me fëmijët, ne mendojmë që i përket asaj me partnerin.
“Në qoftë se ishim... para se të futeshim në Fermë, ndodhesha në një kolaps të vogël, kjo gjëja i forcoi dhe i çoi aty ku duhet të ishin,” u shpreh ajo.




