Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

30 Maj 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Netanyahu pranon planin amerikan për armëpushim në Gaza

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se e ka pranuar propozimin e të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për një armëpushim në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve.

“Izraeli e pranoi planin e ri të Witkoff-it,” tha Netanyahu gjatë një takimi me familjarët e pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Ndërkohë, përfaqësues të Hamasit kanë pasur rezerva ndaj draftit të miratuar nga Izraeli, por kanë thënë se do ta shqyrtojnë me kujdes përpara se të japin një përgjigje zyrtare.

Ukraina: Zjarri në centralin bërthamor të Zaporizhzhias ishte provokim rus

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Autoritetet ukrainase kanë akuzuar forcat ruse, pasi një zjarr shpërtheu të dielën në mbrëmje në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, i cili ndodhet nën kontrollin rus.

Sipas Yevhen Yevtushenkos, kreu i administratës ushtarake të Nikopolit, trupat ruse dogjën goma makinash pranë kullave të ftohjes për të krijuar përshtypjen se centrali ishte përfshirë nga flakët.

“Ky veprim mund të jetë një provokim ose një përpjekje për të përhapur panik në zonat përreth,” tha Yevtushenko.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gjithashtu e komentoi ngjarjen, duke e konsideruar si akt destabilizues.

Përmbytje masive në Rumani për shkak të motit ekstrem

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Erërat e forta dhe reshjet e dendura gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje serioze në disa rajone të Rumanisë.

Shërbimet emergjente njoftuan se qindra persona janë evakuuar nga qarqet Covasna dhe Brasov në qendër të vendit, si dhe nga Botosani në verilindje.

Të enjten, përmbytjet rrezikuan edhe një minierë të vjetër kripe në qytetin Praid, një vend turistik i njohur që tërheq rreth gjysmë milioni vizitorë çdo vit.

Rusia propozon bisedime të reja me Ukrainën në Stamboll

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Nën presionin në rritje nga presidenti amerikan, Rusia ka propozuar një raund të ri bisedimesh të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll, të hënën e ardhshme.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se Moska shpreson që kjo nismë të mbështetet nga “të gjithë ata që sinqerisht dëshirojnë suksesin e procesit të paqes.”

Kjo deklaratë vjen pas një vale të madhe sulmesh ajrore ruse ndaj Ukrainës, ku u përdorën qindra dronë dhe raketa.

Lavrov shtoi se kishte zhvilluar biseda edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, ku i kishte paraqitur propozimet konkrete të Rusisë për rundin e ardhshëm të negociatave.