Ka disa lajme që nuk kalojnë dot filtrin tonë editorial - jo se janë skandaloze, jo se s’kanë pak “lëng”, por se... le ta themi troç: nuk na bindin mjaftueshëm për t’i marrë seriozisht. Na falni shumë për mungesën e modestisë, por që…
Por ja që jetojmë në një botë ku dikush ka parë dikë me dikë, dikush ka bërë “unfollow”, dhe dikush tjetër ka postuar një citat pasivo-agresiv. Dhe njerëzit duan ta dinë.
“Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet” është vendi ku i lëmë të gjitha këto copëza - gjysmë të rëndësishme, gjysmë “për muhabet”, ndonjë thashethem që s’e kemi konfirmuar dot (po as e kemi marrë mundimin ta konfirmojmë) dhe disa detaje që ndoshta janë thjesht fryt i imagjinatës kolektive të rrjeteve sociale.
Këtu mund të gjeni gjithçka: nga “çfarë kanë thënë” te “mos e merr për të sigurt”, e deri te “hë, po këtë pse e lexova?”. Nuk janë lajme që do t’ju ndryshojnë ditën. Janë më shumë si ato reels-at që i sheh pa zë, pa dëshirë...por gjithsesi i sheh.
Nejse, le të shkruajmë për arsyen pse keni klikuar!
Jozi flet për incidentin me Gjestin: “S’kemi pasur kontakt” (normal që jo Jozi, çfarë pret?!)
I ftuar te “Goca dhe Gra”, Jozi foli ndër të tjera për shpullën ndaj Gjestit, duke treguar edhe pse kanë shumë miq të përbashkët, sërish nuk kanë pasur kontakt bashkë.
“Kontakt me Gjestin nuk kemi pasur. Kemi shumë miq të përbashkët, por akoma nuk kemi pasur kontakt. Kam kërkuar të dëgjoj veten më shumë, jam munduar ta kaloj situatën në mënyrën më të qetë. I jam përkushtuar muzikës. Shumë suksese Gjestit”, tha ai, duke vijuar me moton e përgjithshme: “Jeta vazhdon”.
Bukur Jozi! Fresk si përherë.
Robert Berisha s’i ka mirë punët me dashurinë?
Robert Berisha dhe dashuria qenkan 2 paralele! Thuhet se ai dhe Ana, e dashura e tij që jeton në SHBA, mund të jenë duke kaluar një krizë në raportin e tyre. Sipas “Prive”, të dy herë e ndjekin e herë e heqin njëri-tjetrin nga rrjetet sociale dhe për më tepër, Ana ka fshirë fotot me Robertin në Instagram.
Epo, urojmë të jetë kalimtare...
Xheneta thumbon Drilonin
Ah moj Xhenetë, kur do bësh lajm për veten dhe jo për të tjerët? Duke qenë se “Mos i bjer me top” s’e ka hequr kasetën nga “BBVK” dhe “BBVA”, kanë ftuar prapë Xhenetën në studio dhe i kanë treguar edhe ca foto të Drilonit. Xheneta, e cila di si të tërheqë vëmendje, u shpreh me ironi: “Ky që vdes pas meje”.
“Pse është boksier ky? Nuk i lejohet të bëjë më boks! Tipik çuni që në shtëpi thotë mamit se do sjell një gocë, por në prapaskenë më thërret mua”, tha më tej ajo.
Meqë jemi te Xheneta: Foli edhe për Gjestin (dhe për Eglin, sigurisht)
I njëjti emision, i njëjti person, thjesht thashethem i ri! Prapë tek tematika e fotove rrimë: Xheneta, kur pa foton e Eglit u shpreh se “s’e njeh personalisht”, ndërsa për Gjestin u tregua ca si më bujare me fjalët:
“Është burrë i martuar. Këtij i uroj gjitha të mirat. Më pëlqen ai shpirti fëmijëror që ka. Për stilin e tij më pëlqen, shumë suksese me shumë fëmijë meqë është i martuar.”
