Eja shohim pak Tv

Këto “rregullat e pashkruara të Tiranës” në fakt janë stereotipe të shëmtuara

Shkruar nga Anabel

9 Maj 2025

Këto “rregullat e pashkruara të Tiranës” në fakt

Parathënie e domosdoshme!

Këto që do të lexoni në vijim pretendojnë të jenë “rregullat e pashkruara të Tiranës”, por fillimisht le t’i sqarojmë Ronaldo Sharkës – që i listoi në Top Albania Radio – dy koncepte:

1. Një rregull i pashkruar është një sjellje që ndodh vazhdimisht dhe masivisht, një zakon i përbashkët që ndiqet nga shumica, edhe pse s’është ligj. Për shembull: rregull i pashkruar është që nuk flirtojmë me të dashurin e shoqes.

2. Një stereotip është thjesht një mendim i gabuar, shpesh paragjykues, që ngatërrohet me realitetin, por s’ka lidhje me të. Për shembull: biondet janë budallaqe.

Tani vazhdojmë me “rregullat e pashkruara të Tiranës”.

1. ”Të zësh vendin e parkimit me bidona ose karrige, i përket nivelit Super Saiyan.”

Super Saiyan? Kjo në fakt është Super Stresian. E drejtë, është absurde, por kur Bashkia nuk e ka idenë se çfarë bën me planifikimin urban, njerëzit bëhen kreativë me ç’të munden: bidona, karrige, vazo lulesh, shokun.

2. “Të shohësh një vend parkimi bosh, por me bidona me karrige, ai nuk preket. Në të kundërt, kur dikush guxon, hapet libri i farefisit.”

WOW, çfarë zbulimi! Ballkanasit kanë nerva? Ky s’është rregull, është “testosteron + mungesë parkimi = luftë civile te pallati”.

3. “Në Astir jetojnë fshatarët. Pra, ekziston një legjendë urbane se në Astir jetojnë vetëm të ardhurit, pa dashur të ofendojmë njeri, por si ta them ndryshe ‘fshatarët’? Provincialët? Pra, siç jam unë, një fshatar i ardhur nga Lushnja.”

Dhe në çdo lagje tjetër të botës jetojnë njerëz. Fakti që Ronaldo e thotë me ton autoironik nuk e bën më pak paragjykues. Tirana është plot me njerëz nga çdo cep dhe Astiri nuk është ndonjë shpellë me sinjal SOS.

4. “Nëse ndodhesh në Kamëz, aktivizohet papritur një sistem alarmi në trupin tonë për vetëmbrojtje.”

Squid Game: Kamëz Edition. Çdo qytet ka zona që stigmatizohen, por ndoshta alarmi nuk ndizet nga fakti që je në Kamëz, por nga frika në kokën tënde.

5. “Nëse je i ri dhe udhëton me urban, je konviktor.”

E kuptuat njerëz? Të rinjtë që s’kanë Range Rover janë menjëherë “konviktorë”. Ose me fjalë të tjera: student = i varfër = me autobus = konviktor.

6. “Nëse je konviktor ose konviktore, dyshohet se je i palarë.”

Kjo është aq banale sa s’duhet të dilte as në postim TikTok-u, jo më në radio kombëtare.

7. “Veriorët respektohen më shumë se jugorët. Po, po. Në heshtje të gjithë e dimë se nëse është një verior ose jugor, ai që merr më shumë respekt, është veriori. Sidomos nëse veriori ka një makinë të shtrenjtë dhe është duke ecur në trafik, askush nuk ia bën me drita apo t’i bjerë borisë që ai t’i hapë rrugën.”

Ky nuk është rregull, është kompleks. Njerëzit respektojnë makinën, jo veriun. Një verior me Golf 4 nuk merr më shumë respekt se një jugor me BMW X6.

8. “Komuna e Parisit nuk ka asnjë lidhje me Parisin, pavarësisht emrit që mban.”

Edhe “Myslym Shyri” nuk ka lidhje me modën. As “Rruga e Barrikadave” s’ka barrikada. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk është “Boulevard of Broken Dreams”.

9. “90% e njerëzve që jetojnë në Tiranë nuk dinë si e ka emrin rruga e Salës në të vërtetë.”

