BE heq të gjitha sanksionet ndaj Sirisë pas rënies së regjimit të Assad
Bashkimi Europian vendosi të martën të heqë të gjitha sanksionet ekonomike të mbetura ndaj Sirisë, me shpresën se kjo do të lehtësojë qasjen në fonde financiare dhe do të përshpejtojë rimëkëmbjen e vendit pas rënies të regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor.
"Duam të ndihmojmë popullin sirian të ndërtojë një Siri të re, gjithëpërfshirëse dhe paqësore. BE ka qëndruar gjithmonë pranë sirianëve gjatë këtyre 14 viteve – dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë," deklaroi Kaja Kallas pas takimit të ministrave të jashtëm.
Vendimi i BE-së vjen më pak se një javë pas vizitës së Donald Trump në Lindjen e Mesme, gjatë së cilës ai u takua me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe shpalli planin për heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj Sirisë.
BE nis rishikimin e marrëveshjes me Izraelin pas sulmeve në Gaza
Bashkimi Europian do të rishikojë marrëveshjen e tij të gjerë tregtare dhe të bashkëpunimit me Izraelin, pas zgjerimit të sulmebe izraelite në Gaza dhe refuzimit për të hequr bllokadën dymujore të ndihmave humanitare.
Vendimi u mor të martën, pasi 17 nga 27 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare mbështetën propozimin e paraqitur nga ministri i jashtëm holandez, Caspar Veldkamp.
Kjo do të thotë se Komisioni Europian do të nisë një shqyrtim për të përcaktuar nëse Izraeli ka shkelur detyrimet për të drejtat e njeriut sipas Nenit 2 të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, që rregullon marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike mes dy palëve.
Mbretëria e Bashkuar pezullon negociatat tregtare me Izraelin
Qeveria britanike ka njoftuar pezullimin e negociatave për një marrëveshje të re tregtare me Izraelin dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, në përgjigje të sumeve të vazhdueshme në Gaza.
Sekretari i Jashtëm, David Lammy deklaroi se marrëveshja aktuale tregtare me Izraelin mbetet në fuqi, por qeveria nuk mund të vazhdojë negociatat me një administratë që ndjek, sipas tij, politika “të rënda dhe të papranueshme” në këto territore.
Lammy shtoi se cikli i vazhdueshëm i dhunës në Bregun Perëndimor kërkon një përgjigje të qartë dhe konkrete.
Hungaria miraton tërheqjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale pas urdhrit të arrestit ndaj Netanyahu-t
Parlamenti hungarez miratoi të martën propozimin për tërheqjen e vendit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), me 134 vota pro, 37 kundër dhe 7 abstenime. Iniciativa u paraqit nga zëvendëskryeministri Zsolt Semjen.
Sipas qeverisë hungareze, GJNP është shndërruar në një aktor politik.
Kryeministri, Viktor Orbán e akuzoi gjykatën për ndërhyrje politike në një konflikt ende të hapur, pasi ajo lëshoi urdhër arresti për kryeministrin, izraelit Benjamin Netanyahu. Orbán deklaroi se ky vendim minon të drejtën ndërkombëtare.