Nëse mendon se ke pasur një takim të keq, prit derisa të lexosh këto histori. Disa janë aq të çuditshme, sa duket sikur fati po bënte shaka.
“Familja mbi të gjitha”
Kisha mbi dy muaj që flisnim në rrjete sociale. Në takimin e parë mësojmë që kishim lidhje farefisnore. I premtuam njëri-tjetrit që do mbetej sekret!
Kjo është pikërisht arsyeja pse duhen bërë pyetjet bazë përpara takimit: “Nga je ti?”, “Ke njeri nga zona ime?”, “Gjyshërit e tu kanë pasur ndonjë histori të dyshimtë në rini?”
“Me hëngri lekun… me zor”
Pasi kisha pirë kafe vetëm dy herë (se më detyroi mami t’i jepja një shans), nëna e tij shkoi te puna e babait tim dhe i tha:
“Vajza jote po i ha lekët djalit tim me të dala! Do fejohen po apo jo?”
Më iku truri.
Ta dije që do fejoheshe të kishe porositur ndonjë kapuçino të paktën.
“20 minuta rrugë për të parë një statujë tymuese”
Dolëm. Shkova në këmbë deri te vendi i takimit (20 minuta rrugë). Na shkonte shumë mirë muhabeti online. Live nuk thoshte asgjë, vetëm pinte cigare. Nuk lidhte dot dy fjalë. (Të dh*efsha Jozin!) Pastaj u zhduk dhe nuk u pamë më kurrë. Akoma më dhembin këmbët nga rruga që bëra edhe pas kaq shumë vitesh.
Disa meshkuj janë si trailer-at e filmave - në internet duken fantastikë, në realitet një zhgënjim total. Të paktën të të kishte ofruar një taksi për kthim…
“Dhe hëngri… dhe mori me vete”
E lamë të takohemi në një bar. Pastaj ajo thotë: “Shiko se po vdes për të ngrënë.” I them: “Shkojmë në një restorant.” Jo, thotë, se ka një piceri këtu afër. Shkuam aty. Ajo porositi një familjare për vete. Unë një normale. Pasi hëngri të vetën dhe një copë nga e imja, më thotë: “Ta marr dhe një normale me vete?”
Ka njerëz që e përdorin Tinder-in për dashuri dhe ka të tjerë që e përdorin si "food delivery." Nejse, dashuria shkon e vjen, karbohidratet janë përgjithmonë.
“Ndërkombëtari i mashtrimeve”
Gjatë bisedës mburrej sesi i shkruanin shumë vajza, si e dashura e shokut flirtonte me të, sesi kishte jetuar në Gjermani për pak muaj… Andrew Tate-in e kishte idhull. Kur i fola gjermanisht, ngeci. Donte makinën time borxh për plazh. Në fund kërkoi ta çoja në shtëpi se kishte ardhur me taksi. Deshtak.
Zakonisht këta që kanë idhull Andrew Tate kanë të përbashkët me të vetëm mungesën e flokëve.
“Surpriza vertikale”
Pas shumë kohësh që më shkruante, më thotë të takohemi. U takuam… po ç’të shoh? 1.50 i gjatë. Më iku truri. U zgjat të më takonte mua dhe më e forta: në kafe më shiste mend për veten ndërkohë që në telefon ishte ndryshe. Live, vetëm mburrej dhe kishte thoin e vogël të gishtit të gjatë!
Ky takim është dëshmi e dy rregullave bazë:
1. Asnjëherë mos i beso fotove.
2. Nëse dikush ka thoin e vogël të gjatë, ik!
“Gjermani me instinkt mbijetese (të tepruar)”
Në takimin e parë ndaloi te koshat e mbeturinave bio dhe mblodhi frutat që njerëzit i kishin hedhur. Përveç kësaj, mori dhe një palë çorape nga toka, afër koshit. Më iku truri!
Disa njerëz duan të shpëtojnë botën. Disa të tjerë duan të shpëtojnë një mollë të kalbur nga koshat e Berlinit.
“Takimi me shuplakën e babait”
Dola me një këngëtar dhe takimi ishte shumë i keq. Më pas babai im i futi një shuplakë atij dhe mua dhe u bë më keq situata.
Unë kam vetëm një pyetje: A i këndoi pas shuplakës: “Pse po më qortoni, zotëria juaj?”
@topchanneltvalbania “Pse po më qortoni zotëria juaj...”/ Jozi mesazh për babin e Loredanës: Vajzën tuaj e dua dhe për të vuaj
? original sound - Top Channel - Big Brother Vip
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.