Celebrity

Sydney Sweeney po shet sapunë me ujë nga vaska e saj dhe interneti s’po pushon!

Shkruar nga Anabel

30 Maj 2025

Sydney Sweeney po shet sapunë me ujë nga vaska e saj dhe interneti

Nëse menduat se marketingu kishte arritur kulmin me trendet e çuditshme të rrjeteve sociale, mendohuni përsëri. Aktorja Sydney Sweeney është vënë në qendër të vëmendjes (dhe kritikave), pasi do të nxjerrë në treg një sapun në bashkëpunim me markën e njohur Dr. Squatch. Detaji që ka ndezur internetin? Sapunët janë bërë me ujë nga vaska e saj personale. Po, e lexuat mirë.

Pas reklamës virale të Dr. Squatch ku ajo shfaqej duke bërë një banjë të ngrohtë plot shkumë, Sydney vendosi të përfshijë shkumën e përdorur në xhirime në një produkt të ri, Bathwater Bliss – një sapun i cili, sipas përshkrimit zyrtar, "kombinon rërën eksfoliuese dhe lëvoren e pishës me një sasi të vogël shkume nga reklama virale”.

Sydney Sweeney po shet sapunë me ujë nga vaska e saj dhe interneti

Në deklaratën e saj, Sydney u shpreh me humor: “Kur fansat fillojnë të kërkojnë ujin e banjës, ose i injoron, ose e kthen në sapun.” Ajo shton se produkti është “i çuditshëm në mënyrën më të mirë të mundshme” dhe se, përtej konceptit viral, funksionon si çdo sapun tjetër cilësor.

“Sinqerisht mendoj se është një moment vërtet argëtues, sepse fansat gjithmonë bëjnë shaka kur thonë se duan ujin tim të vaskës. Unë mendova: Kjo është thjesht një mënyrë shumë e mirë për të nisur një bisedë me audiencën dhe për t'u dhënë atyre atë që duan. Por gjithashtu shpresoj t'i inkurajoj të kujdesen për veten në një mënyrë të shëndetshme,” tha aktorja për GQ.

Sydney Sweeney po shet sapunë me ujë nga vaska e saj dhe interneti

Interneti? I ndarë në dy kampe

Reagimet nuk kanë munguar. Disa e quajnë një ide kreative dhe “masterclass marketingu”, shumë të tjerë e kanë konsideruar si një veprim që e dëmton reputacionin e saj si aktore serioze.

"Ky është rezultati kur fansat e tu janë kryesisht burra. Të shohin vetëm si objekt seksi,” shkruan dikush. "Pas gjithë atyre lotëve për t’u mos u seksualizuar, tani po shet ujë nga banja?!" thotë një tjetër. "Sydney, je më shumë se një fytyrë e bukur. Je një aktore premtuese – sillu si e tillë."

Madje, pati dhe komente më thumbuese: “Kjo tingëllon si diçka që do e shiste një vajzë në OnlyFans.”

Sapunët do të jenë në shitje nga data 6 qershor dhe do të jenë vetëm 5,000 copë. Ndërkohë, njerëzit janë të bindur që do shiten menjëherë – sepse, siç duket, kur bëhet fjalë për kombinimin “yll Hollywood-i + ujë nga banja + marketing absurd”, gjithçka është e mundur.

Pyetje: A është më e çuditshme ideja apo fakti që do shitet menjëherë?