Social Buzz

Vdekja nuk është mister: Ja çfarë i ndodh trupit para se të ndërrojë jetë (nuk është aq e frikshme)

Shkruar nga Anabel

30 Maj 2025

Vdekja nuk është mister: Ja çfarë i ndodh trupit para se

Në episodin e fundit të serisë së "Dying for Sex", një infermiere e quajtur Amy (me një entuziazëm çuditërisht ngushëllues) shpjegoi për një paciente procesin e vdekjes dhe përjetimet e trupit.

“Vdekja nuk është një mister. Nuk është një katastrofë mjekësore. Është një proces trupor, si lindja e një fëmije, shkuarja në tualet ose kollitja. Trupi e di se ç’të bëjë, si të vdesë”, u shpreh ajo.

“Pacientja do të hajë dhe pijë më pak, do të flejë shumë më tepër; nuk do të çohet nga krevati dhe mund të jetë paksa e çoroditur. Në fund, frymëmarrja do të ngadalësohet derisa të fillojë e ashtuquajtura "frymëmarrje vdekjeje". Ajo madje mund të përjetojë “rilindjen e fundit”, një shpërthim energjie dhe kthjelltësie mendore disa ditë para frymës së fundit”, u shpreh Amy.

Vdekja nuk është mister: Ja çfarë i ndodh trupit para se

Skena që shihni në episod bazohet në ngjarje të vërteta nga jeta e Molly Kochan, e cila u diagnostikua me kancer në vitin 2015 dhe ndërmori një udhëtim seksual. Ajo ndërroi jetë në moshën 45-vjeçare, 4 vite më vonë dhe i dokumentoi përvojat në një podkast me miken e ngushtë, Nikki Boyer, e cila shërbeu edhe si frymëzim për serinë televizive.

“Ka një supozim (dhe me të drejtë), se vdekja nuk është diçka që një audiencë dëshiron ta shohë. Duket shumë e frikshme apo e trishtuar. Ndaj, menduam që kishim një mundësi ta paraqisnim vdekjen ndryshe. Duke e bërë këtë, shpresonim ta bënim vdekjen të ndihej qoftë edhe pak më pak misterioze dhe e frikshme”, tha Kim Rosenstock, bashkëkrijuese, skenariste dhe producente ekzekutive e serisë.

“Në njëfarë mase, çdo vdekje është unike sepse varet nga mosha, gjendja shëndetësore dhe shkaku i vdekjes”, thotë Julie McFadden, infermiere në Los Angeles, Kaliforni, duke shtuar: “Por për ata që nuk vdesin nga një ngjarje traumatike, si një aksident automobilistik, shumica e njerëzve përjetojnë disa faza dhe simptoma të zakonshme”.

Ekspertët thonë se të dish më shumë për vdekjen – e quajtur “shkallë njohjeje e vdekjes” - mund të të ndihmojë në zbutjen e frikës ndaj saj.

Faza e tranzicionit

“Muaj para vdekjes, fillon faza e tranzicionit”, thotë Julie. Kjo përfshin kalimin e më shumë kohe në shtrat, pakësimin e të ngrënit dhe konsumimit të lëngjeve, si dhe nevojën për më shumë ndihmë në përditshmëri për veprime si veshja apo shkuarja në tualet. Gjatë kësaj kohe, mund të bëhet e vështirë të bisedosh dhe mund të të zërë gjumi në një pjesë të mirë të ditës.

Kjo fazë mund të jetë veçanërisht e vështirë për t’u vënë re te njerëzit me sëmundje si demenca apo Parkinson, sepse simptomat janë të ngjashme me sëmundjen e tyre.

“Faza e tranzicionit mund të përfshijë gjithashtu një “shkëputje nga bota” në një mënyrë që e bën kohën të duket si e pavlefshme”, thotë Cole Imperi, specialiste në studimin e vdekjes, agonisës dhe pikëllimit.

Ajo thotë se shqisat fillojnë të zbehen: shikimi, dëgjimi, shija, nuhatja dhe prekja nuk do të jenë më aq të forta.

Kur afron vdekja, trupat tanë bëhen më pak efikasë

Si pasojë e konsumit të ulët të ushqimit dhe lëngjeve, është e mundur të futemi në ketozë – një gjendje kur trupi djeg yndyrnat për energji në vend të glukozës.

Imperi thotë se disa njerëz mund të përjetojnë lehtësim të dhimbjes ose një ndjesi euforie si efekt anësor, ndonëse nuk është plotësisht e qartë pse. Disa studime sugjerojnë që neurotransmetuesi GABA (kimikat që qelizat nervore (neuronet) përdorin për të komunikuar me njëra-tjetrën. Ai ul aktivitetin nervor, duke ndihmuar në qetësimin e trurit dhe trupit) rritet gjatë ketozës, çka të bën të ndihesh i/e qetë, ndërsa kortizoli – hormoni i stresit – bie.