Ferma VIP: Nenna tregon se si u ndanë prindërit e saj
Nenna, gjatë një bisede me Luana Vjollcën, rrëfeu historinë e familjes së saj, duke treguar se si i ati u dashurua me një grua tjetër dhe i dha fund martesës me nënën e saj:
“Gjithçka po shkonte mrië, derisa një femër ndërhyri në jetën tonë. Ajo la familjen e saj, babai i bleu shtëpi, makinë asaj femre, po insistimi i saj ishte të vinte në shtëpinë tonë. Prindërit vendosën të ndahen kur ajo erdhi te ne. Pas 25 viteve martesë ata u ndanë. Dajat ndërhynë, ata e thirrën në telefon. Dajat e mi nuk u ndalën derisa erdhi puna ku babai e plagosi dajën në sytë e mi me 5 plumba”, u shpreh ajo.
“Pastaj, babai im përfundoi në burg. E lamë atë shtëpi, kërkuam shtëpi me qira. Dolëm vetëm me rroba trupi. Arritëm në pikën ku nuk kishim as bukë për të ngrënë”, tregoi ajo e përlotur, duke shtuar se ka punuar në ndërtim në Gjermani dhe se i mungon shumë i ati.
Alba, Limi dhe ‘çfarë dreqin po ndodh?!’
Alba dhe Limi ose janë çifti më toksik, ose thjesht kanë nge e luajnë me njerëzit. Ndërsa Alba po jepte një intervistë përballë Luanës, live pa se si partneri i saj publikoi foton e një goce thuajse nudo, e cila ishte në shtëpinë ku ai jeton me Albën. Kjo e fundit, kërcënoi vajzën, i tha të largohej se ndryshe do të ndodhte tërmet (ja ku po vjeeen ajooo, toka ka tërmeeet) dhe iku nga programi.
Nuk e di edhe për sa kohë do jenë këta të dy pjesë e kësaj rubrike, por këtu jemi, do ta zbulojmë.
Kur do e harrojmë sherrin mes Adelinës dhe Leonorës (spoiler: Kurrë!)
Adelina ishte e ftuar në “Radar” në RTV Dukagjini dhe ndonëse shkoi për të folur për rikthimin e saj në muzikë, sërish, fansat nuk e lanë rehat. Pjesë e emisionit ishin edhe telefonatat e njerëzve dhe një person kurioz e pyeti Adelinën për marrëdhënien e saj me Leonorën.
“Këtë pyetje duhet ta bësh tjetërkund, jo tek unë”, u përgjigj me buzëqeshje Adelina.
Kujtojmë se gocat janë përfshirë në një sherr të dhunshëm në fillimet e karrierës së tyre dhe me thënë të drejtën, zënka e tyre jeton pa qira në mendjen tonë dhe të këtij njeriut që s'i zë shpirti vend nga dilemat.
Rastësi apo me qëllim? Gjesti paska nistoren e Eglit në varëse
Egli dhe Gjesti janë ende tematikë e diskutuar, edhe pas përfundimit të “BBVA 4”. Rishtazi, këngëtari ka publikuar një foto në Instastory dhe ndryshe nga ç’mund të mendonte, njerëzit s’u morën fare me të, por me varësen në të cilën ka një shkronjë “E”.
Mund të jetë rastësi, vijimësia e shkronjave të tjera që krijojnë një fjalë ose edhe një dedikim për Eglin, s’e dimë, por nejse, shumë e lezetshme varësja. Fiks për verë.
Tea Zhuli është në pritje të ëmbël
E pra, ngaqë ti s’e mban mend ekzaktësisht se kush është, ndaj i përket kësaj rubrike. Ish-banorja e “Big Brother”, Tea Zhuli, do të bëhet nënë për herë të parë.
Përmes një postimi në Instagram, Tea na tregoi “sekretin e saj të shtrenjtë”, me një video ku shfaqet barku i rrumbullakosur dhe mori urimet e rastit. Ja të ta themi edhe ne: Shumë urime Tea!