Nëse dikush ju thotë që “wrestling” ose mundja është vetëm për burrat – prezantojini Medina Alinë, ose siç e njeh publiku i ringut: Xena Phoenix. Vajza me origjinë shqiptare që nuk po thyen vetëm rregullat e lojës, por edhe stereotipet.
Në një intervistë për “Andale Sport”, nga Andale Media, Medina rrëfeu rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm nga një vajzë që s’e linin të luante basketboll ngaqë ishte "shumë agresive", në gruan që sot ngjitet në ring me flamurin kuq e zi në zemër dhe një pseudonim me histori.
Nga “Dina” në “Xena Phoenix”
Pseudonimi “Xena Phoenix” nuk është thjesht një emër skene – është një trashëgimi shpirtërore. Phoenix ishte nofka që babai i dha kur ajo ishte ende e vogël dhe ndihej e përjashtuar nga sportet, sepse askush nuk dinte si të përballonte intensitetin e saj. “Ti je feniksi im, më tha babi. Zjarri yt, shpirti yt, ky është karakteri yt.” Ndërsa “Xena” – si princesha luftëtare – ishte zgjedhja e mamit. Dhe bashkë, krijuan një identitet që sot frymëzon dhe vajza të tjera.
E para mundëse shqiptare në SHBA
“Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do isha e para,” tha ajo me modesti. Por e dinte se çfarë donte: të përfaqësonte identitetin e saj me krenari. “Doja një veshje kuq e zi.”
Dhe ky shpërthim energjie e pasioni në rrjete sociale bëri që rruga e saj të merrte kthesë të madhe. Ajo nisi të frymëzojë vajza të tjera që e ndjekin, e që sot e shohin si një figurë që thotë me bindje: “Nëse unë ia dola, mundeni edhe ju.”
Nga Film në ring – rruga që kaloi nëpër zjarr
Medina nuk e nisi si sportiste klasike. Ajo studioi Film në universitet, por u ndje e tërhequr nga jiu-jitsu – një art marcial që i zbuloi anën e saj konkurruese dhe atletike. Trajnerët e panë menjëherë potencialin dhe i thanë se mund të bëhej kampione bote. WWE e kontaktoi për një audicion, por fillimisht e shihnin si arbitre. “Nuk ishte ajo që doja.”
U rikthye në Kaliforni, ndoqi shkollë profesionale për wrestling dhe në vitin 2024, Paramount i hapi derën si Xena Phoenix. Të njëjtën ditë firmosi kontratën. Pjesa tjetër? Histori.
Kuq e zi në ring dhe një zë për identitetin
“Të qenit shqiptare është pjesë e imja. Ishte diçka që më buronte nga brenda.” Medina shprehet krenare për rrënjët e saj. Gjyshi i saj tha se ishte këngëtari Shaban Gjeka – dhe mami me vëllanë janë gjithashtu artistë.
Në shtëpi flasin vetëm shqip, edhe pse ajo pranon se dialekti nga Mali i Zi është i ndryshëm nga ai që flitet në Shqipëri. Për këtë arsye, ndjehet ende e pasigurt të japë intervista në shqip, por premton se po punon fort për ta përmirësuar.
“Wrestling ka brenda edhe aktrimin”
View this post on Instagram
Nuk është çudi që Medina, me sfond artistik, e gjeti veten në një sport ku trupi është skenë dhe çdo lëvizje është performancë.
“Familja ime më mbështeti gjithmonë, edhe pse në fillim kishte rezistencë. Mami kishte frikë se mos lëndohesha. Marrëveshja ishte që të vazhdoja shkollën me nota të larta dhe mund ta ndiqja pasionin tim.”
Me ëndrra për Shqipërinë dhe një crush shqiptar
Po, Medina ka në plan ta sjellë wrestling edhe në Shqipëri, sepse siç thotë ajo: “Ka shumë fansa edhe atje.”
Dhe për ta mbyllur me patriotizmin: Medina adhuron Dua Lipën, Elvana Gjatën, Dafina Zeqirin dhe… Ledri Vulën, për të cilin pranon që kishte një crush të hershëm.
Intervista e plotë në "Andale Sport":
Artikuj të sugjeruar: