
Egli Tako ishte e ftuar gjatë ditës së sotme në "Shqipëria Live", në Top Channel, ku ndër të tjera foli edhe për foton mes saj dhe Gjestit, në funeralin e vëllait të tij.
E pyetur nga moderatorja Sidorela Gjoni nëse e kishte pritur që momenti të fotografohej e shpërndahej në internet, Egli u përgjigj thjesht me një jo, qartësisht ende e bezdisur prej situatës.
"Nuk dua ta komentoj fare si temë. Respektoj dhimbjen e tyre deri në fund dhe nuk dua të flas fare përsa i përket kësaj teme. Di vetëm të them që atë ditë vdiq dhe njerëzimi, kështu që nuk dua të komentoj asgjë," tha ajo dukshëm e zhgënjyer.
Pas ndarjes tragjike nga jeta të vëllait të Gjestit, momenti i funeralit shkaktoi shumë kritika në rrjet, pasi njerëz të pranishëm fotografuan personazhet publikë që u bënë pjesë e dhimbjes së familjes Kelmendi, duke shpërndarë foto dhe video në rrjet nga takimet e tyre me Gjestin.
Shumë prej këtyre personazheve publike e komentuan më tej ngjarjen të tronditur, përfshirë Dafina Zeqirin, e cila reagoi ashpër në rrjetet e saj sociale:
“Kjo është absurde, çnjerëzore dhe mungesë e thellë respekti. Çaste që duhej të ishin private, u kthyen në një cirk. Një ditë do t’i mësoj djalit tim: Këta janë njerëzit prej të cilëve duhet të qëndrosh larg, ata që japin shembullin më të keq. Njerëzimi nuk duhet të shkëmbehet kurrë për vëmendje!”.

