Ish-presidenti amerikan, Joe Biden, diagnostikohet me kancer në prostatë
Ish-presidenti amerikan Joe Biden është diagnostikuar me kancer në prostate.
Zyra e Biden-it bëri të ditur se diagnoza është përcaktuar të premten, ndërsa qelizat kanceroze janë përhapur edhe në kocka.
“Presidenti dhe familja e tij po shqyrtojnë opsionet e trajtimit me mjekët e tij.”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kanceret e prostatës vlerësohen me një sistem pikëzimi të quajtur Gleason, nga 1 deri në 10, që tregon sa ndryshe duken qelizat kanceroze në krahasim me ato normale. Zyra e Biden-it deklaroi se ai ka një rezultat 9, që tregon se ish-presidenti vuan nga një formë shumë agresive e kancerit.
Izraeli lejon sasi minimale ushqimi në Gaza pas një bllokimi tre mujor
Izraeli ka deklaruar se po lejon një "sasi bazë" ushqimi të hyjë në Gaza pas një bllokade gati tre mujore që ka lënë shumë palestinezë në mungesë të kushteve bazë jetike, si ushqimi apo uji.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se kabineti i tij po vepronte sipas rekomandimeve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Nga ana tjetër, të shtunën, Izraeli nisi një sulm të ri ushtarak tokësor në Gaza. Vetëm të dielën, sulmet ajrore izraelite vranë mbi 100 persona.
Nicusor Dan fiton zgjedhjet presidenciale në Rumani me rreth 54% të votave
Kandidati i pavarur pro-perëndimor, Nicusor Dan shënoi një rezultat të paparashikueshëm, duke fituar zgjedhjet presidenciale në Rumani me 54% të votave.
Kundërshtari i tij, kandidati i ekstremit të djathtë, George Simion, me 46% të votave, në fillim refuzoi të pranojë humbjen dhe të njohë rezultatin zgjedhor. Megjithatë, ai u tërhoq nga ky qëndrim dhe uroi kundërshtarin për fitoren.
Ky rezultat lë të kuptohet se populli rumun ka zgjedhur të linjëzohet si një vend pro-perëndimor, duke votuar masivisht për kryebashkiakun e Bukureshtit.
Rusia nis sulmin më të madh me dronë në Ukrainë që nga fillimi i luftës
Rusia ka kryer sulmin më të madh me dronë ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë, duke lëshuar gjithsej 273 dronë gjatë natës nga e shtuna në të diel.
Të paktën një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë, përfshirë një fëmijë katërvjeçar, janë plagosur në rajonin e Kievit. Sulmet gjithashtu shkaktuan dëme edhe në rajonet e tjera.
Ky sulm masiv vjen në një kohë, ku SHBA dhe të tjera vende po punojnë për arritjen e një armëpushimi përfundimtar mes dy vendeve.