Muzika

Rozana Radi tregon hatërmbetjen për pjesëmarrjen e Besës në Eurovision: “U ndjeva keq”

Shkruar nga Anabel

28 Maj 2025

Rozana Radi tregon hatërmbetjen për pjesëmarrjen e Besës

Rozana Radi, e ftuar te “Goca dhe Gra”, foli ndër të tjera për Eurovision-in dhe shprehu një pakënaqësi që ka ndaj Besa Kokëdhimës, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Titan”.

Rozana u pyet nga moderatoret nëse duhet që Shqipëria të përfaqësohet me një këngë shqip apo anglisht dhe u shpreh specifikisht për rastin e Besës, duke thënë:

“Atëherë m’u bë shumë qejfi që kënga e Festivalit të RTSH-së, u përfaqësua në gjuhën amtare, në shqip. Kur ti përfaqëson vendin tënd, Shqipërinë, ajo që na përfaqëson më së miri është gjuha dhe flamuri. Sinqerisht prisja të preknim Eurovision-in me këngën e Besa Kokëdhimës vjet kur dolëm fitues të Festivalit – Kledi Bahiti, Darko Dimitrov dhe unë si tekstshkruese”.

Më tej, shtoi se Besa, pasi fitoi konkursin, ndryshoi autorët e këngës dhe krijoi një tekst anglisht, pa u konsultuar më parë me autorët e këngës:

“Fatkeqësisht, është hera e parë që e them, pasi kënga fitoi në këtë konkurs, Besa Kokëdhima, pa na pyetur dhe pa na konsideruar si autorë të këngës, krijoi një tekst anglisht dhe përfaqësoi Shqipërinë, me një autor tjetër”.

Rozana tregoi ndjesitë e saj dhe theksoi se duhet t’u qëndrosh besnikë njerëzve që nuk të lëshojnë:

“Të them të drejtën, u ndjeva keq sepse është mirë kur merr pjesë në një kompeticion shqiptar dhe vendos të marrësh emra për të përfaqësuar më mirë veten dhe sapo hedh këmbën jashtë trevave ose jashtë kufirit shqiptar, ti preferon të zgjedhësh bashkëpunëtorë të huaj. Ndonjëherë duhet t’i qëndrosh besnik atij të vjetrit, sepse ai nuk të lëshon kurrë. Dhe duhet t’i qëndrosh besnik gjuhës dhe vendit tënd, sepse për këtë po shkojmë, për gjuhën, për vlerat dhe të veçantat tona dhe për ato që dinë të bëjmë më mirë ne shqiptarët.”

Anabel kontaktoi me ekipin e Besës, i cili u shpreh tekstualisht:

“Përshëndetje e nderuar Anabel Media! Ju falenderojmë për korrektesën dhe e mirëkuptojmë interesin tuaj, por Besa nuk e vlerëson me rëndësi të komentojë asgjë mbi këtë lajm. Ju përshëndesim dhe urojmë gjithë të mirat. Suksese të mëtejshme”.

Besa Kokëdhima përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Titan” vitin e kaluar. Ajo nuk arriti të kualifikohej në finalen e madhe, pavarësisht se kënga u mirëprit nga publiku vendas dhe i huaj.

Artikuj të sugjeruar: