Art & Libra

Sugjerimi i Anabel: Ky roman nuk është fare (po fare) për njerëzit me zemër të dobët

Shkruar nga Anabel

23 Maj 2025

Sugjerimi i Anabel: Ky roman nuk është fare (po fare) për

Tanimë ju e dini: Ne ju sugjerojmë vepra që mund t’i merrni me vete në një fundjavë të qetë ose t’i lexoni në shtëpi, kur s’keni as nerva dhe as nge të dilni. Këtë herë, ju rekomandojmë “Shumë vonë” (Colleen Hoover), një roman të errët dhe shokues, i prezantuar nga botimet “Living”.

Një guidë në romanin tronditës “Shumë vonë” nga Colleen Hoover

“Shumë Vonë” nga Colleen Hoover është një nga romanet e saj më të errëta dhe më tronditëse; një histori që shkel kufijtë e romancës tipike dhe depërton thellë në terrin psikologjik të një dashurie të shtrembëruar. Nuk është një libër për zemra të ndjeshme, por një thirrje për ata që kërkojnë histori të drejtpërdrejta, të dhimbshme dhe emocionalisht të paqëndrueshme.
 
Me një stil që të rrëmben që në faqet e para, ngjarja ndjek fatin e Sllonit, një vajzë që ka sakrifikuar gjithçka për të mbrojtur dikë të pafajshëm. Por çmimi që paguan për vendimin e saj është jetesa me një njeri të rrezikshëm dhe manipulues, derisa një fije shprese paraqitet në formën e një të panjohuri.

Një botë ku dashuria dhe frika ecin krah për krah

Slloni ngjall një gërshetim ndjesish te lexuesi: forcë dhe thyerje, përkushtim dhe dëshpërim. Ajo ndodhet e mbyllur në një flluskë ku dhuna dhe kontrolli janë përditshmëri, por kur Asa, partneri i saj posesiv dhe i rrezikshëm, fillon të dyshojë për ndjenjat e saj ndaj Karterit, të huajit me sy të sinqertë, gjithçka fillon të shpërbëhet.
 
Hoover përdor një strukturë tregimi të shumëfishtë, duke i dhënë zë secilit personazh dhe kjo e bën përvojën e leximit edhe më të veçantë dhe mistike. Nuk ka të bardhë dhe të zezë në këtë roman, se çdo personazh ka hijet dhe dritëhijet e veta, ku çdo zgjedhje sjell pasoja të rënda.
 
“Shumë Vonë” nuk është thjesht një histori dashurie, por një eksplorim i thellë i manipulimit emocional, varësisë, sakrificës dhe shpresës. Mes rreshtave, lexuesi sfidohet të pyesë veten: “Çfarë do të bëja unë në vend të saj?”; “Deri ku do të shkoja për të shpëtuar dikë që dua?”.
 
Dinamika mes Sllonit dhe Asës është sa shqetësuese, aq edhe bindëse. Ndërsa Karteri sjell një ndjenjë qetësie dhe ndershmërie, të gjithë kufijtë mes dashurisë së pastër dhe mbijetesës së dhunshme fillojnë të fshihen.

Colleen Hoover – një zë që s’të lë të qetë

Titujt e tjerë bestseller të Colleen Hoover të sjellë në shqip nga botimet “Living” janë: “Mbaron me ne”, “Fillon me ne”, “Gjithçka perfekte tek ti”, “Dashuri e shëmtuar”, “9 nëntori”, “Kockat e zemrës”, “Kujtimet e tij”, “Veriti”, “Pengu im”, “Lajla”, “Kurrën e kurrës”.
 
Librat e saj kanë pushtuar listat më prestigjioze si New York Times Best Seller, duke krijuar një komunitet të tërë lexuesish, që ndjekin me përkushtim çdo libër të ri. Me një stil të drejtpërdrejtë, emocione të çiltra dhe personazhe që përballen me plagë reale, Hoover ka arritur të prekë një brez të tërë lexuesish që kërkojnë ndjeshmëri, thellësi dhe vërtetësi në letërsi.

Ajo shkruan për dashurinë, por nuk e idealizon. Në vend të ëndrrave rozë, ajo zgjedh të tregojë historitë e dashurisë së vështirë, jo të përsosur, shpesh të dhimbshme, por gjithmonë njerëzore. Kjo është ajo që e bën Hoover kaq të veçantë: nuk të jep arratisje nga realiteti, por të fton ta përballesh me të, fjalë për fjalë e kokë më kokë.

Fenomeni “CoHo”, siç e quajnë fansat, nuk është vetëm letrar, por edhe emocional. Librat e saj lexohen shpejt, por të mbeten gjatë në kujtesë. Dhe ndoshta është kjo arsyeja pse Colleen Hoover është sot një nga zërat më të dashur dhe më të fuqishëm në letërsinë bashkëkohore.
 
Colleen Hoover ka krijuar një emër të pakrahasueshëm në botën e romancës bashkëkohore, por me “Shumë Vonë” zhvendoset në botë edhe më të errëta. Ky është një roman që nuk e lexon për t’u ndjerë mirë, por për t’u ndjerë i gjallë. Me ndjenjat e çoroditura që të lë pas, me pyetjet e vështira që të shtyn të bësh, ky libër është dëshmi e guximit letrar të autores.

Pasazhe nga libri:

- “Dashuria të gjen vetë. Dashuria të gjen te falja në fund të një zënke. Dashuria të gjen në përqafimin pas një tragjedie. Dashuria të gjen në festimet pas mposhtjes së një sëmundjeje. Dashuria të gjen në dëshpërimin pas dorëzimit ndaj një sëmundjeje”.
 
- “Ai më përqafon. Vetëm kaq bën. Më përqafon fort, pa thënë asnjë fjalë, por unë e ndiej të thotë shumëçka”.
 
- “Dikur lexova se ndryshimi mes një ekstroverti dhe një introverti dallohet në mënyrën se si ata sillen në grup. Grupi të mbush me energji ose t’i shteron ato. Introverti mund të duket si ekstrovert dhe anasjelltas, mirëpo rëndësi ka se si ndikohesh së brendshmi. Unë jam pa dyshim një introvert, sepse njerëzit më shterojnë”.