Stresi dhe Keisi, sërish bashkë!
Një ndër çiftet më të përfolur i kanë dhënë raportit të tyre një tjetër shans! Keisi dhe Stresi kanë konfirmuar rikthimin e tyre, pasi reperi i ka dedikuar një këngë të bazuar në bisedat e dyshes në WhatsApp.
“Marrëdhënia jonë sot mendoj se është shumë më e pjekur. Është e bazuar në respekt, mirënjohje dhe mbështetje. Dashuria mes nesh ka qenë e flaktë, të paktën nga ana ime. Unë kam qenë e marrosur, ahaha! Stresi im vinte nga Stresi vetë domethënë, por edhe lumturia ime vinte nga ajo e tij. Nëse dikur kishim një dashuri posesive dhe prisnim reciprocitet, sot mendoj se është një dashuri pa kushte dhe e paimponuar”, u shpreh Keisi, në një intervistë për “Revista Who”.
Luiz Ejlli shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës
Luiz Ejlli është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Tiranë për çështjen e falsifikimit të aktit noterial dhe justifikimit të një shume prej 210 mijë eurosh. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën ankimore të avokatëve dhe kështu, u ndryshua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, e cila e dënoi me një vit burg Luiz Ejllin.
Luiz Ejlli ishte dënuar pasi kishte falsifikuar dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive. Asokohe, këngëtari, përmes vulës së noterit, ka falsifikuar dokumentacionin, për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive, të cilat supozohet se burojnë nga një aktivitet i dyshuar si kriminal. Luizi akuzohej për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, së bashku me një shtetas me nistoret F.A.
Divorcohen Shpat Kasapi dhe Selvija
Në emisionin “Prive” me Liberta Spahiun, u konfirmua se Shpat Kasapi dhe Selvija janë divorcuar. Sipas “Prive”, Selvija e ka pranuar se rrugët e tyre tanimë janë ndarë, por gjithsesi, një njëfarë mënyre do të vijojnë të jenë të lidhur, për shkak se kanë një djalë bashkë. Ndërsa Shpati njoftoi se do të publikojë një projekt muzikor ku dëgjohej vargu “S’du me u nda”, Selvija publikoi një foto të librit të shenjtë të Kuranit, me mbishkrimin:
“Qëndroj e heshtur sepse Allahu e di! Kam aq shumë besim tek Allahu, sa edhe në momentet e mia më të vështira, gjej paqe duke ditur që Ai kurrë nuk bën gabime. Ai sheh atë që ti nuk mundesh, dhe planet e tij janë gjithmonë më të mira se të tuat”.
Jozi uron Loredanën për ditëlindje
Pas daljes nga “Big Brother VIP Albania”, Loredana mbajti një qëndrim të përmbajtur për raportin me Jozin, duke u shprehur: “Kam marrë një vendim, por nuk dua të shprehem”. Ajo zgjodhi heshtjen dhe deri disa orë më parë, askush nuk dinte gjë...derisa hyri në skenë Jozi.
Ai postoi një urim për ditëlindjen e Loredanës, me një foto të saj me tortë, qiri, vendosi një emoji ylli dhe një zemër në ballë. Ndonëse nuk e dimë ekzaktësisht nëse janë bashkë, shanset janë te 97%, sepse ish-i nuk të uron kurrë me kaq shumë emoji (veç nëse do rikthim).
Drama mes Sara Kolamit dhe Drilon Ramës :)
Sara dhe Driloni u panë si çift dhe na dhanë ca sinjale mikse (njëjtë si Driloni Sarës në “BBVK”). Më tej, kur të gjithë menduam se ata vijonin lidhjen e tyre, qarkulloi një foto ku Driloni shfaqej duke puthur një vajzë tjetër. Sara e hoqi nga Instagram-i dhe dukshëm, Driloni e vuri re dhe madje, bëri edhe një reagim publik, ku mohoi të kishte një marrëdhënie romantike me Sarën.
“Nuk kemi pasur kontakt për më shumë se dy muaj, as nuk kemi shkruar asgjë. Këtë postim desha ta bëja prej kohësh, por nuk kam dashur të nxjerr askënd keq. Por ndonjëherë duhet të veprosh i pari dhe të kujdesesh për veten. Ajo video që po qarkullon është nga disa vite më parë. Ajo e ka përdorur për interesat e saj, ka vepruar siç i ka interesuar – nuk ka lidhje me mua. Unë kurrë nuk jam marrë me famë, me shfaqje, s’kam bërë zhurmë për qejfin e njerëzve. Kjo nuk është bota ime, kurrë s’ka qenë”, tha ndër të tjera Driloni në postimin e tij.
Ledri dhe Xhensila paskan shuuumëëë kimi
Na lejoni t'ju kthejmë në të shkuarën e afërt kur u aludua për një lidhje mes Ledrit dhe Xhensilës, kur kjo e fundit postoi një foto në Instagram. Qartësisht bëhej fjalë për një bashkëpunim muzikor midis të dyve, duke u nisur dhe nga vetë nënshkrimi i Xhensilës: "Disa flasin... ne këndojmë. Nesër."
Megjithatë, pozicioni i afërt midis të dyve dhe statusi i beqarisë që artistët kanë momentalisht, nxiti gjithë dashamirësit e tyre të vrisnin mendjen nëse kjo afërsi ishte thjesht për hir të këngës së re, apo kishte realisht diçka mes tyre. Ledri me Xhensilën ishin parë gjithashtu së bashku në Kosovë disa herë nga sytë publikë. Në një intervistë për "Radio Dukagjini" së fundmi, moderatorja Edita Doli pyeti Ledrin për bashkëpunimin me Xhensila Myrtezajn dhe për raportin e tyre:
"Kemi pasur shumë kimi, edhe në studio, edhe në klip, edhe në shoqëri kemi shumë kimi me Xhensilën dhe... po."
Prej përgjigjes së paqartë, që nuk i konfirmon aludimet, por as nuk i mohon ato, moderatorja ngulmoi dhe një herë për t'u sqaruar për këtë "kimi" mes dyshes. "Po edhe me ty kam kimi. Më pëlqen, mirë po shkon intervista," tha Ledri, duke e mbyllur temën e Xhensilës dhe duke na lënë ende me pikëpyetje nëse ekziston një romancë mes tyre ose jo.
Humbja e stilistit Festim Isufi: Reagon gruaja e tij
Pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik dhe komunitetin artistik në Kosovë, ka ardhur edhe reagimi i parë publik nga Rina Maloku, gruaja e stilistit Festim Isufi, i cili dyshohet që pasi goditi me një mjet të mprehtë partneren, i dha fund jetës së tij.
Në një postim të shkurtër, por prekës, Rina ka ndarë dhimbjen e saj për humbjen e papritur të njeriut me të cilin ndante jetën: “Prehu i qetë jeta ime! Humbja jote e papritur na ka lënë me dhimbje të papërshkrueshme. Të dua e do të të kujtoj si njeri të mirë, të buzëqeshur si ishe.”
Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mesditë në “Rrugën B” në Prishtinë (9 maj), ku sipas informacioneve zyrtare, pas një përplasjeje mes çiftit, Festim Isufi e plagosi Rina Malokun me thikë dhe më pas i dha fund jetës së tij.