Vdekja aktive

“Të gjitha këto simptoma do të përkeqësohen derisa të arrihet në fazën e fundit të jetës, të quajtur “vdekja aktive”, thotë McFadden. Kjo mund të fillojë disa ditë ose orë para vdekjes. Pjesa më e madhe e kohës, personi është në gjendje të pavetëdijshme dhe frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës bëhen të parregullta.

Kjo është gjithashtu faza kur ndodh “rilindja e fundit”. Rreth 1/3 e njerëzve përjetojnë këtë shpërthim të papritur kthjelltësie mendore pak para se të vdesin. Për disa minuta, orë ose ditë, rikthehet karakteri i tyre si më parë, kujtohen emrat e të dashurve dhe kërkohen përsëri ushqimet e preferuara.

“Nuk ka ndonjë arsye shkencore përfundimtare pse ndodh kjo, Por është një dhuratë jashtëzakonisht e bukur", saktëson Imperi.

Gjithashtu, është shumë e zakonshme, në çdo moment të vdekjes aktive, të përjetohen halucinacione apo vizione – zakonisht me të dashurit që kanë ndërruar jetë. Imperi thotë se pacientët shpesh flasin për valixhe që duhet të bëjnë gati apo për pritjen për t’u marrë në aeroport.

Sekrecionet terminale, ose ‘frymëmarrja e vdekjes’

“Gjëja e fundit që ndodh përpara vdekjes është një ndryshim në modelin e frymëmarrjes të quajtur “frymëmarrja Cheyne-Stokes”, shprehet Imperi.

“Si një peshk jashtë ujit, personi përjeton një seri frymëmarrjesh të shpejta të ndjekura nga pauza të gjata pa frymëmarrje. Për pasojë, nuk mund të gëlltitet pështyma apo sekrecionet, të cilat mblidhen në pjesën e pasme të fytit dhe i bëjnë frymëmarrjet të tingëllojnë si gurgullima”, vijon ajo.

“Këto tinguj quhen sekrecione terminale, të njohura zakonisht si “frymëmarrja e vdekjes”. Edhe pse tingëllon e dhimbshme, “frymëmarrja Cheyne-Stokes” nuk shkakton dhimbje – ashtu si pjesa më e madhe e procesit të vdekjes aktive”, sqaron McFadden, e cila tregon se e kupton procesin nga gjestet e pacientëve.

“Një person që po vdes është si një foshnjë. Foshnjat nuk mund të thonë që janë të uritura ose po u dalin dhëmbët, por e kupton nga sjellja e tyre. Me pacientët që po ndërrojnë jetë është e njëjta gjë”.

Pse është e rëndësishme të njohim vdekjen

“Në kulturën tonë, vdekja shihet si një fatkeqësi që duhet shmangur me çdo kusht,” thotë Rosenstock. “Për ne ishte e rëndësishme ta paraqisnim procesin e vdekjes në mënyrë të vërtetë.”

“Është normale të kemi frikë nga vdekja sepse është në natyrën tonë të mbijetojmë, por mënyra më e mirë për të tkurrur këtë frikë është edukimi. Studime të shumta tregojnë se sa më shumë të mësojmë dhe të mendojmë për vdekjen, aq më pak ankth kemi ndaj saj”, rrëfen Imperi.

“Njohja e vdekjes mund të jetë veçanërisht e dobishme për ata që tashmë janë në proces vdekjeje. Shumica e njerëzve nuk ndihen rehat duke folur për të, ndaj të gjithë shmangin temën. Por në fund të ditës, ata duan përgjigje dhe zakonisht, ne i kemi disa. Nuk e dimë saktësisht çfarë do të ndodhë pas vdekjes, por dimë mjaftueshëm për çfarë të presim gjatë procesit – dhe në shumicën e rasteve, pacientët dhe familjarët e tyre marrin frymë të lehtësuar kur mësojnë më shumë”, shprehet McFadden.

Më tej, Cole Imperi nënvizon se edukimi mbi vdekjen mund të të rikthejë ndjesinë e kontrollit:

"Kjo sepse një nga pjesët më të vështira të vdekjes është humbja e kontrollit dhe edukimi mbi vdekjen mund të të ndihmojë ta rikthesh atë ndjenjë kontrolli. Nga ana tjetër, disa njerëz mund ta gjejnë këtë ndjenjë kontrolli duke refuzuar të mësojnë më shumë – dhe kjo mund të jetë po aq terapeutike. Të mbështesësh këtë rezistencë ndonjëherë është edhe më e rëndësishme”.

McFadden e përmbyll tematikën e vdekjes me një shprehje që nënkupton se humbja e jetës është një proces i pashmangshëm.

"Ne jemi të ndërtuar për të vdekur, ashtu siç jemi të ndërtuar për të lindur,” thotë ajo. “Sa më shumë ta kuptojmë këtë, aq më mirë do të jetojmë – dhe aq më të qetë do të vdesim.”

 

Burimi: The Guardian