Në një episod tronditës të “The Dalina Show”, tre gra shqiptare ndanë historitë e tyre më të dhimbshme dhe më të errëta – të cilat, megjithatë, janë edhe rrugëtimi i tyre drejt shërimit. Ato janë Dea, Jola dhe Zana. Secila ka kaluar një traumë të thellë që ka lënë shenja të pashlyeshme, por të gjitha ndajnë një forcë të jashtëzakonshme për të mbijetuar dhe për të ndihmuar të tjera gra të mos ndihen të vetmuara.
Dea – Dhuna e fshehur e dados
“Familja ime ka qenë emigrante në vitet '90, duke filluar nga '91, dhe mami dhe babi kanë punuar pa ndërprerje, nga e hëna në të diel.” Kështu nis rrëfimi tronditës i Deas, një grua që rikthen kujtimet nga fëmijëria e saj 5-vjeçare në Greqi, kur prindërit, të angazhuar në punë për të mbijetuar si emigrantë, ia besuan kujdesin e përditshëm një dadoje greke. “Kam pasur tre dado, dy të parat kanë qenë shumë të mira, e treta ishte një zonjë greke.”
Por kjo e treta, me një urrejtje të hapur ndaj shqiptarëve – “ti je turko-albano, ti je fëmijë i qelbur, ti je fëmijë i vështirë” – e izolon Dean për tre muaj rresht në një bodrum të errët, pa ujë, pa bukë. “Më çonin në 6 të mëngjesit dhe më merrnin në 5 pasdite.” Në vend që të kujdesej për të, dadoja e dërgonte direkt në bodrum. “Kur më merrte ajo, më merrte çantën me ushqimet që më përgatiste mamaja dhe më zbriste poshtë në bodrum... vetëm kur vinte ora që të më merrnin prindërit, më nxirrte te salloni dhe bënte sikur luante me mua.”
E ndëshkuar fizikisht, e ofenduar dhe e frikësuar, Dea nuk pati kurajën të fliste me prindërit. “Po i tregove mamit dhe babit do i vras që të dy... Si fëmijë e besoja dhe mendoja se do mi vriste dhe do mbetesha vetëm.” Për tre muaj, nuk i tregoi askujt. “Mami im e kuptoi vetëm kur unë u dobësova shumë dhe u bëra anemike. Mjeku i tha që po kaloja në anoreksi.”
Momentin më të errët të asaj kohe e kujton kështu: “Një ditë, dadoja u largua, ikën me djalin e vet. Dëgjova derën që iku, mami me babin u vonuan më shumë se ç’duhet atë ditë... trokas te dera, s’kthente njeri përgjigje, u tremba si fëmijë.” Derisa një kalimtar e dëgjoi duke bërtitur për ndihmë nga dritarja e vogël e bodrumit: “Aty pashë për herë të parë një fytyrë njeriu.”
Policia erdhi menjëherë dhe e shpëtuan. Por drejtësi nuk pati. “Policia i kishte thënë babit që nëse ngrinte padi, do t’i hiqnin vizën. Sepse atëherë donin të ndynin vetëm emrat e shqiptarëve, jo të grekëve.” Më vonë, babai i kërkoi falje Deas. “Vetëm para pak kohësh babi më kërkoi falje duke thënë se ndoshta duhet të kishte vepruar ndryshe.”
Sot, Dea është nënë e dy fëmijëve, 4 dhe 1 vjeç, dhe frika që ka përjetuar si fëmijë është bërë një ndjenjë konstante në jetën e saj. “Kam hequr dorë nga puna që të kujdesem për ta. S’dua t’i lë me ankth ose të izoluar prej frikës sime.”
I mëson fëmijët të flasin për gjithçka që ndiejnë. Por vetë, netëve të vona, përballet ende me hijet e të kaluarës: “Nga ajo traumë më kthehen natën, imazhet e asaj periudhe... Mbaj gjithmonë një dritare hapur sepse më duket sikur nuk mbushem dot me frymë.” Dhe ndonjëherë, në ëndërr, ndodh kjo: “Shikoj shpesh një ëndërr sikur shpëtoj një vajzë të vogël të cilën e shpëtoj nga rreziku dhe kur e përqafoj ndihem unë si e shpëtuara apo e mbrojtura.”
