Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

29 Maj 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Rusia propozon raund të dytë bisedimesh për përfundimin e luftës në Ukrainë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Rusia ka propozuar mbajtjen e një raundi të dytë bisedimesh për të gjetur një zgjidhje që mund t’i japë fund luftës.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, njoftoi se Kremlini është i gatshëm të angazhohet në negociata të mëtejshme me Kievin më 2 qershor në Stamboll.

Lavrov theksoi se Moska ka hartuar një listë çështjesh që i konsideron thelbësore për konfliktin dhe ka përgatitur një memorandum që përfshin propozimet për të adresuar “shkaqet rrënjësore të krizës”.

Kirurgu francez dënohet me 20 vite burg për abuzim seksual me 299 fëmijëve

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kirurgu Joël Le Scouarnec u dënua të mërkurën me 20 vite burg për përdhunim dhe abuzim seksual ndaj 299 fëmijëve, gjatë një periudhe 25-vjeçare që zgjati nga viti 1989 deri në 2014.

Gjykata Penale e Morbihan, në Bretanjë, e shpalli fajtor dhe vendosi që ai të vuajë të paktën dy të tretat e dënimit para se të mund të kërkojë lirimin me kusht.

Shumica e të abuzuarve ishin pacientë të pavetëdijshëm ose nën efektin e qetësuesve. Nga 299 viktima, 158 ishin djem dhe 141 vajza, me një moshë mesatare rreth 11 vjeç.

Gjermania do të prodhojë armë në bashkëpunim me Ukrainën për të forcuar mbrojtjen

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka njoftuar se Berlini do të ndihmojë Kievin në zhvillimin e armëve të reja me rreze të gjatë veprimi, që mund të godasin më thellë brenda territorit rus, si pjesë e një pakete ndihme prej 5 miliardë eurosh.

Merz e cilësoi këtë si “një formë të re të bashkëpunimit ushtarak-industrial” mes dy vendeve, ku prodhimi i përbashkët i armëve do të zhvillohet si në Ukrainë ashtu edhe në Gjermani.

Pas deklaratës së Merz, ministrat e Mbrojtjes të të dy vendeve nënshkruan një memorandum që përfshin investime direkte gjermane në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës dhe një marrëveshje më të gjerë me prodhuesit gjermanë të armëve.

Elon Musk largohet nga roli i tij në qeverinë amerikane

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Elon Musk ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij si këshilltar kryesor i presidentit amerikan, Donald Trump, ku ai udhëhoqi politikat për të zvogëluar dhe ristrukturuar burokracinë federale përmes Departamentit të ri të Efikasitetit Qeveritar (DOGE).

Largimi i tij u njoftua të mërkurën në mbrëmje përmes një postimi në platformën e tij, X (ish-Twitter), duke mbyllur një kapitull të trazuar që përfshiu shkurtime masive të vendeve të punës, mbyllje të agjencive dhe shumë procese gjyqësore.

Roli i Musk në punën për Trump ishte menduar gjithmonë të ishte i përkohshëm dhe së fundmi ai kishte sinjalizuar se do të fokusohej vetëm te drejtimi i bizneseve të tij.