Mbërrin në bregdetin e Gazës anija e mbushur me ndihma
Një anije e mbushur me ushqime dhe ndihma mbërriti në bregdetin e Gazës, pasi u nis nga Qipro. Anija me gati 200 tonë ushqime pritet të shkarkojë ndihmat për popullsinë e Gazës, pas një fushate ndërgjegjësuese ku morën pjesë shumë vende të botës, të cilat dërguan ndihmën dhe kontributin e tyre për njerëzit që po vuajnë nga uria.
Shumë shpejt pritet të niset edhe anija e dytë, ndërsa për momentin nuk është dhënë ndonjë detaj se si do të kryhet shpërndarja e ndihmave, duke qenë se agjencitë humanitare të OKB-së janë shprehur se kanë hasur shumë pengesa për dërgimin e ndihmave te njerëzit në nevojë.
Izraeli sulmon Sirinë
Mbrojtja ajrore në Siri rrëzoi disa nga raketat izraelite, të cilat prekën qiellin sirian rreth orës 12:42 të mesnatës, me orën lokale. Raketat erdhën nga drejtimi i Lartësisë Golan, vend i pushtuar nga Izraeli dhe shkaktuan dëme materiale, si dhe plagosën një ushtar.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Angli, sulmet izraelite goditën dy objekte ushtarake në verilindje të Damaskut, në zonën ku grupi militant i Libanit, Hezbollah, kryen aksione. Ndërsa një tjetër objektiv, ishte një automjet që dërgonte armë.
Islandë/ Vullkani shpërthen për herë të katërt që nga dhjetori 2023
Një vullkan në zonën e evakuuar Grindavik ka shpërthyer sërish, duke shënuar herën e katërt që nga dhjetori 2023, raporton zyra meteorologjike e vendit. Vullkani nxori tym dhe lavë portokalli në ajër dhe sipas BBC, ky pretendohet të jetë shpërthimi më i fuqishëm deri tani, pasi lava ka mbërritur pranë qytetit.
Njerëzit janë zhvendosur në territorin e Lagunës Blu, një prej atraksioneve turistike të Islandës, ndërsa ende nuk dihet se si do të jetë gjendja e vullkanit, lava e të cilit po përhapet me shpejtësi.
SHBA propozon rezulutë për armëpushimin në Gaza
SHBA ka propozuar një rezolutë që do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza, pasi gjendja e njerëzve është shumë e vështirë dhe kriza humanitare vijon të thellohet.
Drafti është i ndryshueshëm dhe deri tanimë, asnjë datë nuk është caktuar për votim, ndërsa Hamasi dhe Izraeli janë shumë larg vendimit të përbashkët për t’i dhënë fund luftës, pasi prej kohësh nuk kanë rënë dakord për kushtet e një armëpushimi.