Po, sepse njerëzit nuk orientohen me emra rrugësh, përgjithësisht, por me “jam afër Bllokut, ngjitur me një furrë buke, mbrapa asaj kioskës që shet cigare.”

10. “Nëse makina jote është e ndaluar dhe e fikur në Dajt, automatikisht dyshohet se po bën seks.”

Njerëzit ndalojnë për peizazhin, për të marrë ajër, sepse u prish goma. Sidoqoftë, nëse makina lëkundet…

11. “Vizat e bardha janë vetëm për zbukurim.”

Ore, jemi në 2025-n, jo në kohën e Farmville në Facebook. Shumica e shoferëve i respektojnë. Ata që s’e bëjnë janë thjesht palaço, jo përfaqësues të Tiranës.

12. “Ulja në kafe është një rit i shenjtë.”

Amen për këtë!

13. “Ne jemi ndër të paktat qytete në botë me një rregull të pashkruar që psikologia apo psikologu ka më pak rëndësi se shoqja e ngushtë, sepse të gjitha hallet tregohen aty [te shoqja e ngushtë].”

Ndoshta sepse psikologia kushton 50 euro/orë, ndërsa shoqja e ngushtë është një kafe larg? Mos harroni edhe që te psikologia nuk shkohet vetëm kur ke halle.

14. “Parkimi futet te sportet ekstreme.”

Hera e katërt që flasim për parkimin…

15. “Sheshi Skënderbej është qendra e të gjithë botës. Aty takohen të gjithë njerëzit si pikë orientimi.”

Po pra, si çdo shesh qendror në çdo qytet. Parisi ka “Place de la Concorde”, Roma ka “Piazza Venezia”, Athina ka “Omonia Square” etj.

16. “Fjala ‘Po vij’ do të thotë çdo gjë tjetër përveç fjalës ‘Po vij’.”

Po ç'hyn Tirana këtu? Kjo ka lidhje me karakterin e invididit që vonohet (“Po vij” është fjali, jo fjalë).

17. “Rruga mund të jetë edhe trotuar, edhe parking edhe pikë shitjeje lulesh. Ku ka vend, ka funksion.”

E drejtë, rrugët në Tiranë janë si CV e njerëzve që dalin nëpër emisione televizive: gjithçka dhe asgjë njëkohësisht.

18. “Askush nuk e di që ‘më plasi…’ apo ‘s’më plasi…’ ka të njëjtin kuptim.’

Nuk e dimë në cilën Tiranë jeton Ronaldo, por në Tiranën tonë, të gjithë e dimë që kanë të njëjtin kuptim.

19. “Të hapësh sinjalin në Tiranë nëse do kthehesh majtas apo djathtas, je thjesht budalla.”

Nëse disa s’e përdorin sinjalin, kjo nuk e bën “rregull”.

20. “Më lehtë presim të ziejë grosha e plakës që do 2 orë në tenxhere jo me presion, sesa të hapet semafori. Kjo ndodh vetëm në Tiranë.”

E njëjta situatë ndodh ekzaktësisht në çdo qytet të Shqipërisë dhe jo vetëm. Dhe mos harroni, siç thotë Vagabondi: Sado që je gangster, mos u bëj gangster me mamin. Ëëë, me mamin, jo plakën!

21. “Të jesh lypës në Tiranë, fiton më shumë se të marrësh një rrogë normale.”

Nuk kemi statistika për këtë rregull të pashkruar që përmend Ronaldo, por ka statistika për shfrytëzimin e të miturve, varfërinë dhe mungesën e institucioneve që kujdesen për njerëzit në nevojë.

Që ta mbyllim!

Pra, këto nuk ishin “rregullat e pashkruara të Tiranës”. Nuk ishin as “batuta tironse”. Ishin thjesht stereotipe të paketuara si rregulla të pashkruara urbane.

Nëse duam të bëjmë humor, duhet të kuptojmë se humori është edhe përgjegjësi. Sidomos kur ke një mikrofon që dëgjohet në të gjithë vendin.

Prandaj herë tjetër, përpara se t’i lexoni këto “batutat funny” në radio, duhet një filtër mendimi më shumë, jo një paragjykim më tepër. Se Tirana mund të ketë shumë rregulla të pashkruara, por media kombëtare s’ka vend për stereotipe të shëmtuara.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.