Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

20 Maj 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Trump: Bisedimet për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës do të nisin menjëherë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet për një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës do të nisin “menjëherë”, pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Në një postim në rrjete sociale, Trump tha se biseda “shkoi shumë mirë” dhe se “Rusia dëshiron të zhvillojë tregti me Shtetet e Bashkuara sapo të përfundojë kjo gjakderdhje katastrofike.”

“Sapo kam informuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, për rezultatet e bisedës sime me Putinin.

Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, është shprehur i interesuar për negociatat. Le të nisë procesi!”, shkroi Trump.

Reklama e rreme turke u bën thirrje turistëve indianë të injorojnë bojkotin

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Një njoftim i rremë, që pretendohet të jetë lëshuar nga qeveria turke, po qarkullon në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje turistëve indianë të mos anulojnë apo shtyjnë udhëtimet drejt Turqisë, pavarësisht tensioneve mes Indisë dhe Pakistanit.

Në njoftim thuhet se shumica e popullit turk nuk është i informuar për konfliktin mes Indisë dhe Pakistanit, si dhe se indianët janë ende të mirëpritur. Po ashtu, në reklamë thuhet se ata do të jenë të sigurt gjatë qëndrimit në Turqi.

Ky njoftim po shpërndahet në sfondin e një thirrjeje për bojkotim të Turqisë nga India, që përfshin ndalimin e udhëtimeve turistike, ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe akademike, pas mbështetjes së shpejtë që Ankaraja i dha Islamabadit në konfliktin mes dy vendeve.

Britania, Franca dhe Kanadaja kritikojnë ashpër veprimet e Izraelit në Gaza

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Tre nga aleatët kryesorë të Izraelit – Britania, Franca dhe Kanadaja – kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku dënojnë shtimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

“Aktualisht kushtet në Gaza janë të tmerrshme,” thuhet në deklaratë, ku i bëhet thirrje Netanyahut të lejojë “menjëherë” hyrjen e ndihmave humanitare në territorin palestinez.

Sipas Kombeve të Bashkuara dhe grupeve të tjera humanitare, ndihmat nuk janë lejuar të hyjnë në Gaza që nga data 2 mars.

Kryeministri spanjoll kërkon përjashtimin e Izraelit nga Eurovisioni

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka bërë një deklaratë të fortë më 19 maj, duke kërkuar përjashtimin e Izraelit nga Konkursi Evropian i Këngës, Eurovision, në shenjë solidariteti me popullin palestinez.

“Populli palestinez po përjeton absurditetin e luftës dhe bombardimeve. Nuk mund të kemi standarde të dyfishta në kulturë,” u shpreh Sánchez.

Ai kujtoi precedentët e mëparshëm, duke përmendur rastin e përjashtimit të Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, ndaj theksoi se “nëse Rusia u përjashtua, atëherë edhe Izraeli nuk duhet të marrë pjesë.”