Mama Talk

Ke ngatërruar ndonjëherë emrin e fëmijës me emrin e motrës/vëllait? Ja pse ndodh

Shkruar nga Anabel

21 Maj 2025

Ke ngatërruar ndonjëherë emrin e fëmijës me emrin e

Nëse të ka ndodhur ndonjëherë të thërrasësh fëmijën me emrin e motrës më të vogël ose vëllait, mos u shqetëso. Këto lloj ngatërrimesh janë shumë të zakonshme dhe interesante për mënyrën si truri ynë përpunon marrëdhëniet, kujtesën dhe emocionet.

Imagjino: je duke mbajtur fëmijën dhe papritur e thërret, për shembull, me emrin e motrës së vogël. Të duket e çuditshme, ndoshta ndihesh edhe pak në faj: si ka mundësi që po ngatërroj emrin e fëmijës tim?

Ngatërrimi i emrave ndodh shpesh kur e thërrasim dikë me emrin e një personi tjetër që kemi afër emocionalisht, veçanërisht brenda të njëjtës kategori - si anëtarët e familjes, miqtë e ngushtë apo kafshët shtëpiake. Sipas psikologëve, kjo është një “rrëshqitje” krejt normale e trurit, jo shenjë harrese apo konfuzioni. Në të vërtetë, është një pasqyrim i mënyrës si truri ynë lidh emrat me ndjenjat dhe rolet, jo vetëm me fytyrat.

Truri ynë nuk i arkivon emrat sipas rendit alfabetik. Përkundrazi, i grupon sipas rëndësisë emocionale dhe ngjashmërisë në marrëdhënie. Pra, nëse ti e ke rritur motrën/vëllain e vogël – e ke ushqyer, e ke larë, e ke vendosur në gjumë, e ke mbrojtur – ka shumë mundësi që truri yt e ka vendosur emrin e tij/saj në dosjen “persona për të cilët kujdesem dhe i dua shumë.” Kur lindi fëmija yt, ai/ajo u shtua në të njëjtin “folder emocional.”

Në ato momente kur je duke u kujdesur për fëmijën, truri thjesht shkon te vendi më i afërt dhe më i njohur. Dhe ndonjëherë, emri i parë që del, është ai i motrës/vëllait.

Për ata që janë fëmijë të parë, sidomos kur ka diferenca të mëdha moshe me motrat apo vëllezërit më të vegjël, ky model është edhe më i zakonshëm. Shumë fëmijë të parë marrin rol kujdestari për motrat e vëllezërit më të vegjël, veçanërisht kur ndihma është e nevojshme në familje.

Ta ngatërrosh emrin e fëmijës me atë të motrës/vëllait nuk është tregues se je i/e hutuar apo nuk po i kushton vëmendje sa duhet. Përkundrazi, është një dëshmi se sa të fuqishme dhe të ndërlikuara mund të jenë marrëdhëniet tona. Tregon se përvojat e tua të hershme të kujdesit kanë formuar atë që je sot dhe truri i mban ato lidhje të gjalla.