BE-ja sanksionon përsëri Rusinë
Propozimi i fundit i Bashkimit Europian për raundin e ardhshëm të sanksioneve ndaj Rusisë - paketa e 17-të që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia më shumë se tre vjet më parë - mund të jetë më i dobëti deri më tani.
I prezantuar nga Komisioni Europian më herët këtë javë para 27 anëtarëve të BE-së dhe i parë nga RFE/RL, propozimi nuk përmban masa të ashpra ekonomike kundër Kremlinit. Në vend të kësaj, ai përmban më shumë ngrirje të aseteve dhe ndalime vizash për individë dhe subjekte të ndryshme, kryesisht qytetarë rusë dhe kompani të përfshira në industrinë e armëve, raporton REL.
Gjithashtu përfshin ndalimin e 98 anijeve të tjera nga e ashtuquajtura flotë hije e Moskës që të shërbehen në portet e BE-së, duke e çuar totalin e anijeve në listë në 250. Dhe së fundmi, vendos kufizime eksporti për 35 kompani, shumica e të cilave janë ruse, por të tjerat janë kazake, serbe, turke dhe uzbekeze.
Trump heq sanksionet ndaj Sirisë dhe nënshkruan marrëveshje rekord armësh me Arabinë Saudite
Presidenti Donald Trump nisi vizitën e tij në Gjirin Persik të martën me një njoftim të papritur: Shtetet e Bashkuara do të heqin sanksionet e kahershme ndaj Sirisë dhe Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Uashingtoni ka rënë dakord t'i shesë Arabisë Saudite një paketë armësh me vlerë afro 142 miliardë dollarë – marrëveshja më e madhe e bashkëpunimit ushtarak që SHBA ka realizuar ndonjëherë.
Heqja e sanksioneve ndaj Sirisë përbën një shtysë të madhe për një vend të rrënuar nga mbi një dekadë lufte civile. Rebelët, të udhëhequr nga presidenti aktual Ahmed al-Sharaa, rrëzuan nga pushteti Bashar al-Assad dhjetorin e kaluar.
Trump ofron ndërmjetësim në bisedimet Rusi-Ukrainë: “Ndoshta do të jem në Stamboll të enjten”
Presidenti amerikan, Donal Trump, ka bërë një ofertë të papritur, më 12 maj, për t’iu bashkuar bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë që pritet të mbahen këtë javë në Stamboll, duke nxitur reagime dhe diskutime mes diplomatëve amerikanë dhe europianë, të cilët vijojnë të kërkojnë mënyra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Mos e nënvlerësoni të enjten në Turqi”, tha Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pak para nisjes për një udhëtim në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke iu referuar bisedimeve të mundshme më 15 maj.
“Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten”, shtoi ai. “Kam shumë takime… ndoshta do të jem atje, nëse shoh që mund të ndodhë diçka konkrete”.
Lajmi i mirë për vëllezërit Menendez: Të drejtë për lirimin me kusht pas 50 vjetësh
Një gjykatës në Los Angeles ka reduktuar dënimin e Erik dhe Lyle Menendez, të cilët ishin dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e prindërve të tyre në vitin 1989, në vilën e tyre në Beverly Hills.
Gjykatësi Michael Jesic vendosi një dënim të ri prej 50 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Tani, vendimi për mundësinë e lirimit të tyre do të merret nga bordi shtetëror i amnistimeve, i cili do të mbajë një seancë dëgjimore muajin e ardhshëm.
Prokuroria ishte kundër uljes së dënimit, duke argumentuar se dyshja nuk janë rehabilituar.
Ata kanë pretenduar se i vranë prindërit, Kitty dhe Jose Menendez, në vetëmbrojtje, pas vitesh abuzimi seksual. Rasti ka nxitur debate të shumta në Amerikë dhe ka qenë subjekt librash dhe dokumentarësh.