Jola – Dhuna e 2 prindërve që s'ditën t'i dhurojnë dashuri
Jola është vajza më e madhe nga tre fëmijë dhe, siç thotë ajo, “kam pasur dhunë nga të dy prindërit, por kisha urrejtje ndaj mamit sidomos gjatë adoleshencës.” Në një familje ku ndjenjat ishin turp dhe heshtja ishte normë, Jola mbeti e papranueshme dhe e padëgjuar. “Ata s’dinë asgjë për jetën time sepse ishte turp të flisje për ndjenjat.”
Nëna, që ndoshta ishte viktimë e burrit, ia transmetoi asaj gjithë dhunën dhe kontrollin që vetë përjetonte: “Mami më gjuante kur nuk pastroja, më shihte para pasqyrës dhe më thoshte ‘çfarë të duket vetja, je një copë m*ti’.” Asaj nuk i lejohej të kishte hobi apo kohë për veten. “Leximin kam pasur arratisje... lexoja natën sepse po të më shihte mami ditën më bërtiste, më thoshte pse humbet kohën kot.”
Për shumë vite, ndjente që s’dinte të vendoste kufij. “Fajësoja veten pse s’u rebelova ndaj prindërve, njerëzve që më manipulonin.” Terapinë e nisi kur pa se po bëhej vetë si nëna e saj: “Kur bëra fëmijët e mi, shihja që po bëhesha si mami.” Sot, është në paqe vetëm sepse zgjodhi të bëjë ndryshe: “Kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë me vajzën time, flasim për gjithçka.”
Me prindërit, është ftohur. “Ata mendojnë tani se jemi shumë mirë. S’më njohin fare... më vjen inat sepse bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë.” Nëna e saj sot e telefonon më shumë nga frika e vetmisë: “Na thonë madje që ‘për vete ju kemi bërë dhe duhet t’i mbajmë me lekë se e kemi për detyrë.’”
Zana – Trauma nga vetëvrasja e papritur e babait
“Isha 16 vjeç, isha në shkollë të mesme, pashë në oborrin e shtëpisë një ambulancë... s’më lejuan të futem brenda në shtëpi.” Fillimisht, Zana nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur. Më pas, në telefon, dëgjoi dikë t’i thoshte: “Më vjen keq për humbjen tënde, ngushëllime për babin.” Ishte e papërgatitur. Babai i saj ishte vetëvarur në dhomën e ndenjjes.
“Mendimi i parë kur e mora vesh... mbaj mend që kalova shok, fillova të qaja. Thashë si ka mundësi.” Ishte njeri i mbyllur, por i dashur, një figurë e fortë: “Ai ka qenë njeri shumë i mirë, ka qenë profesor, inxhinier, shumë i realizuar, e quaja enciklopedi që ecën.”
Ajo rikujton sesi kohët e fundit ai kishte filluar të interesohej për rastet e vetëvrasjeve në Kosovë: “Bënte pyetje, ‘çfarë mund t’u kishte shkuar në mend kur morën ato vendime.’” Kur babai iku, ai nuk la vetëm një boshllëk, por shumë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje as sot: “Jam ndjerë e prerë në besë për një kohë të gjatë... si ka mundësi që na la vetëm?”
Pas vdekjes, nisi edhe gjykimi i shoqërisë: “Më vinte t’i vrisja ata njerëz që thoshin ‘s’paska qenë mirë ai?!’” Edhe mamaja e saj u akuzua për mosvëmendje: “Si s’e kuptoi, si s’paska folur me të?”
Por për Zanën, kjo histori nuk ka mbaruar. Episodi i rrëfimit të saj do të vazhdojë javën tjetër në "The Dalina Show", ku do të mësojmë më shumë për përballjen e saj me dhimbjen, gjykimin dhe mënyrën si ka zgjedhur të jetojë me mungesën e babait.
Rrëfime si këto nuk janë të lehta për t’u dëgjuar. Por janë të domosdoshme.
Ato tregojnë se shumë plagë nuk janë të dukshme, dhe se pas çdo gruaje që mban familjen mbi supe, mund të fshihet një fëmijëri e përgjakur nga heshtja. Në “The Dalina Show”, nuk kemi thjesht histori, por dëshmi. Dhe dëshmitë janë hapi i parë drejt shërimit.
Ndiqni rrëfimet e plota në videon e mëposhtme: