Edlira Çepani, në një intervistë në emisionin “Interview” përballë Mirela Milorit, ka folur për mungesën e madhe që ka lënë humbja e papritur e bashkëshortit të saj të ndjerë, Gert Bogdanit.
Ajo, e prekur, tha ndër të tjera se e ndjen praninë e Gertit dhe se ai i ka dhënë dashuri “sa për 3 jetë”.
“Nuk ka asnjë moment që të flitet për Gertin dhe unë të mos prekem dhe të mos më marrë kaq shumë malli. Me Gertin kemi ngritur gjithçka bashkë. Asgjë nuk e kemi pasur të ndarë nga njëri-tjetri!”.
Më tej, shtoi:
“Ndaj është apo nuk është ai fizikisht, mua patjetër që më mungon gjysma ime më e mirë, por ai ka lënë kaq shumë dashuri për mua dhe për fëmijët. Na ka lënë dashuri sa për tre jetë. Sado i gjatë apo i shkurtër të jetë ky udhëtim pa Gertin, nuk do jetë asnjëherë pa Gertin. Na mungojnë këshillat, i kishte gjithmonë të sakta. Më mungon pjesa që ne sukseset i ndanim gjithmonë bashkë. Më mungon që nuk i ndaj dot siç i ndaja më parë”.
Kujtojmë se Gert Bogdani ndërroi jetë në mënyrë të beftë në shtator të vitit të shkuar, nga një arrest kardiak. Gerti ishte vetëm 44 vjeç.
Gert Bogdani u diplomua në universitetin Politeknik në New York. Ai nisi karrierën në vitin 2007, ku kandidoi si kryetar i njësisë bashkiake nr.10 në Tiranë për PD dhe fitoi garën. 2 vite më vonë, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe u zgjodh si deputeti më i ri në Kuvendin shqiptar. Nga viti 2009 deri në vijim, ka vazhduar aktivitetin si kryetar i Formunit Rinor të PD.
Në vitin 2011 ai u zgjodh zëvendëspresident i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” dhe më tej, në janar të vitit 2012 mori rolin e nënkryetarit. Në shtator të vitit 2015, ai u zgjodh kryetari i IYDU, në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë, ku u bë edhe politikani i parë shqiptar që mban një post të tillë në një organizatë ndërkombëtare.
Artikuj të sugjeruar:
- Arbër Çepani kujton Gert Bogdanin me një dedikim prekës: “40 ditë pa ty, shoku im”
- Edlira Çepani bën dedikimin e ndjerë për Gert Bogdanin: “Ti e fitove betejën tënde!”
- Futbollistët e Tiranës bëjnë homazhe për Gert Bogdanin
- Humbja e papritur: I jepet lamtumira Gert Bogdanit
- Humbja e Gert Bogdanit: Figurat publike shprehin ngushëllimet