Për mendimin tonë

Pse nuk funksionojnë rikthimet në “Big Brother VIP”

Shkruar nga Anabel

11 Mars 2025

Pse nuk funksionojnë rikthimet në “Big Brother VIP”

Formula e “Big Brother VIP” parashikon që disa nga banorët më të spikatur të kenë mundësinë të rikthehen në lojë, edhe pas eliminimit të parë. Kjo praktikë është ndjekur edhe në Shqipëri, por në të gjitha rastet ka një të përbashkët: rikthimet nuk funksionojnë. Emra si Efi, Kiara, Ronaldo, Amber dhe G Bani kanë bërë që të mendojmë se rikthimi në shtëpi nuk është një mundësi e mirë për ata që dalin një herë.

Pse ndodh kjo?

Shkëputja nga loja dhe dinamikat

Një nga arsyet kryesore është se loja ecën me ritme të shpejta dhe secili sekond ka rëndësi. Pas shkëputjejes nga gara, rikthimi kërkon një strategji të mirëmenduar në mënyrë që personazhi që rifutet të mund të "përmbysë" dinamikat dhe të sjellë një ndryshim rrënjësor në lojë. Kjo strategji ka munguar deri tani, pasi personazhet që janë rikthyer nuk kanë mundur të na surprizojnë. Përveç kësaj, banorët që janë në shtëpi e shohin rikthimin si të padrejtë, aq më tepër kur “nuhasin” se personazhi që rifutet po fiton terren, ndaj do të bëjnë gjithçka për të mos lejuar të kthehet në protagonist.

Për ta bërë më konkrete mjafton të përmendim rastin e Gertës, e cila zgjodhi të çonte në një nominim të vështirë Amber me argumentin se e sheh si lojtare të fortë dhe rrjedhimisht e nxori jashtë shtëpisë.

Ndikimi i komenteve nga jashtë

Të gjithë mendojnë se të kuptosh se ç’po ndodh jashtë dhe se si po komentohet loja është përfitimi më i madh për një lojtar, pasi mund të ndihmojë në ndërtimin e strategjisë së duhur, por ja që nuk rezulton kështu. Leximi i komenteve të jep një panoramë të qartë të impaktit që çdo veprim i yti ka, gjë e cila e bën të vështirë të sillesh natyrshëm, pasi mendon vazhdimisht se si do komentohesh. Nga ana tjetër, personazhet që kuptojnë se janë preferuar nga publiku gjatë qëndrimit në “BBVA”, duket se krijojnë edhe një lloj vetëbesimi që pa e kuptuar kthehet në arrogancë.

Le të themi se i ngjashëm është rasti i Kiarës, e cila sapo u rifut nisi t’iu thonte banorëve fraza të llojit “Jam luaneshë” apo “A e dini se me kë po flisni”, të cilat nuk i kishte përdorur kurrë më herët dhe rezultati: publiku “e dënoi”.

Miqtë të kthehen në armiq

Rikthimi mund të krijojë një ndjesi konkurrencë dhe tensioni mes banorëve që janë tashmë të konsoliduar në grupe apo aleanca.

Hyrja për herë të dytë në garë duket se jep një sinjal te banorët që janë brenda: publiku i do personazhet që ka rikthyer dhe dëshiron që të shohë lojën e tyre. Kjo, nuk pritet mirë nga banorët që kanë kohë që luftojnë për dashurinë e publikut, ndaj edhe miqtë i shohim të kthehen në armiq. Nëse deri dje qëndronin në krahë, në momentin që kuptojnë se personazhi që futet ka potencial për të qenë protagonist, do i vendosen përballë.

Edhe në këtë rast mund të përmendet rasti i Gertës, e cila para se Amber të eliminohej ishin shumë shoqe, por rikthimi i bëri të humbasin miqësinë.

Humbja e aleancave

Banorët që rifuten e gjejnë të vështirë integrimin në lojë dhe kjo pasi grupet apo aleancat janë konsoliduar në një pikë që është tejet e vështirë të gjesh “një ulëse në tavolinë”. Ndaj në këtë rast ato e gjejnë veten të vetëm në garë, pa ndonjë aleat që i mbron apo pa ndonjë strategji të mirëfilltë që mund të ndërtohet në grup. E vetmja zgjidhje mbetet që të luftojnë të vetëm përballë të gjithëve, por edhe ky është një opsion toksik dhe shterues, si për personazhet e rikthyer dhe për publikun.

I vetmi rast që mund të themi se përmbysi disi gjërat në shtëpi ishte Efi, e cila arriti të krijojë një pol tjetër duke iu kundërvënë Luizit. Por nuk duhet harruar se ajo mundi të krijonte këtë dinamikë dhe të arrinte në finale, vetëm pas largimit të Oltës.

Rikthehen si fansa të banorëve

Personazhet që rifuten e dinë saktësisht se kë duartroket publiku më shumë dhe preferojnë që lojën ta ndërtojnë duke krijuar aleancë me të. Duket sikur përpiqen të rihynë më lehtë në lojë në këtë formë, por ajo që perceptohet nga publiku nuk është aspak e bukur, pasi menjëherë klasifikohen si fansa të personazhit të preferuar, gjë e cila nuk e ndihmon aspak strategjinë e tyre.

Në përmbledhje, rikthimet në "Big Brother VIP" shpesh përballen me sfida të mëdha dhe në fund nuk sjellin asgjë të re për lojën dhe publikun, ndaj lind pyetja: A janë vërtet të nevojshme rikthimet?

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.