Fitorja e PSG: Digjet Parisi
Qindra persona janë arrestuar në kryeqytetin e Francës, pas fitores së PSG (Paris Saint-Germain) kundër Interit. Skuadra e PSG fitoi 5-0 në finalen e Ligës së Kampionëve. Rreth 300 tifozë u arrestuan, pasi u përleshën me policinë, për shkak të festimeve të çmendura.
Kaosi u shkaktua në rrugë, ku ndonëse shumica e tifozëve festuan në mënyrë paqësore, sërish pati shumë konflikte. PSG fitoi çmimin për herë të parë në histori dhe kjo ngjarje bëri që kulla Eiffel të ndriçohej nga ngjyrat e skuadrës.
Turqi: Arrestohen anëtarë të opozitës pasi dyshohen për korrupsion
Policia turke ka arrestuar 4 anëtarë të Partisë Republikane Popullore dhe kryetarë të bashkive të 3 distrikteve të ndryshme në Stamboll. Në total u arrestuan 30 persona, të cilët dyshohen për korrupsion.
Arrestimi i tyre vjen pasi u akuzua dhe arrestua edhe kryebashkiaku dhe rivali i Erdogan, Ekrem Imamoglu. Asokohe, ngjarja shkaktoi protesta të shumta dhe njerëzit kërkuan lirimin e kryetarit të bashkisë, si dhe një qasje më demokratike në vend.
Gaza: Dhjetëra persona u vranë duke kërkuar ndihma
Të paktën 26 palestinezë janë vrarë gjatë datës 1 qershor, ndërsa ishin duke marrë ushqime në një qendër ndihme në Rripin e Gazës. Dëshmitarët në vendngjarje thanë se forcat izraelite hapën zjarr në mënyrë të paprovokuar karshi turmës, e cila ishte rreth 1 km larg qendrës së ndihmës.
Ende nuk ka një reagim nga autoritetet izraelite. Ndërsa fondacioni në të cilin supozohej të merreshin ndihma, bëri një reagim, duke thënë se ndihmat janë shpërndarë pa asnjë incident, duke mohuar pretendimet se ka pasur një sulm të tillë.
Ishujt Kanarie: 7 emigrantë humbin jetën
Shtatë emigrantë me origjinë nga Afrika Perëndimore (mes tyre edhe fëmijë), ndërruan jetë pasi varka e tyre u përmbys pranë bregut të ishujve Kanarie në Spanjë. Dy vajza 5 vjeç dhe 1 djalë 16-vjeçarë ishin viktima të tragjedisë, u shprehën shërbimet e emergjencës.
Ata gjetën vdekjen, pasi varka që transportonte emigrantët u përmbys. Megjithëse qytetarët dhe ekipet e shpëtimit u përpoqën t’u vinin në ndihmë, sërish nuk ia dolën. Kjo është një ndër tragjeditë e shumta që kanë ndodhur rishtazi në ishujt Kanarie, duke qenë se numri i emigrantëve të ardhur, veçanërisht nga Afrika, është rritur ndjeshëm.